Artur Selmani, prokurori që hetoi elitën e lartë politike. Llalla e shkarkoi për dyshime për korrupsion

Shqipëria

Artur Selmani, prokurori që hetoi elitën e lartë politike. Llalla e shkarkoi për dyshime për korrupsion

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 20:07
Artur Selmani

Artur Selmani ishte kandidati i fundit (i shtati) që u regjistrua në Kuvend për t’u bërë Prokuror i Përgjithshëm (i përkohshëm).

Po kush është Selmani?

Artur Selmani ka hetuar për disa muaj me radhë sherret në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht kallëzimin e PD-së për deputetin Amarildo Prenga dhe më vonë deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.

I dëmtuari në të dyja rastet ka qenë demokrati Gent Strazimiri, i cili gjatë kësaj kohe është pyetur disa herë në prokurori, ku fillimisht ka shfajësuar Prengën dhe më vonë ka akuzuar Ndokën e Ndreun, ku i pari e goditi me grusht dhe tjetri me pëllëmbë pas kokës.

Por, sipas një shkrimi të botuar në ish gazetën “Shqip” (2 tetor 2014), menjëherë sapo ka përfunduar hetimet për deputetët socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, një nga prokurorët jetëgjatë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm është ndëshkuar, duke e zbritur në detyrë: komandohet si prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Tiranës. Urdhri është i Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Selmani ka punuar më parë si drejtor i studimeve në akuzën qendrore, ndërsa ka përfaqësuar akuzën në disa çështje shumë të rëndësishme në Gjykatën e Lartë.

Selmani njihej si personi që ngrinte akuzat për politikanë të ndryshëm, pasi në “dorën” e tij kanë kaluar ministra dhe deputetë, me akuza të rënda apo të lehta. Megjithëse përfundimi i tyre dihet nga të gjithë, prokurori Artur Selmani ka qenë edhe një njohës shumë i mirë i proceseve gjyqësore në Gjykatën e Lartë.

Historia e konfliktit të Prokurorit Artur Selmani me Kryeprokurorin Adriatik Llalla vazhdon.

Më 23 shkurt 2017, Kryeprokurori Adriatik Llalla pezullon nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani.

“Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin Artur Selmani, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për vrasjen e tre të rinjve gjatë një konflikti të armatosur në lagjen Çole të Vlorës, në prill të vitit 2015.

Kryeprokurori urdhëroi nisjen e hetimit ndaj zyrtares dhe prokurorit për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi. Një prej të pandehurve, Aleksandër Llanaj është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Berti Alliaj dhe Ani Begaj me 35 vjet burg.

Por, gjatë shqyrtimit të rekursit të kërkuar nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda” njofton prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat