I jepet lamtumira Florencit, rrëfimi rrëqethës i babait: Jam i varfër, por…

Shqipëria

I jepet lamtumira Florencit, rrëfimi rrëqethës i babait: Jam i varfër, por…

Më: 29 dhjetor 2017 Në ora: 14:27
Florenc Beqiraj

Sot në mesditë, në orën 14:00, familja dhe të afërmit kane përcjellë për në banesën e fundit, djalin e vetëm të familjes Beqiraj. Babai i Florenc Beqirajt, Gëzim Beqiraj, shoqëroi nga Franca deri në Shkodër trupin e djalit të tij.

Në momentet e fundit, ai iu gjend pranë në spitalin e Marsejës, ndërsa ndodhej në gjendje të thellë kome, por zemra e tij vazhdonte të funksiononte ende. Gëzim Beqiraj kërkon drejtësi, ndërsa shprehet se në trupin e të birit ka vërejtur shenja dhune.

Kortezhi nga Franca, fillimisht u ndal në Gjermani e më pas, nga aeroporti i Frankfurtit, mbërriti rreth orës 11:30, në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Prej andej, i shoqëruar nga babai, Gëzim Beqiraj, dhe disa prej shokëve të tij që dolën për ta pritur, kortezhi mbërriti në Shkodër. Në rrugën hyrëse të qytetit ku banon familja Beqiraj, me dhjetëra miq, familjarë, shokë e fqinj pritën trupin e 23-vjeçarit.

Pak metra përpara banesës ishte ngritur një çadër, në të cilën qëndroi babai dhe të gjithë burrat e djemtë që vinin për ta ngushëlluar. Heshtja ka zgjatur pak derisa arkivoli mbërriti përpara syve të njerëzve më të afërt, nënës, motrës e gjyshes. Dhimbje e madhe dhe lot pafund. Çaste, të cilat askush nuk do donte t’i përjetonte për asnjë lloj arsye. Disa prej familjarëve të afërt, nga dëshpërimi, pësuan gjendje të fikëti. Disa herë u desh një ambulancë e spitalit Rajonal të Shkodrës për t’i dërguar drejt urgjencës për ndihmë të shpejtë. Nëna, Laureta Beqiraj, mes dhimbjes së madhe, qëndroi stoike e ndërsa motra, Florenca, nuk mundi të përmbahej.

Fotografitë e 23-vjeçarit rrethuan të gjithë vendin, qoftë jashtë te çadra e pritjes për burrat, por edhe brenda në dhomën e vogël të familjes së varfër shkodrane. “Kush të vrau në lule të rinisë. Pse të vranë o djali ynë. Ku me të marrë nëna ty. Nuk e meritove more bir. Pse s’të sollën të gjallë o djalë”, ishin disa prej fjalëve që u dëgjuan gjatë vajtimit. Familjarët dyshojnë se Florenc Beqiraj është dhunuar në dhomat e paraburgimit në Marsejë.

Ndërsa, pasi qëndroi në gjendje kome për disa ditë, pretendojnë se i janë hequr tubat e oksigjenit. 23-vjeçari kishte ikur si azilkërkues dhe ndodhej në Francë prej dy vitesh. Muajin e fundit, para se të ndahej nga jeta, u kap nga Policia franceze pa dokumentacion pasi i ishte refuzuar statusi i azilkërkuesit.

Prokuroria e Francës ka nisur një hetim dhe do pritet të arrihet në një konkluzion pas përfundimit të autopsisë.

Intervista e babait
Çfarë mund të na thoni tani që keni parë gjithçka me sytë tuaj?

Fillimisht, dua të falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan në këto ditë të vështira. Unë kam një falënderim të përzemërt për të gjithë ata vëllezër shqiptarë, që u solidarizuan me familjen tonë dhe dhimbjen e madhe që po përjetojmë. Dua të falënderojmë të gjithë ata shqiptarë në Francë dhe Europë, të cilët m’u gjenden pranë në momentet më të vështira të jetës sime. Ata më ndihmuan për çdo gjë që kishim nevojë dhe dua t’i falënderoj pa masë. Një falënderim kam për Presidencën, e cila na mundësoi ardhjen e trupit të Florencit nga Franca deri në Shkodër. Familja jonë ka një dhimbje të madhe që po e përjeton, ndërsa unë po përjetoj momente shumë të vështira. Do Zoti, del drejtësia e djalit tim. Meqë djali iku nga kjo jetë, të paktën të ketë drejtësi për atë që ka ndodhur. Nuk di çfarë të them.

A kishte shenja dhune Florenci kur e patë në spital, në Francë?
Po, ka pasur shenja dhune. I dhunuar ka qenë. Unë kam gjetur shenja dhune në dorën e djalit tim. Kam marrë fotografinë dhe ia kam dhënë avokatit në Francë ku shihet dhuna në dorën e djalit. Askush të mos thotë se nuk ka pasur shenja dhune.
Ku kishte shenja, apo vetëm në dorë?
Kishte edhe në dorë, por edhe në krahët e tij. Kur kam shkuar të nesërmen në spital, ia kishin fshirë komplet shenjat e dhunës dhe nuk e kuptoj përse e kanë bërë një gjë të tillë, sepse kjo është për të fshehur atë që ka ndodhur dhe për të mos zbuluar të vërtetën. Te fyti kishte shenjën e telit dhe nuk ishte konop, siç thonë.

Ju nuk e besoni që ka tentuar të kryejë vetëvrasje?
Jo, nuk është e vërtetë. Ka telin në fyt dhe jo shenjë konopi. Ashtu si në fyt, ashtu e ka pasur edhe në dorën e tij. Përse u mor vendimi për heqjen e tubave të oksigjenit në spital? Këtë nuk di ta them, por ashtu ka ndodhur. E di spitali më mirë se përse e ka bërë dhe si e ka bërë. Unë nuk jam doktor dhe kam pasur hall të madh atje. Dëshira ime ishte që djali të vinte i gjallë deri në Shkodër dhe jo i vdekur në derë të nënës e motrës së tij. Do Zoti që refugjatët e tjerë, që janë në Europë, nuk kanë fatin e djalit tim. I ndodhi djalit tim, por nuk ia uroj askujt tjetër sepse është shumë e rëndë. Ka shumë si djali im atje në Francë, për të cilët nuk kujdeset askush.

A keni firmosur për një veprim të tillë?
Jo, nuk kam firmosur. Nuk më ka shkuar ndërmend të mbys djalin tim me duart e mia. Ku ka prind, që mbyt fëmijën e vet dhe që e bën atë punë.

Cili është apeli juaj pas gjithë kësaj që ka ndodhur?
Asgjë tjetër, përveçse drejtësi. Dua që të zbardhet kjo ngjarje. Unë nuk merrem me politikë dhe as nuk më intereson politika. Unë jam njeri i varfër dhe dua drejtësi. Më ka premtuar Presidenti i Republikës se do të gjendet një zgjidhje për ta zbardhur çështjen. Unë kam besim te Presidenti, duke qenë se mundësoi edhe ardhjen e trupit deri në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat