Festa në burgje, shkarkohen 12 punonjës të burgjeve

Shqipëria

Festa në burgje, shkarkohen 12 punonjës të burgjeve

Më: 4 janar 2018 Në ora: 12:57

Një foto e publikuar në rrjetet sociale nga ana e disa të burgosurve ka sjell shkarkimi nga detyra të 12 punonjësve të policisë së burgjeve në Lezhë.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Drejtësisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur në Burgun e Shën Kollit në Lezhë.

Ministria e Drejtësisë, në datën 25.12.2017 është vënë në dijeni nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një foto-je në të cilën shfaqeshin imazhe të disa të dënuarve duke festuar brenda ambienteve të një IEVP-je me sende të ndaluara.

Nga veprimet paraprake, rezultoi se fotoja e publikuar ishte kryer në ambientet e IEVP-së, Shën Koll Lezhë dhe është publikuar nga vetë të dënuarit.

Ministria e Drejtësisë nëpërmjet SHKBB-së, pasi kreu veprimet hetimore përkatëse, arriti në konkluzionin se nga ana e punonjësve të policisë së burgut janë shkelur parashikimet ligjore në fuqi si dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, duke vënë në rrezik sigurinë dhe mbarëvajtjen në institucion.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, u referuan aktet për fillimin e procedimit penal në ngarkim të 12 punonjësve të policisë së burgjeve, me dyshimin se këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të parashikuara respektivisht nga neni 248 dhe nga neni 251 të Kodit Penal.

Konkretisht:A.B. Shef i Policisë së IEVP-së Lezhë: E.R. Specialist i Informacionit: T.L. Përgjegjës i Shërbimit të Godinës; Gj.D. Polic i Kollonës; E.T. Polic i Sektorit; L.L. Polic i Kollonës; M.GJ. Polic i Sektorit; D.N. Polic i Kollonës; A.J. Polic i Sektorit; Gj.N. Përgjegjës i Grupit të Sigurisë; G.Rr. Polic i Grupit të Sigurisë; F.H. Polic i Grupit të Sigurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar ecurinë disiplinore për këta punonjës, sipas shkeljeve të konstatuara.

Ministria e Drejtësisë së bashku me strukturat ligj-zbatuese është e vendosur të vërë përpara përgjegjësisë të gjithë ata punonjës të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkelin ligjin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat