Pronat, ja zgjidhjet kur keni mbivendosje, s'merrni çertifikatë

Shqipëria

Pronat, ja zgjidhjet kur keni mbivendosje, s'merrni çertifikatë

Më: 31 janar 2018 Në ora: 08:14
Ilustrim

Një nga çështjet më problematike për shqiptarët që pas rënies së sistemit dikatorial është ajo e pronave.

Nisur nga problematika e madhe dhe interesi i qytetarëve Report Tv dhe Shqiptarja.com në vazhdën e rubrikës tashmë të njohur “Këndi i Ekspertit” do të kenë çdo javë edhe sqarimet e duhura nga eksperti për çështjen e pronave Gjergji Begaj.

Në rubrikën “Prona ime”, eksperti i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve rreth problematikave të shumta duke i sqaruar ata për të drejtat e tyre si dhe rrugën që duhet të ndjekin për të zgjidhur sa më shpejt dhe saktë problemin që kanë.

Në numrin e sotëm ekperti sqaron se çfarë duhet të bëni kur keni pronë të mbivendosur. Ku duhet të drejtoheni kur firmat ndërtuese vonojnë certifikatën. Si veprohet me pronat e legalizuara që janë regjistruar me dy emra dhe shumë përgjigje të tjera.

Problemet me pronat dhe pronësinë është një çështje që mbart mjaft problematika. Si duhet të aplikojmë dhe në cilat institucione duhet të trokasim?

Me të drejtë ju shtroni këtë pyetje. Është një shqetësim real. Qytetarët duhet të njihen me këtë sepse çështja e pronave është një temë shumë e nxehtë dhe e prekshme në të gjitha hallkat dhe institucionet që merren me çështjet e pronësive. Qytetarët duhet të trokasin për të zgjidhur një problem për çështjen e pronave fillimisht në zyrën e Hipotekës, që është institucioni kryesor që merret me regjistrimin e të gjitha çështjeve dhe titujve të pronësive.

Kam një objekt, një magazinë, prej 25 vjetësh, në zonën e magazinave të Tiranës. Në këto magazina, si në timen edhe në disa dhjetëra e qindra që janë në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, punojnë reparte fasone, qepin këmisha dhe pantallona, i vetmi aktivitet mund të them, që punon në të gjithë Shqipërinë. Nga 25 vjet ky objekt ka pasur një emër magazinë, ku këta 2-3 vjet shikoj që Hipoteka emrin magazinë e ka kaluar në emrin njësi dhe kjo është në kundërshtim me vendimin e qeverisë, që në faqen 2, pika 3, germa c, thotë: “Për 1 m2 sipërfaqe zyrë dhe magazinë ka një vlerë minimale që i bie 1,5 euro për m2”, kurse shkoj në Hipotekë dhe ato më thonë që është zhdukur emri magazinë, dhe e kanë vetëm njësi ose garazh. Por në katin e tretë nuk ka garazh. As në katin e dytë.

E kuptova pyetjen tuaj. I nderuar zoti qytetar, me të drejtë ju shtroni pyetjen që keni një ndërtesë, objekt, që mban vlerën ose që në fillimin e privatizimit e keni privatizuar si magazinë dhe jo si njësi. Duhet ta kuptojnë qytetarët që objekti magazinë ka një vlerë tjetër dhe objekti njësi ka një vlerë tjetër. Por, në shumicën e rasteve, kur janë bërë saktësimet e zonave, kur janë futur në sistem zonat, dhe është bërë edhe vlerësimi, nuk është marrë mendimi i ekspertëve të mirëfilltë që punojnë në fushën e këtyre çështjeve, por janë marrë në përgjithësi d.m.th. që iu është vënë emri dhe njësi dhe magazinë, pra janë titulluar me të njëjtin titull. Ky është një defekt. Po marrim një njësi në atë zonë ku ndodheni ju, po themi që vlerën për 1 m2 e ka 1.500-2.000 euro.

Ndërsa magazina e ka vlerën 500-700 euro. E njëjta gjë ndodh edhe me çështjen e vlerësimit për dhënien me qira sepse magazina shërben për të magazinuar mall kurse njësia shërben edhe për të shitur mall, d.m.th. për të reklamuar dhe ka tjetër vlerë. Për këtë gjë, ju duhet të drejtoheni pranë ministrive përkatëse ku keni bërë privatizimin që të bëni ndryshimin e destinacionit, d.m.th. nga njësi në magazinë. Në rast se nuk e zgjidhni problemin pranë institucionit, duhet t’i drejtoheni Gjykatës së Shkallës së Parë për të zgjidhur problemin tuaj.

Jam nga Tirana. Desha të aplikoja në Hipotekë për të marrë certifikatën e pronësisë, mirëpo pasi kam pasur vërtetimin e pronësisë të vitit 2009 dhe vij pranë Hipotekës për t’u pajisur me certifikatë pronësie, më thonë që prona dilte me mbivendosje. Atëherë, dua të marr përgjigje nga eksperti se si duhet të veproj në këtë rast.

Duhet të dimë se çfarë dokumentesh posedon zonja dhe për çfarë titulli pronësie bëhet fjalë. Qytetarët duhet të jenë të qartë që kemi afërsisht 30 tituj pronësie. Më të aplikueshmit janë për apartamentet, njësitë, për sa i përket zonës. Kemi të bëjmë me dy zona: zona e banuar – zona e qytetit, dhe zona rurale, që janë fshatrat. Për zonën e qytetit, që ata që banojnë brenda kufijve të qytetit, në pjesën më të madhe aplikojnë për certifikata për apartamentet, njësitë dhe trojet, por më të përdorshmet janë për apartamentet. Për sa i përket zonës rurale aplikohet për certifikata për trojet dhe banesat e vjetra që kanë ndërtuar, dhe për tokat bujqësore që janë marrë me Ligjin nr. 7501. Kështu që, në këtë rast, zonja duhej të na shpjegonte se ku ndodhej prona, që ne të jepnim përgjigjen e saktë.

Jam një pronar nga Tirana dhe kam marrë vendimet që në vitin 1999 nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe deri tani nuk kam asnjë zgjidhje. Shkoj kërkoj dhe nuk më japin zgjidhje, e para kjo. E dyta, kohët e fundit qeveria ka marrë iniciativën për të njohur titujt e pronësisë, sipas Ligjit nr. 7501. Unë nuk e kuptoj. Pa u shpronësuar ne pronarët e vjetër, si do ta bëjë qeveria mbivendosjen e pronave? Dhe së treti, për sa i përket problemit të nenit 133 për zhvlerësimin e pronave, që në vitin 1945 dhe konvertuar me të 2015-ës. Si do funksionojë?

Në qoftë se qytetari ka aplikuar pranë Komisionit të Kthimit të Pronave në vitin 1999, sigurisht që duhet të ketë një dosje që ka plotësuar për dokumentet, një praktikë, por me çfarë kam dijeni, që pranë Komisionit të Kthimit të Pronave specialistët po punojnë akoma me dosjet e vitit 1997. Do të thotë që jemi në vitin 2018 dhe qytetari duhet të shpresojë që të arrijnë te dosja e tij, ndoshta pas një viti, me këtë ritëm që po punohet. Do shumë vite. Kjo është për t’u parë. Normalisht nga reformat që po ndërmerr qeveria, për të bërë rregullimet me legjislacion dhe për të shtuar specialistët sepse ka dosje të mbartura me dekada, që kërkojnë zgjidhje.

Ndërsa për sa i përket Ligjit nr. 7501 që zotëria me të drejtë e ngriti, pra te kthimi i pronave, bëhet fjalë që në vitin 1991, kur parlamenti shqiptar vendosi të miratonte Ligjin nr. 7501 për ndarjen e tokës bujqësore dhe të fermave, që ua dha fermerëve me këtë ligj, por një pjesë e tokave ku ndodhen, u janë kthyer dhe pronarëve të vjetër të ligjshëm. Këtu kemi një kontradiktë, që brenda një parcele janë dhënë dy tituj pronësie: për një titull ka vepruar Komisioni i Kthimit të Pronave dhe tjetrin e ka dhënë Komisioni i Ndarjes së Tokës në Pronësi. Ligji i jep përparësi qytetarit që ka tapinë me Ligjin nr. 7501. Vazhdon akoma në fuqi. Ndërsa për sa i përket pronës së vjetër, zotëria duhet t’i drejtohet Komisionit të Kthimit të Pronave për Kompensim, në dy mënyra: ose fizik ose në vlerë monetare.

Jam një qytetare nga Durrësi. Kam një problem me një apartament të blerë këtu që në vitin 2003. Një ndërtim i ri. Dhe kam marrë një dokument ashtu siç ishte koha atëherë, jo certifikatë. Dhe tani kam disa vite që aplikoj për certifikatë. Edhe pse i kam të gjitha dokumentet, kam dosjen atje, kam bërë edhe pagesën 4.000 lekë të reja, shkoj për të marrë certifikatën dhe më kthejnë një përgjigje që duhet të marr një plan rilevimi të ri, i cili do të bëhet nga ekspertë privatë. Kur i pyes se si do të filmohet ky apartament nga lart, kur është një apartament i blerë me një sipërfaqe të caktuar, shumë të saktë, asnjë ndryshim nuk është bërë, plan rilevimi kemi, dhe më thonë që do të filmohet me helikopter. Më caktuan edhe ekspertin tek i cili duhet të shkoja.

Zonjë, më thatë që në vitin 2003 ju keni marrë një vërtetim pronësie, ku thotë se vërtetohet sipërfaqja e apartamentit. Sa e thotë në dokument?

110 m2, me përpikëri.

Ky dokument që ju keni, është provizor. Certifikata është përfundimtare që përdoret për shitblerje, përdoret në bankë, është një dokument i saktë dhe i fuqishëm. Sepse vërtetimi i pronësisë është një dokument provizor. Çfarë ndodh? Në çfarë zone të Durrësit ndodheni?

Unë jam në Lagjen 12.

Duhet të interesoheni që kjo zonë a është futur në sistem në Hipotekën e Durrësit?

Po, është futur në sistem sepse të gjithë familjarët këtu e kanë marrë certifikatën.

Në qoftë se kjo zonë është futur në sistem, ju zonjë e nderuar duhet të aplikoni me fotokopjen e vërtetimit të vjetër, me hartën treguese që keni nga pas vërtetimit, dhe nuk është e nevojshme të bëhet plani i rilevimit.

Më kërkojnë një sasi lekësh prej 5.000 lekësh të reja në një kohë që unë jam pensioniste.

Kur ky pallat është ndërtuar në vitin 2003, do të thotë që kemi një plan-vendosje të saktë. D.m.th. shoqëria që ka ndërtuar, ka marrë një leje ndërtimi nga Bashkia, me një plan-vendosje të saktë. Duhet të kuptohet edhe nga qytetarët e tjerë, që plani i rilevimit mund të kërkohet kur pronat janë me plan-vendosjet e vjetra. Kështu që ju duhet t’i drejtoheni edhe një herë regjistruesit të Hipotekës së Durrësit dhe nuk keni pse të sorollateni ose të bëni pagesa shtesë.

Kam blerë një pronë në vitet 1991-1992. Dhe e kam marrë me Hipotekën provizore që jepej atëherë, me leje ndërtimi, me të tëra dokumentet që kërkoheshin në atë kohë. Në vitin 1997 fillova të ndërtoja shtëpinë dhe nuk më lanë disa persona. Sot atë e ka zënë person tjetër. Unë në atë kohë e kam blerë nga Këshilli i Qarkut që ishte atëherë. Unë jam tani pa shtëpi, pa tokë, pa gjë dhe dua ta fitoj atë pronë.

Si rasti i zotërisë kemi edhe raste të tjera të ngjashme, që është për të ardhur keq. Ky defekt ka ardhur nga moskoordinimi i punëve ndërmjet institucioneve që merren me çështjet e pronësive, ndërmjet institucionit të Hipotekës dhe Komisionit të Kthimit të Pronave edhe Bashkive. Si veprohet? Zotëria me të drejtë ka marrë një leje ndërtimi, në vitet 1991-1992, pranë bashkisë ku ai banon dhe ka ndërtuar banesën e vet aty. Çfarë ka ndodhur? Në vitin 1993 kur fillon të veprojë Komisioni i Kthimit të Pronave, pa bërë verifikimet e duhura pranë Bashkisë, i ka kthyer pronën padrejtësisht ish-pronarit në këtë pjesë që ka ndërtuar zotëria.

Në të kundërt, pjesën ku kishte ndërtuar ky qytetar që ka marrë leje, duhej ta zbriste ose ta bënte zbritjen në plan-vendosje dhe ta kalonte për kompensim. Por në pjesën më të madhe kanë vepruar në të kundërt, d.m.th. edhe këtë pronë ia ka njohur pronarit të vjetër. Dhe tani, ky zotëria, që themi pronari i vjetër shkon dhe e regjistron në Hipotekë dhe merr certifikatën dhe shkojnë e përplasen në gjykatë. Kemi me qindra raste që përplasen në gjykatë dhe ky është defekt i institucioneve. Duhet të ndërhyhet me ligj në këto raste dhe t’i jepet të drejtë qytetarit që ka marrë leje në vitet 1991-1992. Kjo është përgjigjja e pyetjes.

Flas nga qyteti i Cërrikut. Firma që bën shtyllat e tensionit të Banjës na ka marrë tapitë e tokës dhe nuk na i kthen tapitë mbrapsht. I çuam tapitë dhe i dorëzuam te OSHT-ja në Tiranë dhe nuk na janë kthyer mbrapsht.

Siç fola edhe më sipër, që kemi të bëjmë me disa tituj pronësie, dhe me çfarë kuptuam, qytetari ka poseduar një akt të marrjes së tokës në pronësi dhe në pronën e zotërisë, OSHT-ja, ose KESH-i, ka ndërtuar shtyllën e tensionit të lartë për interesat e shtetit. Në këtë rast, qytetarit duhej t’i ishte dhënë shpërblim për pjesën e zënë nga shteti. Duhej të kishte marrë faturën dhe të merrte shpërblimin në bazë të çmimit që ka zona. Dhe, me sa kuptova, ky ishte shqetësimi. Zotëria duhet t’i drejtohet, të shkojë pranë zyrave të institucionit që është ndërtuar kjo shtyllë tensioni, te zyrat qendrore në Tiranë dhe të kërkojë dëmshpërblim nga shteti, për të marrë paratë e pjesës së tokës që është zënë nga OSHT-ja apo KESH-i, d.m.th. nga ndërmarrja elektrike. Kjo do të ishte zgjidhja për qytetarin.

Në Unazën e Re në Tiranë kemi porositur një shtëpi, në një firmë. Por po shkon mbi 10 vjet që s’po marrim certifikatën. Si mund të veprojmë?

Me të drejtë ngrihet ky shqetësim që qytetarët kanë një pronë, mund t’ia kenë dhënë një sipërmarrësi për të ndërtuar një pallat në tokën e tyre, kundrejt një shpërblimi sipas rastit. Zonja thotë 10 vjet, por unë do të thosha që ka raste që shkojnë edhe 15, ka raste edhe 20 vjet që akoma nuk kanë marrë. Çfarë ndodh? Firmat e ndërtimit, që marrin këto sipërmarrje, ndoshta mund të kenë lënë ose mund të kenë defekte në plotësimin e dosjeve që çojnë pranë Bashkisë ose gjoba të papaguara. Por edhe këtë e paguajnë qytetarët.

Nuk penalizohet firma, por qytetarët që presin nga 10 e 15 vjet për të marrë një certifikatë. Por është ndërhyrë sepse është bërë edhe një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës që këto çështje t’i zgjidhë Bashkia e Tiranës me një komision në bashkëpunim me Hipotekën e Tiranës ose edhe në rrethe hipotekat duhet të bashkëpunojnë me Bashkitë. Zonja në këtë rast duhet t’i drejtohet Bashkisë së Tiranës. Duhet të ketë një kontratë sipërmarrjeje, që të vërtetojë që është pronare në këtë pallat. Dhe aty do të marrë udhëzimet e duhura se si do të veprojë edhe pranë Hipotekës.

Kemi një shtëpi në Tiranë të sapolegalizuar dhe të regjistruar në Hipotekë dhe e kemi në dy emra. Desha të pyes ekspertin se si mund të veprojmë?

Zotëri, jeni bashkëpronarë?

Po, bashkëpronarë të tokës që kur e blemë.

Jeni familjarë, sepse kemi raste kur është babai me të birin apo jeni dy vëllezër ose dy kushërinj?

Jo, dy miq, dy krushq.

Dy miq, jeni dy krushq. Në periudhën post transicionit ka me qindra raste të tilla, që i ndeshim në punën tonë të përditshme, që qytetarët nga padituria, kanë shkuar pranë zyrave të legalizimit dhe duke qenë se ne shqiptarët bëhemi miq shpejt ose e kemi atë që ndihmojmë njëri-tjetrin në këto rrethana, dhe kanë aplikuar me një dokument të dy zotërinjtë, që në këtë rast janë krushq. Në këto raste dokumenti duhet të aplikohet pranë Hipotekës, siç është, sepse nuk mund të zhbëhet tani leja e legalizimit, sepse është bërë, ka marrë formë ligjore.

Kërkesa duhet të jetë nga të dyja palët. Merret një certifikatë e përbashkët, me dy emra. Pastaj shkohet tek eksperti topograf, ku bëhet pjesëtimi i pasurisë sepse mund të kemi raste që ndërtesa është dykatëshe, njëri banon në katin e parë, tjetri në katin e dytë. Atëherë bëhet ndarja e pasurisë në planimetri dhe në plan-vendosje dhe pas mbarimit të punës tek eksperti, shkojnë pranë një zyre noteriale, ku bën një deklaratë pjesëtimi vullnetar të pasurisë. Pas kryerjes së kësaj procedure, shkojnë në Hipotekë dhe zotërinjtë pajisen me certifikatë, pra gjithsecili merr certifikatën e vet. Këtu mbaron.

Jam një qytetar që banoj në rrugën “Ali Visha” Tiranë. Kam marrë një apartament në një pallat në këtë rrugë, që është ndërtuar nga ndërmarrja ime, nga një ndërmarrje ndërtimi. Në vitin 1994. Këtu katër apartamente janë të ndërmarrjes sime, shtatë janë të Bankës Bujqësore, dhe një e ka marrë Bashkia. Nuk ma regjistrojnë. Unë kam një autorizim nga ndërmarrja, kam dhe një kontratë, kam dhe të gjitha dokumentet që jam likuiduar me ndërmarrjen, i kam paguar paratë dhe nuk ma regjistrojnë.

Më duhet të të bëj një pyetje, zotëri. Keni bërë vërtetim pronësie për apartamentin kur keni bërë privatizimin në vitin 1994. E keni marrë nga Hipoteka e Tiranës?

Jo, nuk kam asgjë. Në Hipotekë ekziston i regjistruar apartamenti nga ndërmarrje ime.

Zotëria me të drejtë e ngre shqetësimin. Siç thashë edhe më parë, rastet janë me qindra. Kjo vjen edhe nga padituria që pjesa më e madhe e qytetarëve nuk janë marrë me çështjet e pronave ose po flasim, që në 50 vjet transicion në kohën e monizmit, prona u zhduk ose iu hoq qytetarit nga dora. Dhe në periudhën post transicion, një pjesë e qytetarëve u janë drejtuar studiove ligjore, ku kanë marrë edhe zgjidhje të shpejta të problemeve të tyre. Një pjesë i kanë lënë pas dore. Edhe zotëria duhej të ishte pajisur me vërtetim pronësie në 1994-ën, se në qoftë se ka hyrë në këtë apartament me një autorizim nga ndërmarrja ku ka punuar, normalisht që ka paguar edhe këstet sepse e ka blerë, zotëria duhej të ishte pajisur me këtë vërtetim.

Por, në rastin kur nuk e ka, qytetarin unë e mirëpres në studion time, edhe për teleshikuesit e tjerë, që kanë raste të ngjashme me këtë, por edhe raste të tjera, i mirëpres në studion time që ndodhet përballë Hipotekës së Tiranës, rruga “Panorama”, studio topografike ligjore “Bylis”, ku unë bashkë me ekspertët e mi do të mundohemi ta ndihmojmë ose t’i shpjegojmë dhe t’i japim rrugën e zgjidhjes këtij zotërie. Por edhe qytetarët e tjerë, që kanë problematika dhe nuk i zgjidhin dot me institucionet shtetërore, mund t’i drejtohen studiove ligjore të atashuara në territorin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, siç është edhe studioja ime, për të marrë shërbimin e kërkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat