I vdes nëna gjatë arrestimit, ja kërkesa e vëllezërve biznesmenë në gjyq

Shqipëria

I vdes nëna gjatë arrestimit, ja kërkesa e vëllezërve biznesmenë në gjyq

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 18:15
Ilustrim

Vëllezërit Agron dhe Kujtim Hysa, firma e të cilëve ka kryer punimet e rrugës që tahsmë po hetohet, e kanë pasur mjaft të vështirë qëndrimin në sallën e gjyqit. Kjo, pasi gjatë arrestimit të tyre mbrëmjen e së enjtes, nëna e tyre ka ndërruar jetë po atë natë.

Sipas avokatit të tyre, një gjë e tillë ka ardhur për shkak se e moshuara ka pasuar tronditje nga kontrolli i befasishëm në banesë që bëri policia. Avokati i vëllezërve Hysa, Rafik Gurra, me këtë argument kërkoi përjashtimin e prokurores nga çështja e rrugës Elbasan-Gjinar.

“Gjatë arrestimit, vëllezërve Hysa u ka vdekur nëna nga tronditja. Kush mban përgjegjësi për këtë, kush e dha këtë urdhër diktatorial?!”, ka deklaruar avokati Gurra.

Agron Hysa, administrator i shoqërisë “Vëllezërit Hysa” shpk, akuzohet për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.

E njëjta akuzë dhe për vëllain e tij, Kujtim Hysa. 

Një akuzë e tillë është ngritur dhe për Rezarta Bokçiu, administratore e shoqërisë “Arifaj” shpk, firmë e cila gjithashtu ka punuar në projektin e rrugës Elbasan-Gjinar.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona bashkë me dy ish-drejtorët e ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe Andi Toma si dhe supervizorin e rrugës, kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën 499.525.926 lekë (të reja, rreth 5 miliardë lekë të vjetra) të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistem Asfaltim Rruga e Gjinarit” dhe objekti nuk është realizuar, bëhet e ditur nga Prokuroria e Elbasanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat