Edi Rama: Jemi shumë pranë marrëveshjes me Greqinë

Shqipëria

Edi Rama: Jemi shumë pranë marrëveshjes me Greqinë

Më: 7 shkurt 2018 Në ora: 13:48
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë për gazetën greke “Ta Nea” u shpreh se nuk mund të imagjinohet që në shekullin e 21 disa njerëz nuk mund të hyjnë dot në Greqi, duke iu referuar çamëve. Sipas tij, “e njëjta gjë ekziston dhe për absurditetin e ruajtjes së Ligjit të Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, një fantazëm e gjallë e së shkuarës që qëndron pezull midis nesh, pasojat ligjore të të cilit krijojnë pengesa të padurueshme për qytetarët që përmenda më lart por edhe për shumë të tjerë”. Duke u ndalur te çështjet që po diskutohen mes dy vendeve, Rama vë në dukje se “jo vetëm që mund të zgjidhim çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të së shkuarës, por mund gjithashtu të gjejmë zgjidhjet më të mira për të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe të jemi pranë një marrëveshje për kufirin detar, e cila do të jetë e drejtë dhe për Shqipërinë dhe për Greqinë”.

Dy vendet janë në negociata për të zgjidhur çështje të ndryshme. Si Kryeministër e keni shtruar çështjen e çamëve. Çfarë kërkohet saktësisht nga Tirana??

Nga pala greke, kjo çështje është trajtuar si shfaqje e një agjendë të fshehtë nga ana jonë për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dua të jem tepër i qartë, ashtu sikurse jemi dhe me miqtë tanë në Athinë, që një pretendim i tillë territorial thjesht nuk ekziston. Nuk mund të jem dakord më shumë se kaq me ju përveç se çështje territoriale midis Greqisë dhe Shqipërisë nuk mund të ekzistojë. Burimet që e nxisin një fantazi të tillë, që nganjëherë gjejnë vend në cepat e skajshëm/ekstremë të skenës politike, kërcënojnë për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të minuar të ardhmen. Pra, duhet që të gjithë të kuptojnë qartë se për aq sa na takon ne këtu në Shqipëri “çështja e çamëve” ekziston vetëm si çështje themelore e të drejtave të bashkëpatriotëve tanë shqiptarë të cilët dikur jetonin në vendin tuaj, dhe asgjë më tepër. Sinqerisht nuk besoj se çdokush njeri i mençur do të ishte në kundërshtim me qëndrimin që ata njerëz gëzojnë të drejtën të udhëtojnë dhe të vizitojnë Greqinë ose që ata apo fëmijët e tyre duhet të kenë mundësinë për të fituar të drejtat mbi pasurinë në rrugë ligjore, ashtu sikurse natyrisht çdo qytetar evropian vepron. A mund ta imagjinoni sot në Evropën e shekullit të 21 që njerëz të plakur burra dhe gra në Shqipëri e kanë të ndaluar të kalojnë kufirin e Greqisë fqinje, sepse rrënjët e tyre janë nga një rajon i vendit tuaj? E njëjta gjë ekziston dhe për absurditetin e ruajtjes së Ligjit të Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, një fantazëm e gjallë e së shkuarës që qëndron pezull midis nesh, pasojat ligjore të të cilit krijojnë pengesa të padurueshme për qytetarët që përmenda më lart por edhe për shumë të tjerë.

Sa afër jemi me përcaktimin e AOZ-ve midis Greqisë dhe Shqipërisë?

Jam shumë i kënaqur që ndërsa do kemi rënë dakord, të ulemi në tryezë së bashku dhe të diskutojmë, me zemra dhe mendje të hapur, ashtu sikurse bëjnë popujt tanë të cilët jetojnë si fqinj, si në Shqipëri dhe në Greqi, jo vetëm që mund të zgjidhim çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptim të së shkuarës, por mund gjithashtu të gjejmë zgjidhjet më të mira për të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe të jemi pranë një marrëveshje për kufirin detar, e cila do të jetë e drejtë dhe për Shqipërinë dhe për Greqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat