“Greqisë iu falën 354 km2 det”, rrëfimi i negociatorit: E vërteta për marrëveshjen e 2009

Shqipëria

“Greqisë iu falën 354 km2 det”, rrëfimi i negociatorit: E vërteta për marrëveshjen e 2009

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 00:41
Kristaq Gerveni

Kundëradmiral në Rezervë, Kristaq Gerveni, anëtar i grupit të punës për marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009 sqaron opinionin publik se marrëveshja u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese për shkak të manipulimit të opinionit publik, por dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë në vendimmarrje. Ai i jep përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura për atë marrëveshje, ndërsa shprehet se në janar 2011, Ministria e Jashtme iu drejtua për ekspertizë një studioje të huaj ligjore (Dewey & LeBoeuf LLP), e cila nuk konstatoi shkelje në marrëveshjen në fjalë.

Duke folur për marrëveshjen që po negociohet tani, Gerveni shprehet se deklarata e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, për zgjerimin në 12 milje detare, përbën shqetësim legjitim. Ai hedh dyshime se koha e shkurtër që palët kanë në dispozicion për përfundimin e marrëveshjes së re, nuk premton për diçka pozitive.

“Deklaratat e bëra nga nivelet politike se deri në prill (në vetëm tre muaj) do të arrihet “një marrëveshje shumë herë më e mirë se ajo e vitit 2009” duket shumë optimiste për të qenë e vërtetë. Ende nuk ka një grup negociator që të diskutojë në nivelin teknik. Kujtoj që ekipi ynë zgjati diskutimet gati dy vjet. Gjithsesi, duke qenë i bindur se në Marrëveshjen e Detit 2009, kemi marrë aq sa na takon në bazë të Konventës mbi të Drejtën e Detit, i uroj suksese ekipit të ri negociator”, shprehet kundëradmiral Gerveni.

KRISTAQ GERVENI

Qëllimi kryesor i këtij shkrimi është sqarimi i publikut të gjerë për të vërtetën e Marrëveshjes së Detit të vitit 2009. Pa u futur larg në histori, çështja e ndarjes së kufirit detar me Greqinë, mori shkas nga kërkesa e shoqërisë së naftës MEDOIL, për kërkimin e naftës dhe gazit në bllokun JONI 5, në Shtator 2006. Bazuar në të drejtën ndërkombëtare, shtetet nuk mund të fillojnë shfrytëzimin e burimeve ujore dhe nënujore, pa përcaktuar më parë kufirin detar. Në këto kushte, me Urdhër nr. 135, dt. 23.08.2007, u ngrit grupi ndërinstitucional i punës për delimitimin dhe përcaktimin e Shelfit Kontinental me Greqinë.

Marrëveshja e arritur është mbështetur plotësisht mbi parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, kryesisht në Konventën mbi të Drejtën e Detit, të vitit 1982 (ku dy vendet janë palë), në praktikat dhe eksperiencat më të mira të vendeve të tjera që kanë nënshkruar marrëveshje të ngjashme dhe po ashtu në vendime gjyqësore ndërkombëtare të marra në këtë fushë. Neni 15 i Konventës përcakton se kur dy shtete janë të vendosur ballë për ballë, përveç rasteve kur është rënë dakord ndryshe, deti territorial nuk mund të shtrihet përtej vijës së mesme, çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pika më e afërt nga vija bazë.

Termat janë teknikë, por i përgjigjen ekzaktësisht situatës ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në bisedime, vendosëm të zbatojmë parimin e baraslargësisë, d.m.th. përcaktimin e një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare. Nisur nga eksperiencat ndërkombëtare të përshkruara pak më sipër, kjo metodë cilësohet si më e përshtatshmja dhe më e përdorshmja. Në kushtet kur ligjërisht nuk kemi shpallur vijë bazë, si pika referimi kemi marrë kepet më të dala të bregdetit.

Pra, vija e mesme përmban 150 koordinata që dalin nga bashkimi i qendrave të rrathëve, tangjent me pikat më të dala. Të njëjtat pika referimi u përdorën dhe nga pala greke. Duke ditur qartësisht peshën dhe përgjegjësinë në bisedime, e vlerësova maksimalisht këtë detyrë, sikurse dhe anëtarët e tjerë të grupit të punës. Në dispozicion të bisedimeve, për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm, vura eksperiencën, përkushtimin dhe kualifikimin tim. Për të pasur informacionin e plotë, u studiuan shumë materiale, udhëzuese detare, harta.

Personalisht, kam parë nga afër me sy çdo kep, gji, shkëmb në Kanalin e Korfuzit, deri ne Gjirin e Ftelias në Jug, ku fillon kufiri detar. Qëllimi ishte që para se të fillonim bisedimet, përveç hartave, të shihnim edhe me sy vende si shkëmbinjtë Serpa dhe Barketa të Greqisë, që janë të vegjël, por luajnë rol të rëndësishëm si pika referimi për matjet. Në tavolinën e bisedimeve, jemi ulur të barabartë me palën greke. Që në fillim, ngulëm këmbë në kërkesën tonë që gjatë negociatave, për bazë të merrej sistemi( GEODETIC WGS 84).

Pala greke pranoi dhe u vazhdua me të. E njëjta gjë edhe për njohjen e gjireve tona të mbyllura. Ashtu siç dihet, marrëveshja u nënshkrua më 27 Prill 2009 nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve. Më pas, vazhdoi procedurën për t’u miratuar në Kuvend. Pasi ishte aprovuar në Komisionin e Ligjeve, në adresë të marrëveshjes filluan të shfaqen në media tituj me natyrë sensacionale si, “Marrëveshje sekrete…”, “… si i falën Greqisë 225 km2 hapësirë”, “…ka ekzistuar kufiri i vjetër”, “…tregohen harta në gjuhën greke” e shumë të tjera.

Nuk e di se për çfarë arsye, persona që ushqenin median me të dhëna që kundërshtonin marrëveshjen, nuk pranuan të ballafaqoheshin me ekipin negociator e për rrjedhim të merrnin përgjigjet për të gjitha pretendimet, por zgjodhën rrugën e organizimit të protestave. Madje, grupi negociator, i bëri ftesë zyrtare autorit kryesor të shkrimeve me qëllim sqarimin e qëndrimeve. Ftesa u refuzua. Në kushtet e një problemi të mprehtë, shumë të ndjeshëm në çështje të tilla nga njëra anë dhe një marrëveshjeje me shumë elementë teknikë nga ana tjetër, nuk ishte i vështirë manipulimi i opinionit publik.

Në këtë situatë, me nismën time dhe me mbështetje të plotë të ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe (Shtator-Tetor 2009), ndërtuam një “Plan për Sqarimin e Publikut”, dhe konkretisht:

– U organizua takim me oficerë dhe civilë të kualifikuar në SHBA, e vende të tjera perëndimore, të cilët kishin njohuri për Konventën mbi të Drejtën e Detit dhe ligjet e tjera.

– U organizua një takim me drejtuesit e mediave më kryesore në vend.

– Në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, u organizua takim me mediat, studiues, intelektualë dhe studentë në Universitetin Europian të Tiranës.

– U zhvillua debat në nivelin teknik, në emisionin “OPINION” në TV KLAN. U sqaruan pyetjet, dyshimet, shqetësimet e shumta të shprehura në mënyra të ndryshme.

Pas kësaj veprimtarie, problemi po pasqyrohej shumë më pak në media. Dhe publiku dukej më i qetë. Por, ashtu siç dihet tashmë, më 20 Tetor 2009 çështja u fut në shina politike, kur një grup partish politike i bëri kërkesë Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes. Vendimi i Prillit 2010 i Gjykatës Kushtetuese për deklarimin si të papajtueshme me Kushtetutën të marrëveshjes, tashmë është i njohur.

Sigurisht, vendimi i Gjykatës ka vlerën e vet absolute ligjore, por kjo nuk do të thotë që si negociator në këtë marrëveshje të mos i paraqes pretendimet e mia hapur edhe për publikun e gjerë. Po cilat ishin pretendimet kryesore ndaj marrëveshjes dhe a qëndrojnë ato?

– Mungesa e plotë e transparencës. Nuk qëndron. Media është njohur me përmbajtjen e marrëveshjes dhe i është dhënë shpjegime sa herë është kërkuar.

– Plotfuqishmëria e Grupit të Punës. Nuk qëndron. Plotfuqishmëria i jepet atyre personave që nënshkruajnë, dhe jo atyre që kanë për detyrë thjesht përgatitjen e draft-marrëveshjes. Grupi i Punës nuk nënshkroi.

– Ka ekzistuar kufiri i vjetër. Nuk qëndron. Nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve të depozituar në OKB. Në Protokollin e Firences 1925, “Kufiri Greko-Shqiptar” (faqe 10) ka të shkruar vetëm një fjali për kufirin detar: “Gjatë vijës detare, në Gjirin e Ftelias, kufiri drejtohet sipas një vije normale, në drejtimin e përgjithshëm të bregdetit deri në buzën e ujërave territoriale, duke lënë në Shqipëri ishullin e vogël Tongo”.

– Është neglizhuar Gjiri i Sarandës. Nuk qëndron. Rrathët tangjent nuk afrohen tek dy kepet kufizuese të gjirit, Kepi Paladhes dhe Kepi Denta, por kalojnë nga ana e detit.

– Nuk duhej të merrej si pikë referimi Shkëmbi Barketa. Nuk qëndron. Neni 6 dhe Neni 121 i Konventës të detyrojnë që shkëmbinjtë në fjalë të merren si pika referimi, njëlloj sikurse janë marrë në konsideratë ishujt tanë të vegjël Tongo dhe Stillo.

– Greqia duhej trajtuar si vend arkipelag. Nuk qëndron. Greqia nuk është vend arkipelag, pasi nuk është vend i përbërë vetëm nga ishuj. Madje, po të trajtohej si i tillë, vendi ynë do të humbiste hapësirë detare.

– Greqisë i është falur 354.4 km2 det. Nuk qëndron. Nuk ka asnjë metër katror të falur. Për të mashtruar publikun, u devijuan koordinatat e caktuara në marrëveshje. Pika 150 ishte spostuar rreth 20 km në drejtim të bregdetit tonë. Devijimet në këtë rast ishin të qëllimta për përfitime personale, apo të natyrës politike.

– Mungon harta shoqëruese. Nuk qëndron. Neni 16 i Konventës thotë: “Shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të tilla të koordinatave gjeografike dhe do t’i depozitojnë një kopje të secilës prej hartave ose listave të tilla tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se. Ne kemi përzgjedhur listën e koordinatave. Duke njohur mprehtësinë dhe rëndësinë e problemit, në janar 2011, Ministria e Jashtme iu drejtua për ekspertizë një studioje të huaj ligjore ( Dewey & LeBoeuf LLP). Kjo e fundit nuk konstatoi shkelje në marrëveshjen në fjalë.

Duke përfunduar, theksoj se asnjë nga pretendimet e ngritura nuk qëndron. Duke mos gjetur arsye serioze për rrëzimin e marrëveshjes, ndërhyrja për përfitime politike me qëllim manipulimin e ndjesive të publikut, futja edhe e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë në vendimmarrje, janë arsyeja e vetme e rrëzimit të marrëveshjes. Debati i ndezur i ditëve të fundit për deklaratën e ministrit të Jashtëm grek për zgjerimin në 12 milje detare, përbën shqetësim legjitim.

Deklaratat e bëra nga nivelet politike se deri në prill (në vetëm tre muaj) do të arrihet “një marrëveshje shumë herë më e mirë se ajo e vitit 2009” duket shumë optimiste për të qenë e vërtetë. Ende nuk ka një grup negociator që të diskutojë në nivelin teknik. Kujtoj që ekipi ynë zgjati diskutimet gati dy vjet. Gjithsesi, duke qenë i bindur se në Marrëveshjen e Detit 2009, kemi marrë aq sa na takon në bazë të Konventës mbi të Drejtën e Detit, i uroj suksese ekipit të ri negociator.

Titulli origjinal i autorit: E vërteta e Marrëveshjes së Detit 2009

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat