Arratisja nga gjykata, nëna e Saimirit: Tentoi vetëvrasjen, iu fut një i tretë në mes

Shqipëria

Arratisja nga gjykata, nëna e Saimirit: Tentoi vetëvrasjen, iu fut një i tretë në mes

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 13:40
Saimir Ahmeti

Për Thoma e Pranvera Ahmeti, prindërit e 24-vjeçarit Saimir Ahmeti, që u arratis nga mjediset e Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, ndërsa dënojnë veprimin e birit të tyre, shprehen se djali i tyre është i pafajshëm.

Ata akuzojnë nënën e ish-bashkëshortes së tij si përgjegjëse për krijimin e të gjithë kësaj historie. “Djali ndodhet në këtë situatë për shkak të nënës së vajzës që djali e pati nuse për 8 muaj. E morëm me dasmë edhe pse pa dëshirën e së ëmës. E morëm me dasmë se ata duheshin dhe se nusja, Bleona, erdhi vetë në shtëpi te ne”, shprehet nëna e 24- vjeçarit nga Delvina.

“Unë nuk kisha se pse t’ia prishja dëshirën djalit. E kam të vetëm mes dy vajzave. Nuk pyes për asgjë, vetëm për shëndetin e djalit. Djali im e bëri atë vetëm nga frika”, shprehet Pranvera Ahmeti. Ajo tregon se pasi çifti vendosi të ndahej, vajza kërkoi që të rilidheshin sërish.

“Vajza ka qëndruar 4 muaj, nuk e di se kush iu fut një i tretë dhe i thotë mos rri me Saimirin. Ajo është e vogël, është vajzë e shkëlqyer. Djali i thotë ok, s’do të jetosh me mua, në rregull. E ka përcjellë deri 30 metra larg shtëpisë së saj sepse ne jemi shumë afër me njëri-tjetrin. Pasi iku nusja, i thashë djalit do ikësh në Greqi. Por Bleona filloi t’i shkruajë mesazhe në telefon ku i kërkon ribashkim. I shkruante Saimir hajde se unë nuk duroj dot pa ty. Dhe djali, ngaqë duheshin, erdhi. Por ata i kishin bërë komplot, mamaja me një të tretë na e bëri këtë gjë. I bënë djalit kurth”, thotë nëna e Saimirit për "Panorama".

Pranvera Ahmeti shton se, pas seancës së parë gjyqësore, ish-vjehrra e Saimirit është penduar dhe u shpreh dakord për normalizimin e marrëdhënieve mes të rinjve si dhe kërkoi që 24-vjeçari të mos ndiqet më penalisht, por prokurori dhe gjykata lanë në fuqi vendimin për “burg pa afat”.

Ndërsa, shprehet se i biri është zhytur në depresion nga kjo histori. Thotë se Saimiri ka hyrë në pus jo për t’u fshehur, por në tentativë për të kryer vetëvrasje. “Djali iku nga mendja, kaloi në depresion, madje vajti për t’u mbytur në pus. Dhe djalin e kam akoma në depresion”, thotë e ëma e Saimirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat