Dëbora bllokon disa rrugë të vendit, ja ku kalohet me zinxhirë

Shqipëria

Dëbora bllokon disa rrugë të vendit, ja ku kalohet me zinxhirë

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 20:18
Foto ilustrim

Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa nga qarqet e vendit. Mësohet se në qarkun e Kukësit dëbora në disa zona ka arritur në 40 centimetra.

Akset rrugore kombëtare që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën “pushtetin” e borës dhe efektin e rënies së gurëve, dherave skarpateve.

Në Rrugën e Kombit janë angazhuar katër mjete borëpastruese dhe katër të tjera janë në gatishmëri. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash shkon deri në 20 cm.

Gjithsej nga firmat kontraktore janë vënë në punë 16 mjete 10 në gatishmëri me 64 punëtorë. Të bllokuara janë rrugët në disa fshatra, si Lojmë, Arrën, ndërkohë që pa energji elektrike ka mbetur njësia administrative Llugaj në Tropojë.

Ndërkaq, reshjet e dëborës kanë krijuar probleme në juglindje të vendit, duke krijuar probleme në qarkullim. Policia bën të ditur se në aksin rrugor Orenjë-Librazhd dhe Përrenjas-Qafë Thanë kalohet vetëm me zinxhirë.

Mjetet borëpastruese po punojnë për të mbajtur të hapur aksin nacional, por edhe segmentin që të çon në doganën e Qafë Thanës.

Edhe aksi Fushë Studen-Steblevë është i bllokuar nga bora prej rreth 50 cm. Në këtë zonë po punon subjekti kontraktor për hapjen e këtij segmenti rrugor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat