Ligji i ri i strehimit, 14 kategoritë që marrin shtëpi dhe bonus qiraje - Bota Sot
Ligji i ri i strehimit, 14 kategoritë që marrin shtëpi dhe bonus qiraje

Shqipëria

E martë, 23 tetor 2018

Ligji i ri i strehimit, 14 kategoritë që marrin shtëpi dhe bonus qiraje

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 08:38
Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në parim projektligjin “Për strehimin social”. 

Me nismën e re të qeverisë, janë 14 kategori të listuara si prioritare, që do të përfitojnë nga programi i “Strehimit social”, duke marrë banesa apo bonos qiraje, shkruan “Panorama”.

Sipas projektligjit, me përparësi do të trajtohen kërkesat e personave me aftësi të kufizuara, individët që kanë statusin e jetimit, që kanë dalë nga qendrat e përkujdesjes së shoqërisë deri në moshën 30 vjeç. 

Familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave të ish-pronarëve, emigrantët e rikthyer në Shqipëri apo edhe ata, që kanë aplikuar si azilkërkues.

Po ashtu, kategori që do të trajtohen me prioritet, do të jenë familjet e policëve të rënë në detyrë, familjet e reparteve të FNSH-së dhe RENEAS. Projektligji ri trajton me precedencë dhe kërkesat e komunitetit gay, lesbike, biseksuale, transgjinorëve (LGBT). Nisma në fjalë është miratuar vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi deputetët e opozitës kanë ngritur një sërë shqetësimesh për projektligjin.

Kreu i Republikanëve, ka quajtur si të papranueshëm detyrimin e sipërmarrësve që të dhurojnë me detyrim 50 metra katrorë për banesë sociale, për çdo 2 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi. Ndërkohë që debat ka shkaktuar dhe mënyra se si do të verifikohen pjesëtarët e komunitetit LGBT, të cilët kërkojnë strehim social.

Në emër të PD, Gent Strazimiri i ka quajtur socialistët si “sovjetik” që janë bërë miliarderë. “Kur mblidhet KPD-ja juaj, një makinë është 100 mijë euro. E për çfarë mblidhen për të diskutuar programe sociale për të ndihmuar të pamundurit. Këto s’ua ha njeri”, ka thënë ai.

DISKUTIMI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Fatmir Mediu: Aktin e bamirësisë ju e konsideroni si akt detyrues apo personal i vetëdijes së qytetarit për të bërë një veprim bamirësie dikujt. Më thoni, çfarë ndryshimi ka mes taksimit të detyrueshme të ’45-ës së Enver Hoxhës me këtë që i bëni ju bizneseve që i thoni në 2 mijë metra katrorë do i jepni 50 metra katrorë për interesa sociale. Më thoni kë praktikë botërore keni ndjekur ju që për të marrë një leje ndërtimi, të jeni të detyruar të jepni një pjesë të sipërfaqes ndërtimi. Në çfarë raporti është kjo që bëni ju me të drejtën e pronësisë. Në çfarë legjislacioni e keni parë ju, që mund t’i ndërhyni në të drejtën e pronësisë një investitori, duke e detyruar atë që për shkak të nevojës për të marrë leje të bëjë një veprim të tillë…

Doris Andoni: Është marrë si shembull nga legjislacioni i disa vendeve. Doja të përmendja legjislacionin e SHBA-ve. Ky instrument njihet me termin “zonimi përfshirës”. Është instrument që detyron sektorin privat për të siguruar nga 10- 30% të sipërfaqes së ndërtimit për programet sociale. Doja t’ju përmendja rastin e Francës ku zhvilluesit janë të detyruar të sigurojnë 25% të sipërfaqes, rastin e Irlandës dhe Spanjës. Në variantin që ne kemi paraqitur, kjo është shprehur në përqindje. Çdo sipërfaqe mbi 2 mijë metër katrorë, zhvilluesi duhet të sigurojë 2.5% të sipërfaqes për programe sociale. Në këto ndërtime masive që po ndodhin në Tiranë, 2.5% e sipërfaqes së ndërtimit do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm për të siguruar banesa sociale dhe njëkohësisht për të bërë shpërndarje të mirë të këtyre banesave që mos të kemi grumbullime në një zonë të vetme të investimeve.

Enkelejd Alibeaj: A nuk është kjo një skemë e zyrtarizmit të korrupsionit me lejet e ndërtimit? Ku drejtuesi i pushtetit vendor do të klientelizojë procesin më të rëndësishëm investues atë të dhënies së lejeve të ndërtimit? Kjo ndodh zakonisht në Tiranë. Mos është kjo një skemë dhe ju po i jepni një bekim, një skemë të pastrimit të parave të drogës!

Vasilika Hysi: Ti do kanabisin, por nuk bëhet kanabis me njerëzit në nevojë…

Silva Caka: Ju keni parashikuar që një nga kategoritë që do të përfitojnë janë individët e komunitetit LGBT. Keni përcaktuar një mënyrë verifikimi nëpërmjet administratorit shoqëror. Si mendoni që do t’i identifikoni personat që i përkasin këtij komuniteti? Jo, se kam ndonjë gjë kundër, por në qoftë se ne nuk e përcaktojmë mirë se si do t’i verifikojmë individët e LGBT, nuk ju krijon dhe juve bindjen se mund të shërbejë si një mënyrë për t’u bërë pastaj arbitrare. Mënyra se si do të aplikohet dhe si do të krijohet bindja etj.. Pra, është një pikë që lë dyshime.

Mariana Semini: Si identifikohen LGBT-të, ne në grupin e punës kishim dhe ekspertë ndërkombëtarë. Në këto raste u tha që o është me vetë deklarim, ose është me verifikim të vogël që lidhet me bashkëjetesën apo elementë të ngjashëm. Nuk bëhet personifikimi i një karakteri tjetër. Nëse ju keni ide të tjera, mund të plotësohet.

Ulsi Manja: Pyetja ishte, nëse mund të kthehet në mjet abuzimi apo jo?

Silva Caka: Ky verifikimi, sa i vërtetë do jetë. Kush e verifikon vërtetësinë e vetëdeklarimit? A nuk mendoni se do të jetë një formë e madhe abuzimi.

Merita Xhafaj: Në qoftë se do flasim për një grupim vulnerabil si LGBT-të, duhet të kemi të njëjtin kontekst, sikurse janë për grupimin e komuniteteve rom dhe egjiptian. Edhe komuniteti Rom dhe egjiptian janë me vetëdeklarim, e njëjta procedurë është dhe për komunitetin LGBT.

Gent Strazimiri: Me këtë ligj përfitojnë individë viktima rrethanash fatkeqe, me aftësi të kufizuara, të pamundur po për shkak të rrethanave fatkeqe që nuk varen prej tyre. Më bën përshtypje përfshirja e përfaqësuesve të repartit FNSH dhe RENEA, si dhe individë të komunitetit lesbikeve, gejve, biseksualëve dhe transgjinorëve. E konsideroni përkatësinë te repartet e FNSH dhe RENEAs, apo zgjedhjen e tyre për të qenë të ndryshëm seksualisht nga të tjerët si një paaftësi, rrethanë fatkeqe?!

Mariana Semini: Patjetër mund të shtohen dhe kategoria e zjarrfikësve në këtë projektligj.

Merita Xhafaj: Pse janë futur në kategoritë përfituese punonjësit e RENEAS apo LGBT-të, janë dy kategori të ndryshme. Ka politika të brendshme shteti shqiptar. Në qoftë se personave LGBT në bazë të konventave ndërkombëtare duhet t’i plotë- sojmë kushtet për strehim të domosdoshëm social, pjesa tjetër ka të bëjë me politikat e brendshme që ndjek shteti shqiptar. Si mundet të vetëdeklarohen? Konfirmimin e bëjmë ne, shoqata ka, janë të listuara. Personat dhe pse jetojnë prapë në një terren jo shumë të përshtatshëm nga të gjitha anët, për një kategori të njerëzve me orientim të ndryshëm seksual, ne kemi një plan veprimi për integrimin e kësaj kategorie dhe një nga nevojat e këtij plani është pajisja me banesë sociale.

KATEGORITE QE PERFITOJNE

NENI 15 Kushtet sociale, në bazë të të cilave përcaktohen me përparësi:

i. personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;

ii. individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç;

iii. familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve;

iv. emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe azilkërkuesit;

v. familjet e policëve të rënë në detyrë;

vi. punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH);

vii. punonjësit e repartit RENEA;

viii. viktimat e dhunës në familje;

ix. viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

x. anëtarët e komunitetit rom;

xi. anëtarë të komunitetit egjiptian;

xii. të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit;

xiii. vajzat nëna;

xiv. individët nga komuniteti i lesbikeve, gay-ve, biseksualëve dhe transgjinorëve (LGBT), sipas rezolutës nr.6, datë 7.5.2015, “Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT”.

ç) Kushtet ekonomike, në bazë të të cilave përcaktohen familjet, sipas grupeve të të ardhurave, të përcaktuara në këtë ligj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test