Harxhi: Çamët nuk i rifitojnë pronat

Shqipëria

Harxhi: Çamët nuk i rifitojnë pronat

Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 14:38
Edit Harxhi

Ish-zëvendësministrja e Jashtme, eksperte për çështjet e jashtme, Edit Harxhi, ka komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ku i bënte presion Shqipërisë të hiqte fjalën ‘Çamëri’ nga tekstet shkollore dhe hartat gjeografike.

E ftuar në studion e Report Tv, Harxhi e cilësoi deklaratën e Kotzias shumë serioze, duke shtuar se çamët nuk do t'i rifitojnë pronat dhe se kjo është një retorikë boshe që bëhet nga politika shqiptare. Sipas saj, çamët nuk mund të rikërkojnë pronat, për arsye se hipotekimi i pronave në Greqi është mbyllur më 2007-2008.

"Deklarata e Kotzias shumë serioze, ishte e pritshme, situata mes dy vendeve mjaft sensitive. Deklarata ishte e pritshme, pasi grekët e kanë paralajmëruar prej javësh, që ata kërkojnë në këmbim të ligjit të luftës të hiqet termi ‘Çamëri’. Ligji i luftës është shumë i rëndësishëm për çështjen çame. Shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë asnjë kërkesë territoriale ndaj Greqisë, por kanë thënë që njohin kufijtë aktual, që Greqia të njoh Çamërinë, që është popull autokton.

Vetëm pjesa e çamëve ortodoksë ka mbetur në Greqi. Teza jonë ka qenë gjithmonë që çështja çame të trajtohet si parësore politike. Jam kundër Ramës që të trajtohet si çështje të drejtave të njeriut. Ajo do mbetet e pazgjidhur për një kohë të gjatë. Edhe një traktat miqësie që ka qenë nuk do ta zgjidhë çështjen çame për sa kohë trajtohet si e të drejtave të njeriut, ajo është çështje politike.

Greqia nuk njeh minoritet të veçanta etnike, ajo njeh vetëm minoritetet fetare. Shqetësuese është imponimi dhe presioni nga Greqia për heqjen e fjalës ‘Çamëri’, që është akoma më e rëndë. I bie që ne mos t’i kërkojmë Greqisë të heqë fjalën vorio-epir, edhe pse nuk ekziston. Për ne Çamëria gjithmonë ka ekzistuar dhe do ekzistojë, pasi ka ende çamë të mbetur gjallë.

Kjo është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Pas kësaj deklarate nuk e kuptoj çfarë mund të diskutohet më me ta. Na kthejnë pas këtu e në kohën e ’45-46. Marrëveshjet që janë arritur deri tani kanë të bëjnë me toponimet, emërimet e qyteteve greke. Para ca vitesh, ne sugjeruam të bënim atë që bënë turqit me grekët, për t’i vendosur të dyja emërtimet. Çështja e njohjes së patentave është bërë rëndom kudo tani. Jam e sigurt që edhe aty grekët nuk do ishin kundër saj, pasi kanë shumë shqiptarë që jetojnë aty, rreth 800 mijë. Pra do zgjidhjet se është në interes të tyre.

Pra çfarë mbeten pa zgjidhur, janë çështjet parësore, njohja e kufirit, ligji i luftës dhe çështja çame. Grekët nuk e kanë pranuar protokollin e Firences, ndaj dhe nuk mund të flitet për ujërat me ta. Nuk ka pasur transparencë në negociatat Kotzias-Bushati, nëse e krahasojmë me negociatat që bëmë ne më 2008-2009, edhe atëherë kishte ngurtësi në transparencë, pasi këto janë çështje shumë sensivite, por kishte transparencë.
Ekipi negociator shqiptar duhet të merrte një grup ekspertësh jashtë Ministrisë së Jashtme, është praktikë e njohur ndërkombëtare. Kur futesh në negociatë, ti do të japësh kërkesa maksimaliste, duke vendosur hierarkinë e tyre, cila është më e rëndësishme. Ministria nuk e ka bërë këtë, për kërkesat nuk e dimë çfarë ka paraqitur", tha Harxhi.

Çamët duhet të gëzojnë pronat ..

Nuk e rifiton pronën, kjo është një retorikë boshe që bëhet në Parlament. Kjo bëhet për të fshehur të vërtetën, çamët nuk mund të rikërkojnë pronat, për arsye se hipotekimi i pronave në Greqi është mbyllur më 2007-2008. Në atë kohë u bë thirrja e fundit për hipotekimin e pronave, dhe atëherë nuk ka ndodhur, pasi çamët nuk lejoheshin të hynin në Greqi, pasi në pasaportën e tyre nuk e kanë të shkruar “margëriti”, por ‘margëllic”.
Traktati i miqësisë nuk i trajtoi sa duhet çështjet e pronave. Çështja çame nuk është çështje pronësore, jo thjesht çështje e të drejtave të njeriut, pasi çamët do gjenin pa fund raste që mund të përdoren si precedentë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Është një çështje politike, ata janë një minoritet etnik.

Kufiri detar, 12 milje shtrirje të Greqisë, a është marrëveshje e duhur?

Është marrëveshje që cenon shumë Shqipërinë. E udhës do ishte ose kjo të dërgohej në gjykata ndërkombëtare, Hagë, Arbitrazh ose Hamburg, ku çohen çështjet e detit. Pala greke nuk ka qenë e interesuar ta çonte atje, por duhet të ishte insistim i palës sonë. 12 milje nuk bëhet fjalë për kanalin e Korfuzit, kalojnë në ujëra të tjerë, në pjesën që e kap më shumë kanali i Otrantos. Termi që kemi shitur detin arrin deri në vulgaritet, unë them që kemi hequr dorë nga burimet natyrore. Greqia e përdor këtë si precedent ndaj Turqisë dhe kjo është shumë e rrezikshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat