Refuzohet lista e tretë e Qeverisë për gjyqtarin e Shqipërisë në Strasburg, mes tyre kunati i Xhafës - Bota Sot
Refuzohet lista e tretë e Qeverisë për gjyqtarin e Shqipërisë në Strasburg, mes tyre kunati i Xhafës

Shqipëria

Refuzohet lista e tretë e Qeverisë për gjyqtarin e Shqipërisë në Strasburg, mes tyre kunati i Xhafës

Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 10:59
Kristaq Traja

Qeveria shqiptare ka “harruar” të zëvendësojë gjyqtarin e Shqipërisë në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut, vend për të cilin prej rreth një viti e gjysmë është shpallur vakanca.

Në këtë funksion vazhdon të qëndrojë gjyqtari Ledi Bianku, mandati i të cilit ka mbaruar zyrtarisht që në janar të vitit 2017. Qeveria tentoi të dërgojë në Strasburg tri lista me emra kandidatësh, por këto lista i janë refuzuar.

I kontaktuar nga “Panorama”, njëri prej anëtarëve të Komisionit Ad Hoc, i cili ka bërë seleksionimin e kandidaturave, Kristaq Traja, tha se ky komision nuk është mbledhur më që prej rrëzimit të listës së tretë. Traja ka qenë gjyqtar në Strasburg para se të dërgohej Ledi Bianku. “Kam qenë anëtar i komisionit prej pesë anëtarësh, por s’jemi mbledhur fare. Nga pikëpamja institucionale nuk ka absolutisht asgjë. Është vetëm lista e tretë që u kthye nga Strasburgu dhe që nga ai moment nuk jemi mbledhur. Lista është dërguar që para Vitit të Ri. Nuk ka asnjë lëvizje nga komisioni këtu. Bile, nuk di nëse ka komision të ri apo jo”, tha ish-gjyqtari i Gjykatës së Drejtave të Njeriut, Kristaq Traja.

LISTAT

Por cilët janë emrat e kandidatëve që ka dërguar qeveria shqiptare në Gjykatën e Strasburgut. Në të gjitha listat figuron emri i ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi, ky i fundit është sulmuar nga opozita se është kandidaturë e mbështetur nga qeveria, pasi është kunati i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në të tri listat, emri i Berberit është refuzuar nga Këshilli i Europës. Në raundin e parë, qeveria shqiptare dërgoi emrin e kandidatëve Sokol Berberi, në atë kohë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Ina Rama, ishkryeprokurore, aktualisht gjyqtare pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe emrin Gent Ibrahimi, aktualisht i zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.Një vit më parë, procesi i përzgjedhjes është “zbuluar” nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka denoncuar qeverinë Rama se po kërkon të emërojë si gjyqtar i Shqipërisë në Strasburg, kunatin e Fatmir Xhafës.

“Kunati i Xhafës së drogës emërohet për gjyqtar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg! Pas farsës formale, në një proces tërësisht jopublik dhe jotransparent, Edvini, i lidhur kokë e xhep me Xhafën e drogës, ka përzgjedhur Sokol Berberin, ndërkohë që rekomandimet e Strasburgut të vitit 2009 janë për një proces të hapur dhe transparent”, ka thënë Berisha në reagimin e tij.Por pasi ky debat mori tone politike, qeveria ka reaguar me anë të portalit “transparenca.al”, që sot ka dalë jashtë funksioni. Në këtë reagim theksohet se nga 11 kandidatura, Komisioni Ad Hoc përzgjodhi tre kandidatët, Ina Rama, Sokol Berberi dhe Gent Ibrahimi, ndërkohë që Strasburgu e rrëzoi këtë listë si të papërshtatshme. Më pas, qeveria shqiptare dërgoi një tjetër listë me kandidatë për në Strasburg, ku ishte sërish Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Aleksandër Muskaj.

Por edhe kjo listë, në muajin prill të vitit 2017, u rrëzua sërish nga Këshilli i Europës. Qeverisë shqiptare iu kërkua të dorëzojë tri kandidatura të reja brenda 31 gushtit të këtij viti. Dhe në listën e tretë u dërgua nga qeveria Rama, emri i Sokol Berberit, Suela Mënerit dhe Irakli Koçollarit, por dhe kjo listë u refuzua sërish. Në raportet e publikuara nga Këshilli i Europës theksohet se kandidaturat e dërguara nga qeveria shqiptare dhe procedura e përzgjedhjeve të tyre nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara nga Asambleja e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

LISTA E PARË Sokol Berberi, Ina Rama dhe Gent Ibrahimi

LISTA E DYTË Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Aleksandër Muskaj
LISTA E TRETË Sokol Berberi, Irakli Koçollari Suela Mëneri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test