Energjia e rinovueshme, kush përjashtohet nga TVSH-ja

Shqipëria

Energjia e rinovueshme, kush përjashtohet nga TVSH-ja

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 08:20
Ilustrim

Nxitja e invesitmeve në energjetikë, nga burimet e rinovueshme, pritet që të bëhet përmes një lehtësimi tjetër që aktualisht është në fazë diskutimi në qeveri.

Nuk bëhet fjalë për një poltikë të re pasi përjashtimi nga TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet që është në objekt të diskutimit është aplikuar prej vitesh veçse në këtë rast theksi vihet tek mirëpërcaktimi i investimeve që përfitojnë nga kjo lehtësi.

Burime nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thanë për Monitor se drafti që do të sanksionojë mënyrën sesi do të zbatohen ndryshimet në ligjin për TVSH-në ka bërë një përcaktim më të vlerës së investimit dhe fuqisë së instaluar.

Konkretisht parashikohet që në nenin 8 nënvizohet përcaktimi i listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe procedurat e përjashtimeve e të kritereve, të shtohet një paragraf pas pikës 3.

“Lista e makinerive dhe pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë të barabartë ose më të madhe se 50 milion lekë, në sektorin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme me fuqi të instaluar prodhimi mbi 0.5 Mw, është sipas aneksit 3 që i bashkëlidhet këtij vendimi. Autoriteti doganor bashkëpunon me Ministrinë përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Energjinë për të evidentuar subjektet e autorizuara/licencuara të cilat operojnë në sektorin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, me fuqi të instaluar prodhimi mbi 0.5 Më” thuhet në draftin që aktualisht është ende në fazë diskutimi.

Nxitja e investimeve në sektorin e energjisë për rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme është në të njëjtën linjë me planin e veprimit të qeverisë të miratuar deri në vitin 2020. Shqipëria duhet që sipas këtij plani të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme vit pas viti për të arritur objektivin 38 për qind deri në fund të vitit 2020.

Shqipëria përbën një rast të veçantë lidhur me shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, pasi prodhimi i energjisë elektrike në vend realizohet në pjesën më të madhe nga përdorimi i  hidrocentraleve të mëdha dhe të mesme. Referuar shifrave zyrtare 10-13% e totalit të burimeve primare të energjisë në vend, përfshirë importet, sigurohet nga biomasa, në veçanti nga drutë e zjarrit.

Importet nga ana tjetër janë një pjesë e rëndësishme që merren në konsideratë pasi në raste të caktuara në varësi të kushteve vjetore, këto importe ndryshojnë nga 30 – 60% të konsumit siç ishte edhe viti 2017. Nxitja e energjia së rinovueshme shihet si zgjidhja për uljen e kësaj varësie strategjike nga importe, dhe për përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat