Haxhinasto dy orë në Prokurori - Bota Sot
Haxhinasto dy orë në Prokurori

Shqipëria

Haxhinasto dy orë në Prokurori

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 09:27
Ilustrim

Haxhinasto ka qenë ministër Transportesh në periudhën që zhvillohej projekti. Burimet thonë se Haxhinasto është pyetur për rolin e tij në zbatimin e projektit të rrugës, i cili është bërë me abuzime të mëdha. Për ish-ministrin ka pasur edhe verifikim të rolit të tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Deputeti aktual i LSI-së qëndroi rreth dy orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dha shpjegimet e tij në lidhje me zbatimin e projektit të rrugës. Pas përfundimit të dëshmisë, ai ka dhënë edhe një prononcim për mediat jashtë godinës së Prokurorisë.

“Më pyetën për përgjegjësit e mia si drejtues politik. Dëshmova për ato gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e mia, kur kam qenë në një periudhë të zhvillimit të këtij projekti. Jam thirrur si person për të dëshmuar në projektin e rrugës Tiran-Elbasan”, tha Haxhinasto, duke mos dhënë më shumë detaje. Ai është thirrur nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elizabeta Imeraj, në cilësinë e personit që ka hetim për abuzimet.

Aktualisht, te Krimet e Rënda po hetohen ish-drejtori i ARRSh-së, Dashamir Xhika, dhe dy ishdrejtuesit e Njësisë së Zbatimit të Projektit të rrugës, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Këta janë nën masën e arrestit me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve të deritanishme, dëmi i shkaktuar shtetit nga amendimet e kontratave me firmat që kanë ndërtuar rrugën, shkon në 37 milionë dollarë. Tre ish-zyrtarët kanë bërë disa amendime të kontratave për ndërtimin e rrugëve, duke sjellë shtyrjen e afateve të tyre dhe për pasojë edhe dëme.

Gjithashtu, Prokuroria evidenton si një shkelje të rëndë edhe kryerjen e punimeve nga firmat e ndryshme, duke mos pasur më parë një burim financiar. Kjo shkelje është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Dashamir Xhikës, ku në një moment të dytë, është bërë likuidimi i firmave për punime të kryera më parë.

Ligji e ka të përcaktuar qartë se punimet kryhen pas lëvrimit të fondeve dhe jo para tyre. Prokuroria konstaton se Xhika ka shmangur edhe Bordin Drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një tjetër shkelje është edhe situata e krijuar pas rrëshqitjeve të dherave në vitin 2014. Për këtë situatë ka pasur vonesa në vendimmarrje për zgjidhjen teknike të problematikës nga Këshilli Teknik i ARRSH-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test