Marrëveshja shqiptaro – greke, mediat helene zbulojnë detaje të reja - Bota Sot
Marrëveshja shqiptaro – greke, mediat helene zbulojnë detaje të reja

Shqipëria

Marrëveshja shqiptaro – greke, mediat helene zbulojnë detaje të reja

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 09:46
Kotzias- Bushati

Qeveria greke është e prirur të pranojë ndryshime në paktin detar të vitit 2009, me qëllim që të përmbushë disa prej kërkesave të palës shqiptare.

Kështu vihet në dukje portali grek, “In.gr”, në një analizë të titulluar “Zona të errëta në marrëveshjen me Shqipërinë”.

Sipas portalit, pakti detar dhe ligji i gjendjes së luftës, janë dy bërthamat e marrëveshjes paketë që qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë po diskutojnë intensivisht, me qëllim finalizimin e saj brenda kësaj pranvere.

Sa i përket marrëveshjes për delimitimin e zonave detare, portali vë në dukje se diskutimet po zhvillohen në fshehtësi të plotë, por nga informacioni i deritanishëm ato vendosen në dy akse:

1. Athina pranon të rishikohet marrëveshja e rrëzuar e vitit 2009 dhe të negociojë një marrëveshje të re. Arsyetimi i kësaj lëvizjeje është se Shqipërisë iu bë padrejtësi në vitin 2009.

2. Shtrirja në 12 milje e detit territorial grek.

Portali ndërkaq thekson se të drejtën e shtrirjes së detit territorial, Athinës ia ofronte edhe marrëveshja e 2009-s. “Kjo e drejtë ishte përfshirë në marrëveshje që nga momenti kur të dy vendet kishin ujëra të ndryshme territoriale gjatë periudhës së negociatave: 6 milje Greqia dhe 12 milje Shqipëria”.

Përballë kritikave ndaj qeverisë që pranon rinegociimin, portali citon burime diplomatike të kenë thënë që “një marrëveshje e re është më e mirë se një marrëveshje inaktive”.

Portali i.gr., zbulon më tej se “Athina mendon ta ‘dëmshpërblejë’ Tiranën me një hapësirë detare përreth ishullit të Korfuzit. Kjo do të mund të bëhej me një zhvendosje të vijës së delimitimit, me përzgjedhjen e vijës bazike nga ana e palës shqiptare”.

Portali ndërkaq, nënvizon se disa argumente të palës shqiptare “ngjajnë jashtëzakonisht me disa argumente të rrezikshme që shpalos Turqia në kontestin me Greqinë për detin Egje. Në rast se argumentet shqiptare pranoheshin nga Athina, kjo do të merrej si një precedent negativ nga palë të treta, siç është Ankaraja”, vë në dukje in.gr.

Gjithsesi, portali grek nënvizon që asgjë nuk mund të konsiderohet e kryer pa u publikuar hartat përkatëse me koordinatat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test