Gruaja e trajnerit të Vllaznisë rrëfen momentet e vështira: U zgjova nga një ëndërr e tmerrshme

Shqipëria

Gruaja e trajnerit të Vllaznisë rrëfen momentet e vështira: U zgjova nga një ëndërr e tmerrshme

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 11:14
Ernest Gjok me bashkeshorten

Sulmi ndaj Ernest Gjokës ka tronditur futbollin shqiptar dje.

Por, më shumë se gjithkush nga kjo ngjarje, sigurisht që është tronditur familja e tij, e cila jeton në kryeqytet. Ata kanë mbetur të tmerruar nga ky agresion dhe këtë e thotë vetë bashkëshortja e trajnerit në një intervistë të dhënë  për “Panorama Sport”. 

Edit Lako ka parandierë gjithçka me një ëndërr dhe falënderon Zotin që lajmin nuk e mori vesh nga mediat, ku dominonin titujt: “Sulmohet me thikë trajneri i Vllaznisë”. Ajo është mbështetësja më e madhe e Gjokës, megjithatë zbulon se ia ka kërkuar që të kthehet menjëherë në shtëpi.

Pjese nga intervista

Zonja Edit, si e morët vesh lajmin për sulmin ndaj bashkëshortit tuaj?
Po flija në fakt dhe u zgjova nga një ëndërr të tmerrshme. Menjëherë mora Nestin në telefon, por më doli i zënë. U çudita realisht, pasi e di që është një situatë jo e mirë atje me njerëzit, me gazetarët. Kjo gjë më tensionoi dhe vazhdova të insistoja derisa e arrita. Zëri nuk m’u duk normal dhe aty më shpjegoi gjithçka kishte ndodhur. Në atë kohë ishte në polici. Për fat nuk e mora vesh lajmin nga mediat dhe portalet, pasi do të ishte e tmerrshme për mua të lexoja “sulmohet me thikë”.

A ju tregoi sesi ndodhi ngjarja?
Për fat, Nesti është mirë. Ngjarja ka ndodhur ashtu sikundër edhe është raportuar nga mediat. Dikush e ka sulmuar, i ka rënë në grusht dhe ai është vetëmbrojtur duke ia kthyer grushtin. Në atë çast ka nxjerrë thikën, por për fat ka qenë i shoqëruar me Gilman Likën. Gjithçka ka ndodhur kur po dilnin nga dushet, pra, pas stërvitjes.

Gjoka nuk njihet për një person konfliktual, ndaj pse mendoni që i ndodhi kjo?
E di për çfarë më vjen keq? Këtë nuk e them se është bashkëshorti im, por sepse Nesti është një njeri jashtëzakonisht i përkushtuar dhe më vjen keq që punon në një qytet të atillë, ku i kanë hapur probleme që nga dita e parë që ka filluar punën.

Pak kohë më parë, trajneri i Vllaznisë ruhej edhe nga policia. Mos kanë lidhje ngjarjet?
Nuk di ta them, derisa as policia nuk e ka një informacion të tillë. Agresori është larguar dhe ende nuk është arrestuar. Nuk e di nëse kanë lidhje me rastin e parë apo është diçka tjetër.

Në dijeninë tuaj, a ka pasur ndonjë konflikt?
Absolutisht jo! Nuk ka asnjë konflikt. Ai vetëm ka marrë drejtimin e një skuadre dhe e ka organizuar sipas ideve dhe filozofisë së vet. Dikush mund të jetë i kënaqur dhe dikush jo, por jo sa të kalojë në një konflikt personal.

Po agresorin a e njihte?
Fare. Ka qenë me kapuç të zi, por dukej që ishte djalë i ri. Gjithçka mund të ketë zgajtur vetëm 10 sekonda, jo më shumë. Ai nuk e ka pritur që Nesti t’i kundërpërgjigjej me grusht dhe nga frika ka nxjerrë thikën dhe ka ikur.

Pse kaq terren i vështirë Shkodra, pasi në Vlorë dhe në Kukës nuk ka pasur kurrë ndonjë situatë të tillë?
Nuk e di çfarë të them, mbase vjen prej faktit që është ekip bashkie apo ndonjë problemi të brendshëm. Nesti është prurje e re në Shkodër, ndaj nuk di shumë për atë ambient. Ndoshta mund të jetë edhe një rast i veçuar për ndonjë gjë koti. Nuk mund të them më shumë, pasi në të vërtetë nuk e di çfarë ka ndodhur. Por, më vjen keq që një qytet si Shkodra, me aq kulturë, të përjetojë situata kaq të tmerrshme dhe të “prodhojë” lajme të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat