A do të hetohet Llalla pas ndërprerjes së Vettingut, reagon ONM - Bota Sot
A do të hetohet Llalla pas ndërprerjes së Vettingut, reagon ONM

Shqipëria

A do të hetohet Llalla pas ndërprerjes së Vettingut, reagon ONM

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 12:12
ONM

Ndërprerja e vettingut për ish-prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, është i pa arsyetuar.

I pyetur nga Report TV për këto dy raste, Operacioni dha këtë përgjigje përmes email-it: “Është e saktë që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm kanë dhënë dorëheqjen. 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ende nuk ka dhënë një vendim të arsyetuar sipas Aneksit B, neni G i Kushtetutës dhe Ligjit të Vettingut për rastin e tyre”.

I pyetur nga Report TV nëse ata që dorëhiqen në mes të rivlerësimit duhet apo jo të shpëtojnë nga Vettingu, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit thotë se nëse nga dosjet e tyre dalin dyshime, ato duhet të përcillen pranë organeve kompetente hetuese. 

“Qëllimi i vettingut nuk është që të zhvillojë procedura penale, por, siç parashikohet në nenin 1 të ligjit të verifikimit, është garantimi i funksionimit të duhur të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së vërtetë të sistemit gjyqësor.

Prandaj procesi synon të pastrojë sistemin nga magjistratët që nuk i përmbushin standardet e funksioneve të tyre. Nëse sjellja e një subjekti apo (ish)subjekti të rivlerësimit sjell dyshime për vepra penale, dosjet e tyre përkatëse mund të përcillen përmes kanaleve të përshtatshme, siç parashikohet në legjislacionin shqiptar”. 

Deri më tani, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar shkurtimisht ndërprerjen e Vettingut për dy të dorëhequrit, por nuk ka dhënë informacion, nëse gjatë vlerësimit të dosjeve të tyre, ka gjetur apo jo elementë të dyshimtë që mund të jenë objekt i Prokurorisë apo organeve të tjera ligjzbatuese, siç mund të jetë pasuria e pajustifikuar, apo kontaktet me persona të papërshtatshëm gjatë ushtrimit të detyrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat