Projekti i shëndetësisë online ende nuk funksionon në pjesën më të madhe të vendit

Shqipëria

Projekti i shëndetësisë online ende nuk funksionon në pjesën më të madhe të vendit

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 12:13
Edi Rama

Nëse projekti e-health ka një sërë të mirash, problemi qëndron se ai nuk mund të implementohet në të gjithë vendin për mungesë infrastrukture në qendrat shëndetësore.

Edhe pse jemi në fillim të vitit 2018, në vendin tonë nuk ka ende internet në çdo qendër shëndetësore. 

Sa i përket kompjuterëve janë të amortizuar dhe në pjesën më të madhe mjekët nuk janë të kualifikuar për t’i përdorur. Por pavarësisht  këtyre problematikave dy nga pjesët e projektit e-health, receta dhe referimi elektronik kanë nisur që të aplikohen në vendin tonë. 

Referimi elektronik ka nisur nga data 8 janar i këtij viti dhe po aplikohet vetëm në Tiranë, me perspektivën se do të shtrihet në të gjithë vendin. Referimi online aplikohet aktualisht në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3, në kryeqytet dhe tek “Iraniani”. Pacienti A.B rreth 60 vjeç është një i sëmurë kronik me diabet dhe i duhet që të kryejë kontrolle rutinë tek mjeku endokrinolog.

“Isha tek mjeku i familjes dhe më dha vetëm këtë letrën e vogël me një kod. Më tha që  të paraqitem tek mjeku specialist në harkun kohor 10:00- 11:00. Më duket mirë që orarin ma la mjeku i familjes, por se di si do shkojë se është hera e parë që po vij kështu”, shprehet pacienti me diabet për revistën “SCAN“.

Referimi online ka avantazhe për pacientët pasi dita dhe orari i vizitës iu përcaktohet nga mjeku i familjes. Në këtë mënyrë pacienti nuk pret në radhë dhe nuk ekziston as mundësia që pacienti të paraqitet disa ditë rresht tek mjeku specialist  e të mos mbarojë punë si rezultat i fluksit të pacientëve. Në të njëjtën kohë, pacientit i shmangen edhe një sërë ecejakesh të tjera për marrje vulash e firmash që i duheshin më  parë. Për mjeken e familjes Bruna Shiroka referimi online duhet që të zbatohet nga të gjithë mjekët kjo në të mirë të pacientit dhe të vetë sistemit të shëndetësisë.

“Kemi një urdhëresë  nga Ministria e Shëndetësisë dhe duhet ta zbatojmë. Të gjithë mjekët në Tiranë duhet të përdorin referim online. Nëse mjekët e familjes e neglizhojnë referimin online i bie që të mbajnë vetë përgjegjësi. Mjeket i kanë të gjithë pacientët e qendrës së tyre në sistem online. U duhet vetëm të hapin sistemin dhe të referojnë pacientin tek mjeku specialist, duke iu lënë orarin dhe ditën e vizitës. Sa i përket referimit me letër do të vijojë të aplikohet deri në një fazë të dytë për pacientët që nuk janë të siguruar e që iu duhet të paguajnë faturën përkatëse”, shpjegon Bruna Shiroka për revistën “Scan Magazine“. Nëse u drejtohemi klinikave të specialiteteve për të parë se si funksionon referimi elektronik, bie në sy se ka ende pacientë që i drejtohen mjekut specialist me letër dhe jo me referimin online.

“Mjekja e familjes më tha të vija këtu. Nuk më ka lënë orën apo ditën për vizitë. Tani duhet të rri në radhë dhe të shoh si funksionon këtu. Se di nëse do të mbaroj punë  duke qenë se ka shumë radhë”, shprehet një pacient rreth të 40-ave që pret në radhë në qendrën e specialiteteve nr. 3 në Tiranë. Të gjitha qendrat shëndetësore që nisin pacientë për vizita tek mjekët specialistë duhet që t’i bëjnë sipas referimit online. Por jo të gjithë mjekët mund ta zbatojnë këtë pasi ka një problem që vijon që nga aplikimi i recetës elektronike dhe që është mosfunksionimi i internetit. Mjekët janë pajisur me USB me internet, por që sipas tyre kjo funksionon vetëm dy – tre ditët  e para më pas kanë vështirësi për të plotësuar recetën elektronike apo referimin online.

Edhe pse projekti i digjitalizimit të sistemit shëndetësor vlerësohet si pozitiv, problemi qëndron  tek infrastruktura e munguar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, programi e-health ka disa avantazhe për sistemin shëndetësor: rrit saktësinë në përcaktimin e barnave duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë dhe të kosto-efektivitetit në trajtimin e pacientëve; ul mundësinë e dhënies së gabuar të barnave për pacientët dhe mundëson ndërtimin e një sistemi alert në rastet e përshkrimit jo të saktë të barit, duke u mbështetur tek udhërrëfyesit dhe protokollet përkatëse të miratuara; redukton ndjeshëm kostot administrative për recetën. Me anë të recetës dhe të referimit online krijohet dhe ruhet  historiku për sëmundjen dhe trajtimin e pacientëve. Me recetën elektronike eliminohet fenomeni i recetave fiktive në rimbursim duke shmangur abuzimet me recetat e rimbursuara.

 Shtyhet afati për shtrirjen e recetës elektronike

Në vitin 2015 nisi të zbatohej projekti e-Health me një vlerë prej 1.9 miliardë lekë i cili kishte si qëllim që të digjitalizonte sistemin shëndetësor. Kjo shumë parash është siguruar nga një kredi austriake në vlerën e 13 milionë eurove dhe pjesa tjetër nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi. Kredia  kishte si kusht që projekti  të implementohej deri në fund të vitit 2016, por një gjë e tillë nuk ishte e mundur duke e shtyrë afatin deri në fund të 2017-ës, e aktualisht afati është shtyrë deri në qershor të 2018-ës. Aktualisht një gjë e tillë nuk është bërë e mundur as për recetën elektronike, që nisi që në vitin 2015 si projekt pilot në Durrës, në 18 qendra shëndetësore dhe në rreth 80 farmaci, dhe nuk ka mundur që të shtrihet në të gjithë vendin, pa kujtuar këtu që edhe në zonat që mendohet se ajo funksionon ka problem me infrastrukturën. Si projekt vetëm për Durrësin receta elektronike ka patur një kosto rreth 35 milionë lekë. Ndërsa i gjithë projekti i recetës elektronike në të gjithë vendin është përllogaritur të ketë një kosto  prej 570 milionë lekë, të cilat do të mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. 

Afati i ri për përfundimin e recetës elektronike në të gjithë vendin është vendosur muaji qershor i vitit 2018. Burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale bëjnë me dije për revistën “SCAN“ se receta elektronike dhe referimi online pritet që të shtrihen në të gjithë vendin në qershor të këtij viti.” Pas Durrësit që u zhvillua edhe projekti pilot, aplikimi i recetës elektronike u bë i mundur në Tiranë, Fier, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Shkodër. Ndërkohë që pjesa tjetër e vendit do të mund të aplikojë këtë recetë pas muajit qershor të 2018-ës. Ky muaj është vendosur si afat edhe për referimin elektronik, i cili aktualisht po funksionon vetëm në Tiranë.

 Receta elektronike nuk funksionon në pjesën më të madhe të vendit

Edhe pse nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale pretendohet se funksionimi i recetës elektronike  po ecën me sukses ky projekt nuk pa zbatohet në pjesën më të madhe të vendit. Kjo për disa arsye, ku kryesorja qëndron mungesa e infrastrukturës për digjitalizimin e sistemit. Një tjetër problem ka të bëjë me faktin se mjekët dhe farmacistët në rrethe nuk janë trajnuar ende për përdorimin e recetës elektronike. Nëse i referohemi qytetit të Lezhës që ka rreth 60 qendra shëndetësore, në asnjërën prej tyre nuk po aplikohet receta elektronike.

Albina Dede, mjeke në këtë qytet, shprehet për revistën “SCAN“ se të gjitha farmacitë që kanë kontratë me fondin në këtë qytet vijojnë të marrin receta me shkrim dore e më pas i kalojnë në sistem. Në gjithë qarkun e Lezhës në 60 qendrat shëndetësore të gjithë mjekët e familjes aktualisht vazhdojnë të lëshojnë receta tip. Ato pranohen në farmaci të kontraktuara me Fondin, hidhen në sisteme të dhënat për medikamentet e lëshuara nga mjekët për të mbajtur inventarin dhe rakorduar të dhënat. Recetat dërgohen në agjencitë përkatëse të Fondit dhe më pas dërgohen në drejtorinë rajonale ku dhe hidhen në sistem nga operatorët e drejtorisë. Statistika bën rakordimet dhe nxjerr të dhënat e rimbursimit, që shërbejnë për analizën dhe kontrollin e mjekëve të familjes dhe farmacive kryesisht për rastet e reja që vijnë çdo muaj. Ky është gjithë itinerari që ndjek receta tip e lëshuar nga mjeku i familjes.

Rritet kostoja e projektit me 49 mijë euro, nuk u zbatuan afatet

Sipas raportit përfundimtar të auditimit “Mbi ligjshmërinë, rregullshmërinë dhe vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare për projektin “Shëndetësia elektronike e Shqipërisë“, rezulton që kostot e këtij projekti të jenë rritur si pasojë e mosimplementimit të tij brenda afatit. Në total për të tre vitet shuma e huasë së disbursuar është 13 milionë euro. Përkatësisht, në vitin 2014 është disbursuar shuma 6,5 milionë euro, në vitin 2015 është disbursuar shuma 5,7 milionë euro dhe në vitin 2016 shuma e disbursuar është 702 mijë euro. Ka mbetur pa u disbursuar shuma 993 mijë euro ose 7% e huasë. Sipas kontratës së blerjes projekti duhet të përfundonte në qershor të vitit 2015, afat i cili nuk ka mundur të përmbushet dhe nga palët është rënë dakord që afati i përfundimit të projektit të jetë fundi i vitit 2016.

Për periudhën e shtyrjes së afatit, pala shqiptare  ka përballuar pagesat për tarifën e angazhimit, tarifë e cila paguhet për pjesën e patërhequr të kredisë. Në se projekti do ishte implementuar brenda aftit të përcaktuar në marrëveshjen e blerjes edhe disbursimi i kredisë do të ishte bërë brenda afatit, dhe si rrjedhojë nuk do të kishte lindur nevoja e pagesës së tarifës së angazhimit për periudhën pas qershorit të vitit 2015. Nga kjo periudhë deri në momentin e auditimit, Ministria e Financave ka kryer tre pagesa për tarifën e angazhimit në shumën gjithsej 49 mijë  euro, shumë e cila ka rritur koston e projektit. Por kjo kosto e rritur është deri në fund të vitit 2016, ndërkohë që afatet janë shtyrë përsëri me një vit e gjysmë, pra deri në qershor të 2018-ës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat