Kokaina në Durrës, Kryemadhi: Rama të gjejë një avokat për veten

Shqipëria

Kokaina në Durrës, Kryemadhi: Rama të gjejë një avokat për veten

Më: 1 mars 2018 Në ora: 13:21
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një status në Facebook shkruan se kryeministri ka frikë të pranojë se sasia e madhe e drogës është kapur me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

“Kryeministri ka frikë të thotë se ky aksion është kryer me ndihmen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të atyre që vetëm dy ditë më parë paralajmeruan lidhjet e rrezikshme të politikës me trafikun e lëndëve narkotike. Edi Rama tashmë është i tmerruar nga hetimet e mëtejshme të kësaj sasie kokaine të paparë ndonjëherë në Shqipëri, sepse e di mirë që fijet dhe lidhjet e kokave të trafikut nuk janë as punonjësit e portit dhe as ata të kompanisë modeste. Diku më lart e më thellë gjenden ata që e drejtuan dhe dhanë garanci për transportin e një sasie të ngjashme me ato të filmit “Narcos”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi thotë se Ramës do i duhet një avokat i mirë për veten. “Ndaj patetizmat e tij në FB dhe lëvizjet e kukullave të tij në qeveri e polici vështirë se do e shpëtojnë këtë herë shefin e madh nga hetimet që me ndihmen e partnerëve ndërkombëtarë nuk do të mundin të mbulojnë dhe fshehin lidhjet okulte të kreut të qeverisë me botën e errët të krimit. Ndaj më mirë se të shkruajë shfajësimet e dikujt që ka rënë në çarkun e zullumeve të drogës, që e sollën dhe e mbajnë në pushtet, Edi Rama le të gjejë një avokat të mirë për veten dhe ndonjë nga miqtë apo bashkëpunëtorët e tij”, shkruan më tej Kryemadhi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat