Edi Rama në delir: Fituam luftën me kanabisin

Shqipëria

Edi Rama në delir: Fituam luftën me kanabisin

Më: 2 mars 2018 Në ora: 07:47
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë raportin e 3 nëntorit të vitit të shkuar nga OKB, që e rendiste Shqipërinë në vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës për frymë të popullsisë.

Në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut, Rama thotë se  askush nga partnerët me të cilët e ka diskutuar këtë çështje nuk e kupton dot si ka përfunduar Shqipëria e para në këtë histori. 

Sa i takon kultivimit të  kanabisit, Rama e konsideron luftë të fituar në 2017 me garancinë se Shqipëria nuk mund të kthehet më në vend kultivimi të kanabisit.

Po çfarë ndodhi në mandatin e shkuar që u mbulua i gjithë vendi?

"Në 4 vite të qeverisë sonë, për herë të parë u luftua kanabisi. Dhe ajo që di me shifra është që vetëm nga Lazarati trafikoheshin 900 ton po e dini ju që 900 tonëshi nuk është  arritur akoma si nivel? Pas Lazaratit pati një  reagim në të kundërt dhe  është e vërtetë ku ne kaluam në fazë ku nuk ishim plotësisht të përgatitur për të përballuar këtë reagim". 

 Pjesë nga intervista

Qafoku: Zoti Kryeministër janë 5 raporte ndërkombëtare  që  nuk janë shumë inkurajuese për pozitivitetin e punës së qeverisë që ju drejtoni. Raporti 1 është në gusht të vitit 2017,  indeksi kundër pastrimit të parave ku Shqipëria futet në 15 vendet me rrezik të lartë  të pastrimit të parave. Raporti 2 në tetor të vitit 2017 Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin për “Doing Bussines”.Raporti numër 3 nëntor 2017 është raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku Shqipëria renditet në vendin e  parë në botë për përdorimin e kokainës për frymë të popullsisë.

Rama: Është idiotësi kjo e treta. 

Qafoku: Raporti i 4  Amnesty International Shqipëria ka probleme me drejtësinë, median dhe të drejtat e njeriut dhe mos ndëshkimi për vrasjen dhe zhdukjen e së shkuarës vazhdon në Shqipëri.
Raporti i 5  i fundit, në shkurt të 2018, përsëri kemi Shqipëria në vendet  më të korruptuara në Evropë  dhe ka rënien me 8 vende, Transparency International.

Rama: Së pari një herë të merremi me atë të përdoruesit  të kokainës në vend. Nëse do ishte e vërtetë që Shqipëria do ishte përdoruesi numër një i kokainës në botë atëherë Shqipëria do të duhet të kishte të njëjtat shifra  të mirëqënies ekonomike  të vendeve që janë bashkë me Shqipërinë  në ato kategori. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Vendet e varfra apo vendet me nivelin e zhvillimit të Shqipërisë  nuk mund ti kapërcejnë vendet të tjera që janë në një nivel zhvillimi shumë më të lartë në këtë lloj “gare” sepse  kokaina është një drogë e shtrenjtë dhe është absolutisht e pamundur që Shqipëria të jetë e para  në përdorimin e kokainës. 

Qafoku: Ja fut kot OKB-ja?

Rama: Këto janë të dhëna që merren nga vendet, nga secili vend pra nuk është se vjen OKB këtu me misionet e veta. Në këtë rast bëhet fjalë për të dhëna dhe statistika krejtësisht pa lidhje me realitetin. Ky është konkluzioni që ne kemi nxjerrë nga analiza e këtij raporti. Askush nga partnerët që ne e kemi diskutuar këtë nuk e kupton dot si ka përfunduar Shqipëria e para në këtë histori. 

Qafoku: Mirë, po e heqim këtë, po 4 të tjerat?

Rama: Mos më parapri në çka do them unë.  Së dyti nëse do flasim për median. Merrni lexoni raportin për median  të cilitdo vend që ju do të preferoni dhe do shikoni që çdo vend bën matjet e veta dhe  po ta lexosh raportin mund të dalësh në një konkluzion dhe po të mos dish emrin e vendit bëhet fjalë për një konkluzion të gabuar.  Sigurisht që ne kemi probleme por edhe ky raport edhe raporte të tjera duhen vënë në  kontekst.  Dhe kush është konteksti? Është këto raporte  dhe këto shifra u shfaqen sot apo janë një vazhdimësi  në raport me të shkuarën dhe në rastin konkret në raport me 4-5 vjet më parë.  Ne jemi më mirë në Doing Bussines, apo jemi më keq?

Qafoku: Edhe më të korruptuar në Evropë ne biem 8 vende më poshtë zoti Kryeministër.  Si qenkemi më mirë? 

Rama: Edhe një  herë, nëse do t’i referohemi Transparency International  do të shikoni që bëni një analizë të shifrave do të shikoni që nga vendet e rajonit  gjithmonë në vite zgjedhore ka një përkeqësim të pozicioneve.  Por ajo që unë po iu them  është që raportet duhen parë në kontekst.  Së dyti po të shikojmë raportet  aty ku flitet për pjesën që ka të bëjë me përpjekjen tonë  për luftën kundër korrupsionit  të përhapur si fenomen i ndërveprimit të qytetarëve  me shtetin e kemi në përmirësim.  Ajo çka ne na dërmon  realisht në atë raport është  sistemi i drejtësisë  dhe korrupsioni në drejtësi  që zë pjesën kryesore dhe sigurisht lidhet pastaj me ndëshkueshmërinë.  Ky është një proces. 

Qafoku: Për atë të parën për konsumin e kokainës edhe unë isha në dyshim. E njoh mirë atë procesin e trafikut të drogës  sepse jam marrë si gazetar dhe unë isha në dyshim për hir të së vërtetës  dhe unë e besova po deri diku, këta 4 të tjerët si shumë i sforcuar jeni zoti Kryeministër. 

Rama: Unë i sforcuar? Nuk kam asnjë sforcim. Jam thjeshtësisht në pozicionin që po shpjegoj Pse-në e këtyre pozicioneve që ka Shqipëria në ato raporte që përmendët ju. Dhe nëse ju i merrni dhe vendosni këto 4 raporte në raport me raportet paraardhëse do të shikoni që  Shqipëria ka progres në të gjitha fushat. Nëse pastaj hyjmë në strukturën përkatëse të çdo raporti dhe marrim psh pse kemi 8 vende rënie në raport me vjet përsa i përket  Transparency International do të gjeni  këto që them unë sepse ne i kemi analizuar raportet, nuk lexojmë vetëm kopertinën si  rëndom bëhet këtu  por kemi bërë analizën, pse, si qysh, tek  dhe peshën kryesore e zë pandëshkueshmëria dhe sistemi akoma jo efiçent i drejtësisë.  Dhe këto ne i dimë nuk ka nevojë të na i thotë Transparency International. 

Qafoku: Zoti Rama mbetemi përsëri  tek kjo çështje por që lidhet me sigurinë kombëtare.  Realisht nuk e kam kuptuar asnjëherë  dhe dua ta di si do ta shprehni ju, sa ju ka vënë në siklet gjithë ajo çështja e madhe  që ne e etiketojmë  “Dosja e madhe e drogës”  sepse të marrësh vetëm në këto 4 vite e gjysmë qeveri, është gati një gungë për qeverinë e gjitha ajo që ndodhi  me drogën zoti Kryeministër.  Çfarë ndodhi realisht? A e keni analizuar ose keni bërë investigimin tuaj të thelluar se çfarë ndodhi? 

Rama: Patjetër. Dhe unë kam një  version që nuk është sekret, është publik. E kam thënë dhe e them. Në 4 vite të qeverisë sonë, për herë të parë u luftua kanabisi. 

Qafoku: Jo mos e thoni këtë ju lutem. 

Rama: Po çfarë të them?

Qafoku: U mbush vendi  i gjithi me kanabis… 

Rama: Në 4 vitet e qeverisë sonë, për herë të parë u luftua kanabisi sepse këtu kemi jetuar dhe e mbajmë mend mirë se çfarë ndodhte.  E mban mend mirë edhe Lazaratin.  Nuk jam këtu për të bërë asnjë lloj ndarje të skenës politike, jam këtu për të bërë një ndarje  të qartë të fushës së luftës kundër kanabisit.  Kanabisi nuk është luftuar në Shqipëri asnjëherë.  Kanabisi është pickuar ndonjëherë tek-tuk por nuk është luftuar kurrë.  Dhe ajo që di me shifra është që vetëm nga Lazarati trafikoheshin 900 ton po e dini ju që 900 tonëshi nuk është  arritur akoma si nivel? Tonët e dikurshme dhe të sotme janë njëlloj se toni si njësi nuk ka ndryshuar,  kilogrami nuk ka ndryshuar është po ai.  Ndërkohë çka ne kemi parë qartësisht dhe e kemi bërë publike është se në Shqipëri është mbjellë kanabis kudo. 

Qafoku: Jo kaq masivisht… 

Rama: Edhe nje herë nëse mund ta vazhdoj arsyetimin.. 

Qafoku: Po mund ta vazhdosh por…. 

Rama: Por çfare?

Qafoku: Por kjo është e vërtetë. 

Rama: Në Shqipëri është mbjellë kanabis edhe më përpara kudo, dhe këtë e tregojnë raportet e policisë. Lidhur me këtë  problem, raportet e policisë ishin sekrete.  Ishin të mbuluara nga sekreti shtetëror. Ne e hoqëm sekretin shtetëror në 2013 dhe për çdo rrënjë kishte një deklaratë. Pas Lazaratit pati një  reagim në të kundërt dhe  është e vërtetë ku ne kaluam në fazë ku nuk ishim plotësisht të përgatitur për të përballuar këtë reagim. 

Qafoku: Çdomethënë ishit të papërgatitur? 

Rama: Kjo është një luftë, nuk është një përpjekje që zhvillohet në studio. Është një luftë në terren. Ka forca që veprojnë dhe kundërveprojnë.  Lufta me trafikantët dhe rrjetet e tyre është luftë reale.  Nuk është një përrallë, nuk është një video game.  Kështu që ne nuk ishim të përgatitur për faktin se ndërkohë që  zhvillohej kjo përpjekje  bëhej edhe reformimi i policisë së shtetit dhe transformimi i policisë së shtetit. 

Qafoku: Të largoni  2 mijë oficerë policie në një vit… 

Rama: Çdomethënë 2 mijë oficerë policie?

Qafoku: Vetëm në 2014 janë hequr nga puna 2 mijë oficerë policie. 

Rama: Shumë mirë që janë hequr. 

Qafoku: 2 mijë oficerë policie? Është masë shumë e madhe. 

Rama: Janë hequr me masa administrative apo me masa penale. Dakord? Dhe janë hequr pikërisht si rezultat i përpjekjes për ta reformuar dhe pastruar policinë e shtetit. Por ajo që ka rëndësi të thuhet, është se pasi patëm këtë kundra linjë dhe realisht pati një moment ku  ne u vumë në difensivë, ne kundër-reaguam përsëri  dhe  faktikisht ne e pastruam Shqipërinë nga kanabisi  apo jo? Këtë nuk e themi ne, këtë e thonë  faktet e dokumentuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë.  Në 2017 Shqipëria u pastrua.  Dhe nuk ka shans më që Shqipëria të jetë vendi që mbillet kanabis.

Qafoku: Ka dy fakte që i hedhin poshtë këto që thoni ju.  I pari është që ju keni detyrim kushtetues  që çdo vit në Kuvend të raportoni për drogën dhe nuk e keni bërë.  Dhe e dyta,  keni patur një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror të  vitit  2016 që në Shqipëri është futur 21 tonë farë kanabis. E kujt është përgjegjësia për këto të dyja? 

Rama: Nuk i kuptoj lidhjet mes këtyre që thoni ju  dhe asaj që thashë unë por di të them vetëm kaq që në 2017 kanabisi është fshirë nga harta e Shqipërisë.  Dhe mbjelljet kanë qenë minimale dhe do mbeten  minimale. 

Qafoku: Ato që korren ku shkojnë? 

Rama: Një pjesë e madhe e tyre janë kapur dhe tani që flasim vazhdojnë kapen. 

Qafoku: E kujt është përgjegjësia zoti Kryeministër  për këtë raport?

Rama: Çdomethënë?

Qafoku: Pyetja është e drejpërdrejtë. E kujt është përgjegjësia që 21 ton farë kanabisi janë futur në Shqipëri?  Me 21 ton kanabis mbillet gjithë Evropa. 

Rama: Ashtu? Nuk e besoj që do të mbillet e gjithë Evropa por pyetjen realisht nuk e kuptoj sepse po u them që kjo është luftë.  Nuk është një shëtitje në bulevard apo një bisedë në studio. 

Qafoku: Ju ka dhënë masa e popullit mandatin ndaj duhet të qeverisni. 

Rama: Unë këtë punë po bëj, po iu shpjegoj dhe juve këtu se ne e fituam këtë luftë, të tjerat janë material për të bërë analiza dhe debate. Ne luftën kundër kultivuesit të kanabisit  e fituam. 

Qafoku: Zoti kryeministër ka disa shifra në fakt nga policia që janë për tu përshëndetur, e kam thënë dhe e them  me zë të lartë. 52 të vrarë në vitin 2017 dhe  54 të vrarë në vitin 2015 është një shifër rekord  si një shifër e ulët në krahasim me shifrat  që kemi patur në këto 28 vjet.  Por ajo që më shqetëson mua zoti Kryeministër, vërtet kemi 52 të vrarë në 2017 por 12 nga këto janë vrasje mafioze për shkak të trafikut të drogës.  Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri një numër kaq i madh për pazare droge, parcela droge. 

Rama: Po për çfarë janë vrarë në të shkuarën, për qejf?

Qafoku: Shqiptarët janë vrarë dhe për një fjalë goje. 

Rama: Fjalën mafioze nuk i bën ndonjë nder të madh këtij vendi që e përdorni kaq shpesh.  Përdorimi masiv i fjalës mafie nuk shkon.  Shqipëria ka krim të organizuar,  ka organizata kriminale por nuk ka mafie. Shqipëria ka mjete kriminale. 

Qafoku: Këtë e tha prokurori Kombëtar i Antimafias italiane.

Rama: Historitë e Italisë nuk janë historitë e Shqipërisë. 

Qafoku: Zoti Rama ai tha që mafia shqiptare ka bashkëpunuar me Ndraghetën dhe Sacra Coronën.

Rama: Qe ka shqiptarë mafiozë të lidhur me mafien në Itali unë as nuk e mohova, as nuk përbën kjo një arsye  për të thënë që në Shqipëri na paskan ndodhur 12 vrasje mafioze.  Ky është një term shumë i avancuar. Këto vrasje janë vrasje për prishje pazaresh, të tilla ka dhe do të ketë. Jemi nga një vend që mbanim vendin e parë për numrin e vrasjeve në një vend që jemi nën mestaren e vendeve europiane.  Kemi një rritje të pamendueshme të zbulueshmërisë.

Qafoku: Mos e thoni këtë, ju lutem sepse e kam dëgjuar dhe disa herë të tjera.  Ky është një autogol.  Zbulueshëmria e krimit në Shqipëri ka qenë gjithmonë e lartë. 

Rama: Kemi një rritje të pamendueshme më parë të zbulueshmërisë. Janë 6 vrasje të kryera gjatë këtij viti dhe janë  të gjitha të zbuluara.

Qafoku: Zbulueshmëri nuk ka qenë ndonjëherë problem zoti Kryeministër.  Në Shqipëri të gjithë e dinë kush e bëri vrasjen. Zoti Rama është edhe një pikë tjetër që unë do doja ta ndaja me ju.  Tek siguria kombëtare është për tu përshëndetur një strategji  e policisë dhe e qeverisë  për aksidentet.  Marr shkas nga java që shkoi, në 6 ditë , 8 të vdekur.  Kjo nuk lidhet me qeverinë. Kjo nuk lidhet as me policinë. Kjo lidhet me gjithë shoqërinë tonë. Por ajo që më bën përshtypje në krahasim me vitin 2012  dhe me strategjinë që deri në vitin 2020 parashikoni të ketë 222 të vrarë  mua më frikëson shumë kjo, se si mund të bësh një strategji që disa vite më vonë ne do kemi kaq viktima. Ndërkohë numri i aksidenteve është më i lartë. 

Rama: Pyetja kush është? 

Qafoku: Unë jam duke e bërë pyetjen. Si ka mundësi zoti kryeministër që ju e proklamoni si sukses  të policisë luftën për të humbur aksidentet  dhe në fakt kemi më shumë aksidente?

Rama: Aksidentet me pasojë humbjen e jetës janë ulur në mënyrë të konsiderueshme.  Sigurisht janë akoma të larta ashtu sikundër  shifrat e aksidenteve në tërësi janë të larta. Aksidentet vijnë si rezultat i projekteve skandaloze të rrugëve të Shqipërisë dhe i mos respektimit të rregullave nga qytetarët.  Në rrugët e Shqipërisë ka shumë potencial për aksidente  për shkak të projekteve jashtë çdo standardi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat