ONM kërkon shkarkimin, komisioneri: Më thoni cilin ligj kam shkelur?

Shqipëria

ONM kërkon shkarkimin, komisioneri: Më thoni cilin ligj kam shkelur?

Më: 8 mars 2018 Në ora: 10:07
Heral Saraçi

Komisioneri Publik, Heral Saraçi, ka deklaruar se nuk ka asnjë provë që ta bëjë me përgjegjësi për hetimin disiplinor të ngritur ndaj tij nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Në seancën e dytë të zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioni Disiplinor i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari, kanë marrë në pyetje komisionerin Saraçi për vartësinë e provave të paraqitura në seancë nga gjyqtarja hetuese, Natasha Mulaj.

Komisioneri Saraçi, gjatë fjalës në seancë, sqaroi pozitat e tij, duke mohuar të ketë shkelur ligjin dhe Kushtetutën në veprimtarinë e tij disamujore. Saraçi u kërkoi gjyqtarëve të Komisionit Disiplinor t’i jepnin kohë avokatit të tij për të realizuar mbrojtjen, por kërkesa u refuzua nga gjyqtarët Çomo, Shtylla dhe Hajdari.

“Është e drejta e avokatit, përderisa u pranua që të bëjë një mbrojtje. Ne po flasim për të bërë një mbrojtje sa më profesionale me avokatë. Nëse flasim për një proces të rregullt disiplinor. Nëse duhet që thjesht ta përfundojmë këtë seancë, atëherë le ta përfundojmë me atë akuzën e shkarkimit që keni në kërkesë. Unë kam një material shumë voluminoz që më është vënë në dispozicion, i cili ka 500 faqe. Por nga veprimtaria ime, por edhe nga provat e paraqitura nga gjyqtarja hetuese, nuk gjej asnjë dokument që të tregojë se cilat ligje kam shkelur”, deklaroi Saraçi.

Avokati i tij mbrojtës, Shaqir Hasani, u kujtoi gjyqtarëve të Komisionit Disiplinor nepotizmin që ekziston edhe në institucionet e reja të drejtësisëm ku një avokat nuk kishte pranuar të mbronte komisionerin Saraçi për shkak se kishte frikë mos i hiqnin nga puna familjarët.

“Klienti im kishte zgjedhur një tjetër përfaqësues ligjor përpara meje, por ai hoqi dorë pasi kishte frikë se i hiqnin 3- 4 familjarë që kishte të punë- suar në këto institucione që po flasim. Ka ikur koha kur të drejtat e njerëzve i mbronte partia. Sot, klienti më ka zgjedhur mua dhe unë do ta mbroj. Më krijoni mundësinë ta mbroj klientin tim. Nëse më fyeni duke më mohuar të drejtat, unë është më mirë të largohem nga kjo sallë. Abuziviteti që kërkoni të bëni duke iu refuar ONM-së, është e pafalshme. Klientit tim i bëni pyetje sugjestionuese dhe i kërkoni t’ju japë shpjegime për akte, të cilat nuk i njeh. Keni marrë gjithë arkivin e institucionit sikur jeni Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe askund nuk thoni ku ka shkelur ligjin zoti Saraçi”, deklaroi avokati mbrojtës.

Gjyqtarja hetuese, Natasha Mulaj, e cila është gjithashtu edhe kryetare e Kolegjit të Apelimit, deklaroi në seancë se me veprimet dhe mosveprimet e tij, komisioneri Saraçi ka penguar funksionimin e institucionit, në të cilin bën pjesë. Gjithashtu, Mulaj theksoi se komisioneri publik, pa u konsultuar me komisionerin tjetër Florian Ballhysa, ka nënshkruar kontrata të parregullta për punësimin e stafit.

Gjyqtarja hetuese Natasha Mulaj u shpreh e surprizuar edhe për kohën e kërkuar nga Saraçi, pasi, sipas saj, çdo veprim hetimor është bërë në konsultim me të. “Unë duhej të mbaj qëndrim ligjor këtu, jo të bëhemi shokë. Unë kërkoj të zbatojmë afatet që ka përcaktuar ligji. Më vjen shumë keq që z. Saraçi po mban këtë qëndrim. I jam lutur zotit Saraçi, të më thotë edhe sa kohë i duhet. Ne i jemi përshtatur siç ka dashur ai”, sqaroi Mulaj. Seanca ndaj komisionerit publik Heral Saraçi do të vijojë sot në orën 09:00, ndërkohë që përfaqësuesit e ONM-së janë prezentë në të gjitha seancat e zhvilluara. ONM kërkoi nisjen e një hetimi disiplinor ndaj komisionerit publik Heral Saraçi, pasi, sipas ndërkombëtarëve, përplasja e tij me komisionerin Florian Ballhysa për hartimin e rregullores, ka sjellë bllokimin e institucionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat