Studimi/ Zgjedhjet Vendore 2019, kush janë kryebashkiakët që nuk rikandidohen - Bota Sot
Studimi/ Zgjedhjet Vendore 2019, kush janë kryebashkiakët që nuk rikandidohen

Shqipëria

Studimi/ Zgjedhjet Vendore 2019, kush janë kryebashkiakët që nuk rikandidohen

Më: 16 mars 2018 Në ora: 22:03
Kryebashkiakët

Instituti i Studimeve Politike parashikon largimin nga drejtimi lokal i disa prej kryebashkiakëve të njohur.

Në një studim ISP bën me dije se bazuar në ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në RSH, për herë të parë aplikohet kufizimi i mandateve të të zgjedhurve vendorë. Sipas ligjit të ri, neni 59, “Kryetari i bashkisë mund të zgjidhet dhe të ushtrojë vetëm 3 mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë, me të drejtë rizgjedhjeje”. Më përpara nuk kishte kufizim për mandatet e kryetarëve të bashkive. Parlamenti u bazua në ndryshimin e ri në modelin italian, i cili kufizon të zgjedhurit vendorë në dy mandate, dhe pranoi edhe presionin pozitiv nga shoqëria civile e media për kufizimin edhe në rastin shqiptar. Nga funksionarët politikë vetëm Presidenti i Republikës ka kufizim në mandate (5 + 5 vite) ndërkohë që me ligjin e vitit 2015 edhe kryebashkiakët kanë kufizime kohore (4 + 4 + 4 vite).

Kryeministri, ministrat dhe deputetët nuk kanë kufizime kohore, ndaj edhe kemi pasur kryeministër me dy mandate të njëpasnjëshme, kryeministër të mandatur pesë herë për krijim qeverie ose kemi deputetë me 6-8 mandate parlamentare (nga 1991). Kufizimi duhet të nisë me fillimin e mandateve dhe jo me miratimin e ligjit, praktikë e njëjtë që u ndoq edhe me vendosjen e mandatit për Prokuroren e Përgjithshme dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë.

Efektet e ndryshimit ligjor të vitit 2015 do të ndjehen dukshëm në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Tabela ilustruese e hartuar nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike tregon emrat më të njohur të qeverisjes lokale, të cilët nuk do të kenë të drejtë rikandidimi në zgjedhjet lokale 2019. Ndër emrat më të njohur janë kryebashkiaku i Durrësit Vangjel Dako, i Kamzës Xhelal Mziu, i Elbasanit Qazim Sejdini, i Policanit Adriatik Zotkaj, i Vorës Fiqiri Ismaili, i Konispolit Shuaip Beqiri, i Pustecit Edmond Themelko dhe i Maliqit Gëzim Topçiu.

Secili prej tyre ka qëndruar më shumë se tre mandate në krye të bashkisë. Fakti se më përpara kanë pasur mandate në një bashki me territor më të vogël sesa bashkia e krijuar me ndarjen e re territoriale nuk ndikon në numërimin e mandatit. “Bashkia e vjetër” është bërthama e “bashkisë së re” dhe juridikisht mandati mbetet i njëjtë, pra vijues.

Gati e njëjtë paraqitet situata me disa kryebashkiakë të tjerë, të cilët më përpara kanë drejtuar njësi më të vogla lokale (komuna) brenda territorit të bashkisë së madhe ku ndodhen aktualisht. Mendimi dominues i ekspertëve është se edhe mandatet e tyre vlejnë po aq sa edhe mandati i kryetarit të bashkisë, dhe për pasojë, mandatet në komunë llogariten si mandate në bashki.

Çështja e tyre mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, kjo në varësi nga pretendimet e tyre dhe vullneti politik i partive mbështetëse politike. Nëse mandatet numërohen vijuese, atëherë listës së kryetarëve të bashkive që nuk kanë të drejtë të rikandidojnë më 2019 i shtohen emra të tjerë të njohur si Zef Hila në Vaun e Dejës, Agron Kapllanaj në Mallakastër apo Nesim Spahiu në Çorovodë.

Bazuar në të dhënat zgjedhore gjatë viteve të kaluara ka edhe një listë të tjerë emrash, të cilët edhe nëse duan nuk mund të rikandidojnë për bashkitë më 2019, për shkak të konsumimit të tri mandateve si kryebashkiakë. Konkretisht, Edi Rama nuk mund të rikandidojë në Tiranë, Fadil Nasufi në Berat, Shpetim Gjika në Vlorë, Artan Shkëmbi në Pogradec, Flamur Bime në Gjirokastër, Adriatik Brace në Kolonjë, Artur Kurti në Kuçovë, Bardhyl Peka në Has, Zizo Lluci në Finiq, Baftjar Zeqo në Fier, Ilir Krosi në Dibër, Valter Miza në Devoll, Roland Keta në Bulqizë apo Arif Tafani në Belsh.

Ka edhe disa emra më pak të njohur që gjithashtu nuk mund të kandidojnë më në bashkitë ku kanë drejtuar me tre mandate gjatë periudhës së parë të tranzicionit. Shumica e tyre, përfshirë emrat e cituar më lart në këtë paragraf, nuk kanë ambicie ri-kandidimi, megjithatë ka prej tyre që vijojnë të jenë drejtues politikë apo deputetë, pra të mbajnë poste partiake dhe kështu, të jenë pjesë në vendimmarrjen politike qendrore e lokale.

Ekzistenca e mandateve të shumta drejtuese në bashki është gjykuar më 2015 si një faktor pengues për zhvillimin e qeverisjes vendore dhe demokracisë lokale. Në Shqipëri ka zyrtarë lokalë që kanë pasur mandate të shumta, mbi tre mandate, kryesisht në zona bastion të partive politike. Rekord nga kryebashkiakët e sotëm është p.sh, Gëzim Topçiu në Maliq, i cili drejton bashkinë nga viti 2000 (fitues më 2000, 2003, 2007, 2011 dhe 2015) apo si Fiqiri Ismaili në Vorë, i cili drejton bashkinë nga viti 2003.

Sipas parashikimeve të Insitutit të Studimeve Politike, largimi nga drejtimi lokal i disa prej kryebashkiakëve të njohur, midis të cilëve gjenden si edhe emra gjerësisht të kontestuar dhe të akuzuar për korrupsion, ashtu edhe emra që nuk kanë bërë headline negative në media dhe as komunitetet lokale, – pritet të shoqërohet me luftë të ashpër politike brenda partive politike që dominojnë këto bashki. Për shkak të sistemit tonë politik, kompetencave në ushtrimin e funksionit por edhe natyrë klienteliste të qeverisjes në vend, pozita e kryetarëve të disa bashkive të mëdha është de facto shumë herë më dominuese dhe më ndikuese në parti, në vendimmarrje, në publik, në media, në grupet e interesit, etj, sesa e pjesës më të madhe të deputetëve dhe e disa prej ministrave. Kjo është edhe një arsye përse që tani, më shumë se një vit përpara procesit zgjedhor lokal 2019, dy nga tri partitë kryesore kanë filluar të testojnë kandidatë për kryetarë bashkie, si dhe u kanë kërkuar tashmë disa deputetëve të tyre të dorëzojnë mandatet parlamentare për të konkurruar në zgjedhjet lokale.

Pavarësisht nga këto zhvillime të pritshme, qeverisja vendore në Shqipëri përballet ende me sfida të mëdha dhe koncepti i “vetëqeverisjes vendore” që gjendet në emërtimin e ligjit organik është de facto shumë larg “vetëqeverisjes”. Pushteti vendor vijon të ketë rol dominues mbi qeverisjen vendore, roli i “parlamentit lokal” është dobësuar ndjeshëm, sistemi i drejtimit është vertikal, dhe në shumicën e rasteve prioriteti kryesor i punës së bashkive nuk është shërbimi real ndaj komunitetit dhe administrimi i territorit, por akte të tjera dytësore, prej të cilave ushqehen modele klienteliste dhe politika abuzive. Për pasojë, edhe me eksperimentet e vazhdueshme me bashkitë (komunat) nuk kemi arritur ende të krijojmë modele inspiruese të kryebashkiakut, të cilit do të duhet ti referohen brezat e ardhshëm dhe të ishin baza për mirëqeverisjen e nesërme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test