Hodaj: Shumë shpejt rezultate konkrete nga vettingu në polici

Shqipëria

Hodaj: Shumë shpejt rezultate konkrete nga vettingu në polici

Më: 25 mars 2018 Në ora: 20:18
Policia e Shqipërisë

Brenda disa javësh do të ketë rezultate konkrete të procesit të vettingut në Policinë e Shtetit.

Kështu deklaron zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj  duke theksuar se mbështetja dhe vlerësimi i FBI-së për procesin e vettingut në polici janë një garanci e shtuar dhe inkurajim i vlefshëm për realizimin e një procesi cilësor, që do të ndihmojë organizatën e policisë të jetë efikase në betejën e saj të përditshme për goditjen e krimit dhe shtimin e sigurisë publike.

Hodaj nënvizon se ndihma e partnerëve ndërkombëtarë të Ministrisë së Brendshme për vettingun në polici ka qenë dhe mbetet e vyer për të siguruar rezultatet e pritshme drejt pastrimit dhe rritjes cilësore të organizatës.

Ai sjell në vëmendje takimet e zhvilluar në  SHBA të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ku procesi i vettingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme e Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka marrë vlerësime pozitive e mbështetje edhe nga Zyra Federale e Hetimit (FBI) .

Zëvendësdrejtori i FBI-së, David L. Bowdich, gjatë takimit me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj në Uashington, ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për reformimin e policisë dhe veçanërisht procesin e vettingut.

Bowdich konstatoi se vlerat dhe standardet, mbi të cilat mbështeten këto reforma të qeverisë shqiptare, reflektojnë ato të ndjekura nga FBI. Zv/drejtori i FBI shpjegoi gjerësisht për delegacionin shqiptar si realizohet procesi i shqyrtimit të aplikimeve, hetimit të së shkuarës dhe aseteve, testimit dhe deri në fazën e nënshtrimit ndaj poligrafit. Ky proces zbatohet periodikisht nga FBI, çdo 5 vjet.

Duke marrë parasysh kohën, energjitë, burimet njerëzore dhe financiare që kërkon procesi i verifikimit të integritetit të çdo punonjësi, z.Bowdich vlerësoi nismën e Ministrit të Brendshëm për vettingun në polici, si një kontribut të çmuar për përmirësimin e kulturës së organizatës policore në Shqipëri./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat