Gabimi i bashkisë “përplas” në gjykatë familjarët

Shqipëria

Gabimi i bashkisë “përplas” në gjykatë familjarët

Më: 28 mars 2018 Në ora: 21:35
Doriani Shahini

Fiks Fare sjell fakte se nga bashkia Pogradec është regjistruar një apartament me dy certifikata të ndryshme trungu familjar. Ndërkohë që kontrata fillestare e privatizimit e vitit 1993 ish lidhur vetëm me njërin prej tyre, me Nuri Shahini.

Djali i tij, Ylli Shahini jetonte në mirëbesim në shtëpinë e të atit dhe sipas dokumentacionit nga trungu familjar rezulton të jetë ndarë që në vitin 1987. Ylli Shahini ka bërë disa herë kërkesa si i pastrehë madje statusin e të pastrehit e ka fituar me vendim të Këshillit Bashkiak të vitit 1993.

Pavarësisht se ne kontratën e vjetër të privatizimit përfitues është vetëm Nuri Shahini, nga Bashkia Pogradecit në 2016, në riformulimin e ri të kontratës është vendosur si përfitues edhe Ylli Shahini, edhe pse me trung familjarë më vete. Të gjitha këto lëvizje kanë nxjerrë si pronare të apartamentit edhe nusen e shtëpisë, Gurien.

Në Fiks Fare u ankuan nipi i zotit Nuri Shahini, Doriani. Sipas tij, në shtëpinë e tyre është hapur një konflikt nga Bashkia Pogradec për sa i takon privatizimit të banesës së tyre. Në vitin 2016 ata përfundojnë dokumentet për privatizimin e shtëpisë. Kur marrin certifikatën e pronësisë, zbulojnë se nusja e shtëpisë dilte pronare me 20 % të apartamentit. Nipi tregon se gjatë kësaj periudhe që janë bërë dokumentet ai ka qenë në Gjermani me nënën e tij të sëmurë dhe kur kanë ardhur janë gjetur para një fakti të patjetërsueshëm tashmë nga bashkia. Përgjegjësia e strehimit pranë bashkisë, që sot ka dalë në pension dhe ka përgatitur dosjen ka futur dy certifikata të trungu familjarë, atë të Ylli Shahinit dhe Nuri Shahini.

Dorian Shahini e pranon se kanë jetuar në një shtëpi me xhaxhin e tij Yllin, por kjo për shkak se gjendja e tij ekonomike ishte shumë e keqe. Si rezultat i kësaj situate të keqe ekonomike nuk mund të paguanin qera dhe për këtë arsye Nuriu, gjyshi i Dorianit, i kishte hapur shtëpinë e tij.

Fiksi u interesua pranë Bashkisë Pogradec ku intervistuan përgjegjësen e re të zyrës së strehimit Ivana Llakmanin. Ajo pretendon se kjo dosje është punuar nga paraardhësja e saj. Sipas saj ka disa gjëra që nuk rakordojnë dhe nëse ajo sot do të kishte këtë dosje për shqyrtim nuk do të dinte se si ta zgjidhte. Për këtë arsye i kërkon që t’i drejtohen gjykatës, pasi vetëm aty mund ta zgjidhin këtë konflikt.

Për të verifikuar dosjen e plotë gazetarët e Fiksit u interesuan edhe pranë ZRPP-së Pogradec. Hipoteka ia faturoi menjëherë gabimin bashkisë, pasi ata kishin regjistruar të dyja certifikatat që bashkia u kishte dërguar. Gazetarët iu rikthyen edhe njëherë zyrës së strehimit dhe përgjegjësja e saj kur u pyet se pse nga ana e zyrës së tyre i janë dërguar 2 certifikata ZRPP-së, ajo ngre supet dhe shprehet se nuk di ta shpjegojë këtë fakt. Ajo gjithashtu thotë se Ylli Shahini dhe bashkëshortja e tij Gurija në vitin 1993 ka përfituar statusin e të pastrehut me vendim të këshillit bashkiak.

Tollonat e ushqimit shkak për ndarjen nga trungu familjar
Gazetarët e Fiksit intervistuan edhe Gurien e cila ka jetuar dhe jeton akoma në të njëjtën dhomë prej 35 vitesh. Dhomë që sipas saj ka paguar si të gjithë banorët e tjerë. Lekët ja ka dhënë Nuriut, vjehrrit apo kunatit Dashamirit. Ajo thotë se nuk e di si përfundoi pronare. “Më thanë firmos e unë firmosa” Nuk e di se çfarë kanë bërë. Unë kam kërkuar strehim është e vërtetë po nuk kam marr as shtëpi dhe as kredi.” Pohon znj.Gurie. Ajo thotë se nga trungu familjar janë ndarë në vitin 1987 për tollonat e ushqimit, për asnjë arsye tjetër, pasi fizikisht kanë 35 vite në të njëjtën banesë me vjehrrin, kunatin dhe familjen e tij.

Për zgjidhjen e këtij konflikti familjes Shahini do t’i duhet të përplaset në Gjykata pasi sipas specialistes së bashkisë, kjo e fundit nuk i jep dot zgjidhje pasi ka kaluar afati i ankimimit dhe është ekzekutuar në hipotekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat