Kalimashi digjet, Rama në Vlorë tregon histori me punësime: Duan në shtet që të pinë kafe

Shqipëria

Kalimashi digjet, Rama në Vlorë tregon histori me punësime: Duan në shtet që të pinë kafe

Më: 31 mars 2018 Në ora: 12:26
Edi Rama

Ndërkohë që në Rrugën e Kombit, qytetarë të shumtë protestonin kundër taksës, Kryeministri Edi Rama merrte pjesë në prezantimin e projekteve të strategjisë së re të punësimit në Vlorë.

Pasi ka dëgjuar sipërmarrës të shumtë por edhe drejtues lokal, kryeministri Edi Rama ka treguar disa përvoja personale me ata që duan të punësohen. Ai ka nisur me kryetarin e një organizate socialiste në Vlorë, i cili kishte kërkuar punë në shtet për 60 vetë, anëtarë të organizatës. Por, kur kryeministri ka kërkuar që të punësohen në privat, ai nuk ka pranuar.

“Bëmë pasditen e djeshme mbledhjes e Asamblesë së PS në Vlorë. Çohet një kryetar organizate dhe kërkon punë në shtet për anëtarët e organizatës. I thashë sa ke pa punë? Më dha një shifër vlonjatshe, 60 vetë. Unë i them të 60 anëtarët e organizatës nëse janë të papunë unë do rri këtu dhe nuk iki në Tiranë pa t’i futur në punë, ama në privat. Në privat, jo tha. Për shumë njerëz tanët, partia nuk mund t’i lërë në dorë të privatit. Epo në shtet nuk ka. Në shtet hyjnë në punë njerëz për të bërë detyrat e shtetit. Shteti nuk është zyrë punësimi, që kush është pa punë të hyjë në punë”, tha Rama.
Kryeministri ka vijuar me kërkesën e një tjetër socialisti. “Dua të ma bësh gruan pastruese. Dakord, në privat i them. A, jo në shtet. Sepse fshesën e shtetit mund ta lësh në cep e të pish kafe, fshesën e privatit duhet ta tundësh. Kjo është ideja”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama vijoi me një tjetër prind nga Kukësi, që sipas tij kishte marrë 4 oferta për punë dhe i kishte refuzuar.

“Një prind, edhe ky me shumë karrierë heroike në PS, më çon mesazh nga Kukësi, po vdes për bukë unë dhe familja ime. I them që nesër në punë. Nëse pranon punë dhe unë mund të ndihmoj, vetëm në privat. Ç’është kjo unë pranoj punë, pranoj çdo punë, unë po vdes me gjithë familjen time, thotë. Ia çoj mesazhin ministres dhe dje më vjen mesazhi i drejtorit të zyrës së punës, katër oferta për punë zotërisë për vete dhe për djalin. Sa shikon ofertën për punë, që ishte punë-punë, tha unë nuk kam nevojë po të paktën më fusni djalin. Djali me shkollim 8 klasë. Banakier, lavazhier, kamerier, ngarkim-shkarkim. Përgjigjja nuk e kam djalin për t’i shërbyer të tjerëve se e kam plot me 8 klasë”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat