TVSH për biznesin e vogël, Ahmetaj: Nuk rrit çmimet

Shqipëria

TVSH për biznesin e vogël, Ahmetaj: Nuk rrit çmimet

Më: 4 prill 2018 Në ora: 18:37
Arben Ahmetaj

Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj në raportimin para grupit parlamentar socialist tha se Taksa mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël nuk është kosto as për biznesin dhe as për konsumatorët.

“Biznesi i vogël mbi 2 milionë lekë të reja, deri në 5 milionë lekë do t’i nënshtrohet detyrimit për deklarim të TVSH. Por, nuk ka rritje çmimesh, nuk ka rritje kostosh. Atë shumë të TVSH konsumatori e ka paguar në çdo shitje. Biznesi i vogël formal e ka të përfshirë në çmimin final TVSH në zinxhirin e vet. Në finale, konsumatori e ka paguar dhe nuk ka kosto për biznesin e vogël”, deklaroi ai.

Në total janë rreth 11 mijë biznese të vogla që do të hyjnë në skemën e deklarimit të TVSH dhe Ahmetaj thotë se nuk bëhet fjalë për një taksë të re.

“Nuk është taksë e re. Është taksë e vjetër. Detyrimi për ta deklaruar është detyrim administrativ pa ngarkesë kostoje”, vijoi ministri.

Arben Ahmetaj u ndal edhe tek taksa për pronat, ai tha se ka një paketë solidariteti social. Kjo paketë, sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe përjashton nga kjo taksë pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomikë, ndërsa për shtëpitë të ndërtuara para vitit 1993 do të paguhet 30 për qind më pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat