Vdekja misterioze e 13-vjeçares, apeli i babait të këput shpirtin: Katër fëmijët e tjerë i kam në spital, ju lutem…

Shqipëria

Vdekja misterioze e 13-vjeçares, apeli i babait të këput shpirtin: Katër fëmijët e tjerë i kam në spital, ju lutem…

Më: 10 prill 2018 Në ora: 14:18
Ilustrim

Kur kanë kaluar dy javë pas vdekjes së 13-vjeçares, familja Smajli nga fshati Berishë i Pukës bën apel që t’i vihet në ndihmë katër fëmijëve të tjerë, të cilën ndodhen ende në spital.

Në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, babai i fëmijëve thotë se vajza dhe djali ndodhen në gjendje më të rëndë, ndërsa bën apel për ndihmë.

I ati i 13-vjeçares Lini Smajli tregon momentet e rënda kur vajza dha shpirt, si dhe telefonatën me mjekun e familjes. Ai thotë se sapo mjeku ka shkuar në banesë, ka kërkuar ndihmën e institucioneve dhe ka ardhur një helikopter për të transportuar edhe fëmijët e tjerë të sëmurë të familjes drejt Tiranës.

Humbja e vajzës e ka dërrmuar në shpirt por thotë se rron me shpresë që të paktën të shpëtojë vajza tjetër, më e vogël që prej 14 ditësh ndodhet në reanimacionin e Pediatrisë në QSUT e prekur nga një pneumoni masive në anën e djathtë.

Nga kryefamiljari mësojmë se e gjithë familja Smajli ka braktisur shtëpinë në fshatin e thellë në Fushë Arrës dhe është transferuar momentalisht në pavijonet e QSUT ku veç vajzës 11-vjeçare mbahen të shtruar edhe 3 djemtë, që ndodhen në Shërbimin Infektiv për të rritur.

60-vjeçari shfaqet i përlotur teksa flet për dramën që ka pllakosur në familjen e tij të varfër, ku edhe e vetmja e ardhur nga ndihma ekonomike 5 mijë lekë në muaj i është ndërprerë që në janar ,pasi siç thotë edhe vetë e ka pasur të pamundur të shkojë në qytet për të bërë dokumentet për shkak të izolimit nga dëbora.

Për qeverinë ka vetëm një lutje, që ta ndihmojë në hallin e madh që i ka rënë.

Sipas spitalit “Nënë Tereza” shërbimi mjekësor i ofruar për 4 fëmijët e familjes Smajli ka qenë maksimal dhe nuk i ka munguar asnjë medikament.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat