Afrimi i sezonit turistik veror, përpjekje për rritjen e numrit të trageteve

Shqipëria

Afrimi i sezonit turistik veror, përpjekje për rritjen e numrit të trageteve

Më: 10 prill 2018 Në ora: 14:23
Ilustrim

Rritja e numrit të trageteve që përshkojnë linjën detare Vlorë-Brindisi dhe anasjelltas, është një nga çështjet që ka hyrë në programin e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore respektive të këtyre dy qyteteve.

Kjo edhe për faktin, se me afrimin e sezonit turistik veror, rritja e kapaciteteve të transportit detar të ndërsjellë, shndërrohet në një domosdoshmëri.

Përmes një nisme të përbashkët, mes Bashkisë dhe Prefekturës së Vlorës, me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në këtë qytet, si edhe institucioneve të tjera lokale, janë intensifikuar përpjekjet për të zgjidhur këtë problem, që, përbën edhe një nga kërkesat e komunitetit të biznesit në Vlorë.

Pas një vizite të muajve më parë në Brindisi të një delegacioni vendor nga Vlora, ku përfshihej edhe kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, pritet që të ketë së shpejti një të tillë anasjelltas edhe nga homologët e qytetit mik të Italisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Rajonit të Vlorës, Arben Breshani, thotë për ATSH-në se, titullarë lokalë nga Brindisi, duke përfshirë edhe Kryetarin e Dhomës së Tregtisë së këtij qyteti, pritet të mbërrijnë së shpejti në Vlorë, për të vijuar kristalizimin e programit të bashkëpunimit që do të mundësojë dyfishimin e kapaciteteve të transportit në linjën detare mes dy qyteteve, përmes shtimit të të paktën edhe një mjeti tjetër lundrues.

Aktualisht, në linjën detare Brindisi-Vlorë, funksionon një traget i vetëm, që nuk arrin të përballojë kërkesat për transportin e ndërsjellë të udhëtarëve dhe mallrave. Me përjashtim të ditës së diel, ky mjet lundrues përshkon çdo ditë në itinerarin dhe kahjet respektive, hapësirën detare mes dy vendeve.

Në periudhën e sezonit veror, ka një shumëfishim të fluksit të lëvizjes kryesisht për shkak të rritjes së numrit të turistëve të huaj, që zgjedhin Vlorën apo ardhjes së emigrantëve që jetojnë e punojnë prej vitesh në Itali e vende të tjera të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat