Tusk shprehet optimist në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Shqipëria

Tusk shprehet optimist në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

Më: 24 prill 2018 Në ora: 13:44
Donald Trump

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka nisur sot turin e tij në Ballkan, duke bërë kështu ndalesën e parë në Shqipëri, vend ky, i cili edhe mori propozimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nga Komisioni Evropian.

Tusk në Shqipëri u prit nga kryeministri Edi Rama, i cili edhe organizoi një pritje solemne për të.

Pas takimit të përbashkët, në një konferencë për media, Rama shprehu falënderimin e tij për presidentin Tusk, duke thënë se pas këtij procesi, Shqipërinë tash e presin sfida të mëdha, duke theksuar se është i bindur se ato do tejkalohen.

“Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur gjithë mbështetjen e plotë të vendeve anëtare. Ne rekomandimin e shikojmë si përfundimin e një faze dhe hapjen e një faze të re edhe më të vështirë, në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na presin në këtë proces, ashtu siç kemi bindjen e plotë se këto sfida janë të kapërcyeshme vetëm përmes procesit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit që deri më tani na ka sjellë në këtë pikë, në mes të Komisionit dhe vendit tonë. Ky proces lidhet me të ardhmen e vendit tonë dhe me domosdoshmërinë që ne duhet të ndërtojmë Shqipërinë Evropiane. Është në proces ku ne jemi përfshirë, jo pse na kërkojnë të tjerët por që është interes i qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Folëm edhe për procesin e thellimit të bashkëpunimit dhe përsëri nënvizova se ky proces transformues për rajoni është i lidhur me bashkëpunimin. Presidenti Tusk ka pasur fjalë të duhura për ne, ka qenë inkurajues i vendosur i joni dhe i shprehi mirënjohje për këtë mbështetje të madh. Në fund, gëzohem që sot është një ditë e shkëlqyer me diell, duke shprehur se dielli i Shqipërisë do t’ia lehtësojë Tusk peshën e grisë nga Brukseli që sapo ka ardhur”, është shprehur Rama, transmeton Indeksonline.

Ndërsa Tusk, duke qeshur me batutën e Ramës që e shprehur në fund të fjalimit të tij, ka thënë se ai ka qenë gjithmonë një mik i përkushtuar i Shqipërisë.

“Kam qenë mik i përkushtuar dhe kjo është arsyeja pse jam i lumtur që jam në Tiranë dhe i jam mjaft mirënjohës Ramës për mikpritjen. Përgëzoj popullin shqiptar për për përpjekjet e mëdha dhe po bëheni gati të nisni një projekt më të rëndësishme për vendin tuaj. Kur vendi im i nisi bisedimet e ngjashme në vendin tonë ne e dinim se gjithçka duhet të ndryshojë. Është ëndrra ime që Shqipëria të ndjek të njëjtin rrugëtim drejt BE. Nuk kam asnjë dyshim që ju do ta bëni këtë, dhe është kështu në interesin më të mirë evropian që Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit të jetë në BE. Nuk do të ndodh brenda  natës, do të ketë shumë sfida, dhe dua të jem i qartë se është bërë mjaftueshme për të hapur bisedat për anëtarësim”, ka thënë Tusk.

Ndryshe, duhet theksuar se në vazhdën e vizitave në Ballkan, Tusk do vizitojë Kosovën gjatë ditës së enjte, ku edhe do takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat