Rama i dhuron Patriarkut rus statujën e heroit Skënderbeu

Shqipëria

Rama i dhuron Patriarkut rus statujën e heroit Skënderbeu

Më: 30 prill 2018 Në ora: 14:40
Edi Rama ,Patriarku rus Kirill,

Ndërkohë që Patriarku rus Kirill gjatë një takimi në Tiranë ka lavdëruar punën e kryeministrit Edi Rama derisa ishte kryebashkiak për ndryshimet e pamjes së kryeqytetit shqiptar, kreu i qeverisë nuk ka hezituar t’i dhurojë një statujë të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, me shpresën se Kirill do ta mbajë në zyrën e tij.

Vetë Patriarku falënderoi Ramën për ndryshimet e Tiranës, kur ai ishte si kryebashkiak, duke u shprehur se “çështjet estetike luajnë rol të madh në jetën e njeriut”.

“Jam shumë i impresionuar nga arritjet në Tiranë, janë ndryshime vërtetë të jashtëzakonshme. Tirana tani është qytet shumë i bukur. Merita shumë e madhe ju përket juve, si kryebashkiak i Tiranës, dhe unë ju përgëzoj për veprat e mëdha që keni kryer në atë post. Çështjet estetike luajnë rol të madh në jetën e njeriut, estetika është faqja e jashtme e harmonisë por kur flasim për harmoninë nuk flasim vetëm për gjëra e jashtme, po mund të theksoj lidhjen e ngushtë mes kulturës së njerëzve dhe punës së Kishës. Në një vizitën time nuk do tu them konkretisht në cilin vend, pata mundësinë të njihesha me shembujt e artit modern”, tha Patriarku Kirill.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se vizita e Patriarkut ruse përkon me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale shqiptare.

“Më vjen mirë që vizita juaj përkon dhe me 110-vjetorin e kishës autoqefale shqiptare, kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, imzot Fan Noli u shugurua prift nga peshkopi rus i Nju Jorkut. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit. Më thatë që jeni të impresionuar nga ndryshimet e mëdha të Tiranës. Shpresoj të largoheni nga Shqipëria me një përshtypje sa më të mirë”, u shpreh Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat