PD kthehet në Kuvend/ Basha i jep 48 orë afat Ramës për vendimin ndaj Xhafajt

Shqipëria

PD kthehet në Kuvend/ Basha i jep 48 orë afat Ramës për vendimin ndaj Xhafajt

Më: 15 maj 2018 Në ora: 09:30
Sali Berisha

Partia Demokratike ka vendosur të ndryshojë strategjinë e saj opozitare, menjëherë pas publikimit të përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, thirri Grupin Parlamentar, menjëherë pasi deputetët Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe këshilltari ligjor i PD-së, Gazment Bardhi, publikuan përgjimin ambiental të Agron Xhafës.

Duke nisur nga kjo e martë, demokratët do të ndërpresin marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, duke marrë pjesë rregullisht në komisionet parlamentare në Kuvend. Kryetari i PD-Së, Lulzim Basha, në mbledhjen me dyer të mbyllura, ka kërkuar nga deputetët e PD-së të rikthehen në Kuvend dhe të mos lejojnë vijimin normal të komisioneve parlamentare.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura nga grupi i PD-së pohojnë për “Panorama”, se qëllimi i vetëm i demokratëve në komisionet parlamentare do të jetë denoncimi i skandalit të Fatmir Xhafës në mbrojtje të vëllait të tij trafikant të lëndëve narkotike dhe kërkesa për largimin e menjëhershëm të tij.

Skenarin e tyre për të mos lejuar vijimin normal të komisioneve parlamentare, demokratët do ta nisin nga dita e sotme. Sipas burimeve, demokratët do të kërkojnë vazhdimisht fjalën për procedurë në komisione, duke mos lejuar vijimin normal të diskutimeve, pa pasur një reagim nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Image

ULTIMATUMI

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar të PD-së, sqarojnë se Basha ka folur për 48 orë afat për qeverinë për të mbajtur një qëndrim lidhur me skandalin e publikuar nga PD për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas të njëjtave burimeve, kreu i PD ka theksuar se opozita do të presë një vendimmarrje nga maxhoranca deri ditën e enjte dhe më pas do të kalojë në hapa të tjerë më të mëdhenj. Në mbledhjen me dyer të mbyllura ka folur edhe ishKryeministri Sali Berisha, i cili edhe një herë ka denoncuar lidhjet e kësaj qeverie me trafikantët e lëndëve narkotike.

Sipas burimeve, Berisha ka deklaruar se vetëm me një maxhorancë të tillë dhe në një vend si Shqipëria, mund të ndodhë që dy ministra të Brendshëm të akuzohen dhe provohen si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Berisha ka kërkuar një reagim të ashpër të deputetëve të PD-së, përballë një qeverie të lidhur ngushtë me krimin dhe me trafikantët e lëndëve narkotike.

Ndërkohë që opozita do të vijojë aksionin e saj në Parlament, denoncimet në lidhje me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, do të vazhdojnë. Deputetët Alibeaj, Salianji dhe ish-ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, do të vijojnë të denoncojnë qëndrimet e mbajtura nga Fatmir Xhafaj për të mbrojtur vëllain e tij nga vuajtja e një dënimi të formës së prerë, që ka marrë në shtetin italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat