Analistët: Xhafaj të dorëhiqet! Nuk mund të jetë më ministër i Brendshëm

Shqipëria

Analistët: Xhafaj të dorëhiqet! Nuk mund të jetë më ministër i Brendshëm

Më: 15 maj 2018 Në ora: 19:55
Fatmir Xhafaj

A duhet të japë dorëheqjen Fatmir Xhafaj nga detyra e ministrit të Brendshëm? Politika debaton prej ditësh për këtë, ndërsa dy analistë e njerëz të medias që pyeti Top Channel nuk kanë dyshime se morali i ministrit të Brendshëm tashmë është i cenuar.

“Mendoj sërish se ai duhet të japë dorëheqjen. Pse? Sepse kemi dy momente. Kemi konflikt interesi në detyrën e tij si ministër i Brendshëm me cështje të vëllait dhe moralitet të cenuar. Ne jemi në kulmin e luftës kundër trafikut dhe lufta kundër trafikut bëhet nga ministri i Brendshëm. Është një cenim moraliteti i hapur mendoj në këtë rast”, thotë Arion Sulo i MAPO-s.

“Duhet ta japë dorëheqjen zoti Xhafaj. Është në konflikt interesi. A mund ta arrestojë të vëllanë pas këtij skandali zoti Xhafaj? Pra kemi dorëheqjen si akt moral, por kemi edhe implikimin ligjor derisa të mësojmë të kundërtën”, thotë Alfred Lela nga politiko.al.

A ishte deklarata e Taulant Ballës një mbrojtje apo lëshim i ministrit?

“Si rrallë herë, pa ju futur teorive konspirative, mendoj se ka mbajtur një qëndrim korrekt”, mendon Sulo.

“Nëse audio është autentike, hodhi dyshimin z. Balla? Në mbëmje vonë z. Xhafaj u paraqit me këtë padi, me këtë premisë: audio nuk është autentike”, deklaron Alfred Lela.

Përtej qëndrimit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafës i njihet simpatia që gëzon te ndërkombëtarët, të cilët po heshtin përballë akuzave të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm.

“Ka një faktor të tretë në lojë, i cili e ka mbështetur z. Xhafaj në krye të ministrisë së Brendshme si pasojë e punës së tij me reformën në drejtësi, por nuk mendoj se faktori ndërkombëtar do të arrijë deri aty sa të dali kundër parimeve dhe aktivitetit të vet në Shqipëri”, deklaron Arion Sulo.

“Unë nuk do të doja të shihja z. Xhafaj të binte në pozitën e z. Tahiri që e shtyu e shtyu fatin e vet deri në fund dhe bëri sërish atë që mund të kishte bërë që në fillim pa arrest, pa stërgjatje, pa ndërhyrje gjermane e me radhë. Unë kam përshtypjen se edhe në rastin e z. Xhafaj do të veprojë i njëjti mekanizëm. Zgjidhja e z. Xhafaj është ta presë tani nyjen vetë, apo ta presë një dorë tjetër e huaj?”, shprehet Alfred Lela.

Të dy analistët bien dakort se Partia Demokratike në këtë çështje është në funksionin e vet opozitar, me të cilin ka rigjetur vëmendjen e opinionit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat