Shullazi çon në gjykatë për 80 mijë euro 6 punonjës banke

Shqipëria

Shullazi çon në gjykatë për 80 mijë euro 6 punonjës banke

Më: 17 maj 2018 Në ora: 19:22
Shullazi

Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua procesi gjyqë- sore ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

Që në fillim, mbrojtja kërkoi që të administrohen si prova disa lëvizje jashtë vendit të Ylvi Beqes, dëshmitarit të mbrojtur që ka denoncuar Shullazin se e ka kërcënuar për t’u bërë bashkëpronar i ish-hotel “Vollgës”.

Sipas mbrojtjes, të dhënat e sistemit TIMS për lëvizjet e Beqes në Mal të Zi përmbajnë të dhëna me rëndësi, pasi dyshohet, sipas tyre, që ai ka transferuar shuma të mëdha parash jashtë vendit. Gjithashtu, u pranua edhe kërkesa e mbrojtjes për të thirrur në gjyq si dëshmitare 6 arkëtaret e një banke të nivelit të dytë, të cilat kanë thyer çeqet e Ylvi Beqes, dhënë për Gilmando Danin.

Dy prej të pandehurve të procesit të Emiljano Shullazit, Gilmando Dani dhe Endrit Zela, pretendojnë se janë zënë në kurth nga biznesmeni Ylvi Beqja, dëshmia e të cilit mban në burg anëtarët e grupit. Ata pretendojnë se biznesmeni Ylvi Beqja i ka mashtruar me tërheqjen e disa çeqeve. Deri më tani, është e provuar se Gilmando Dani dhe Endrit Zela kanë tërhequr të paktën katër çeqe nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë, në shuma që silleshin nga 6 mijë deri në 80 mijë euro.

Por ndryshe nga sa pretendon Prokuroria e Krimeve të Rënda, Dani dhe Zela thonë se paratë ia kanë dorëzuar menjëherë biznesmenit Ylvi Beqja. Sipas tyre, Beqja këto para i ka nxjerrë jashtë vendit, në Malin e Zi dhe Itali. Çeqet janë tërhequr në periudhat kohore nëntor-dhjetor 2014. Duke iu referuar të dhënave të siguruar nga sistemi TIMS, në të njëjtën ditë, biznesmeni Beqja ka udhëtuar me traget drejt Italisë, ose në rrugë tokësore për në Malin e Zi.

Në të gjithë këto raste, ai ishte kthyer në Shqipëri 24 orë më vonë, ose në të njëjtën ditë, siç ishte rasti i 5 dhjetorit 2014, ku Beqja rezultonte se kishte qëndruar vetëm 4 orë në Malin e Zi. Ylvi Beqja është momentalisht personi i vetëm që mban në burg grupin e Shullazit. Dëshmia e tij në gjyq dhe Prokurori çoi në prangat e grupit.

Beqja pretendon se Emiljano Shullazi e ka kërcënuar për çështjen e ish-hotel “Vollgës” në Durrës dhe e detyroi që ai të bëhej bashkëpronar. Por nga ana tjetër, Shullazi tregon se ka qenë Beqja që i ka trokitur në derë dhe i ka kërkuar ndihmë për ish- ”Vollgën”, pasi, sipas tij, kërcënohej nga pala tjetër që pretendonte pronësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat