1.8 tonët e kokainës në Gjermani vënë në lëvizje prokurorinë shqiptare

Shqipëria

1.8 tonët e kokainës në Gjermani vënë në lëvizje prokurorinë shqiptare

Më: 20 maj 2018 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Sasia prej 1.8 tonë kokainë e bllokuar në Gjermani në disa operacione policore në gjashtë muajt e fundit është trafikuar nga Ekuadori përmes ngarkesave me banane.

Thuajse e njëjta skemë e përdorur edhe nga shoqëria “Arbi Garden” për sasinë prej 613 kg kokainë të futur në portin e Durrësit në Maj, dyshohet nga autoritetet gjermane të ketë funksionuar për futjen në këtë vend të drogës me vlerë tregu mbi 400 milionë Euro.

Të paktën 13 nga të arrestuarit, si të përfshirë në këtë grup kriminal, janë shtetas shqiptarë. Autoritetet gjermane janë duke vazhduar hetimet për të dokumentuar dhe provuar rolin e secilit në grupin kriminal të përfshirë në trafikimin e drogës së fortë nga Amerika Latine.

Një pjesë e tyre janë me banim në Gjermani. Policia gjermane e konsideroi sukses operacionin e arrestimit të tyre, duke sqaruar se u godit një rrjet i madh të trafikut ndërkombëtar të drogës që drejtohej nga shqiptarët.

Ndërkohë hetimi për këtë rast nuk ka lënë pa prekur edhe territorin shqiptar. Pas shkëmbimit të informacionit në kuadër të marrëdhënieve të ndihmës juridike me palën gjermane, hetuesit e Krimeve të Rënda kanë nisur veprimet për verifikimin e pasurisë së shqiptarëve të arrestuar në Gjermani. Bëhet fjalë për identifikimin e pasurive të tyre në Shqipëri dhe më tej kalimin në filtrat e ligjit Antimafia, nëse ato janë siguruar në burime të ligjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat