Qeveria rikthen borxhin e fshehtë, në një vit 100 mln euro detyrime

Shqipëria

Qeveria rikthen borxhin e fshehtë, në një vit 100 mln euro detyrime

Më: 22 maj 2018 Në ora: 15:13
Shifrat janë bërë publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili vëren se buxheti i shtetit ka nisur sërish të krijojë detyrime të prapambetura.

Qeveria shqiptare krijoi mbi 100 milionë euro borxh të fshehtë vetëm vitin e kaluar duke mos i kthyer TVSH-në bizneseve private. Shifrat janë bërë publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili vëren se buxheti i shtetit ka nisur sërish të krijojë detyrime të prapambetura.

Sipas FMN, në fund të vitit 2017, totali i borxheve të prapambetura që ka sektori publik arriti 210 milionë euro. Nga kjo shifër 132 milionë euro janë borxh i fshehtë i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër detyrime të prapambetura që bashkitë kanë ndaj bizneseve private.

Por ndonëse borxhi i bashkive është i trashëguar prej disa vitesh, ai i qeverisë qendrore është krijuar thuajse i gjithë vitin e kaluar. Sipas FMN, këto para qeveria duhet t’ja kishte paguar bizneseve private për të rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por nuk e ka bërë duke i raportuar si të ardhura në buxhetin e shtetit.

Në raportin e detajuar FMN thotë se pjesa dërrmuese e TVSH-së së parimbursuar u përket vetëm tre kompanive, të cilat janë duke realizuar investimet më të mëdha në vend duke përfshirë gazjsllësin Transadriatik.

Vetë qeveria e pranon se nuk i ka kthyer në kohë TVSH-në këtyre kompanive. Por ministria e Financave tha për Top Channel se këto pagesa janë riskeduluar në marrëveshje me bizneset, ndaj nuk mund të konsiderohen si borxh i prapambetur.

Detyrimet e fshehta ndaj biznesit ishin arsyeja kryesore se pse borxhi publik i Shqipërisë kërceu në 73 për qind e prodhimit kombëtar. Pas zgjedhjeve të 2013-ës, qeveria e Edi Ramës mori 726 milionë dollarë hua për të paguar detyrimet e prapambetura të lënë nga qeveria e mëparshme.

Madje kjo çështje u shndërrua në një nga kartat kryesore të fushatës së Partisë Socialiste, ku Edi Rama premtoi çlirimin e biznesit nga kjo padrejtësi. Por sipas FMN, pesë vjet më vonë, qeveria ka nisur sërish të mos paguajë biznesin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat