Përgjigja nga Italia që nuk erdhi kurrë, Gjykata merr vendim për hetimet e “IMSI Catcher”

Shqipëria

Përgjigja nga Italia që nuk erdhi kurrë, Gjykata merr vendim për hetimet e “IMSI Catcher”

Më: 23 maj 2018 Në ora: 16:12
Paisja e përgjimit

Gjykata e Tiranës nuk ka pranuar të zgjasë edhe me tre muaj hetimet për pajisjen e dyshimtë IMSI Catcher, e cila u bë mollë sherri mes pozitës dhe opozitës rreth dy vjet më parë.

Muajin që shkoi, Gjykata vendosi pushimin e hetimeve për këtë pajisje, ndërsa Prokuroria e Tiranës është e bindur se do t’i rihapë ato, pasi po pret një letërporosi nga Italia në lidhje me funksionalitetin e pajisjes. Letërporosia pritet të sjellë të dhëna të vlefshme për përdorimin e pajisjes, nëse ajo përgjon biseda telefonike apo vetëm lokalizon numrat e telefonit.

Letërporosia nga autoritetet shqiptare ishte nisur në datë 13 nëntor të vitit të kaluar, por ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Në hetim për këtë çështje ishin ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, dhe specialistët Artjon Duka dhe Ention Xhelilaj.

Gjatë 2016, çështja IMSI Catcher ishte çështja e nxehtë në arenën e politikës, që u finalizua me ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar dhe me përplasje mes pozitës dhe opozitës. Në shënjestër u vu edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe në këtë çështje u përfshi edhe ish-kreu i SHISH-it, Visho Ajazi-Lika.

Pas shumë përballjesh politike, çështja u kthye në një betejë ligjore më pas. Nga ana e Gjykatës pati një pezullim të përkohshëm nga detyra të ish- drejtorit të përgjithshëm Haki Çako dhe dy masa arresti shtëpiak, vendime këto që u shfuqizuan nga Gjykata e Apelit.

Por italianët dhe shumë oficerë Policie të pyetur në Prokurori, këmbëngulin se pajisja është përdorur për trajnim, ndërkohë që Prokuroria hedh dyshime se në fakt ajo është përdorur gjatë fundjavave edhe në burgje. Shpresa e fundit për këtë hetim ka mbetur ekspertiza, për të cilën Prokuroria e Tiranës pret që të vijë brenda muajit maj.

Sipas Prokurorisë, kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.

Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat