Balla: Opozita të mbajë përgjegjësi për dëmin ndaj imazhit të vendit

Shqipëria

Balla: Opozita të mbajë përgjegjësi për dëmin ndaj imazhit të vendit

Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:15
Pamje nga turi “Puna për Shqipërinë që Duam”

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në kuadër të turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”, në njësitë Labinot Mal dhe Fushë Labinot të bashkisë Elbasan, është ndalur te protesta e organizuar ditën e shtunë nga opozita, duke kërkuar prej kësaj të fundit që të mbajë përgjegjësi për baltosjen e imazhit të vendit.

“Opozita thirri një protestë. Në çdo vend të botës opozita mund të thërrasë një protestë, por që  do vinte dita që pas 27 vitesh PD-ja do të thërriste protestë për “Babalen”, ky është turp i madh.

Nëse Edi Rama do të kishte pasur qoftë dhe një fije dyshimi nëse regjistrimi do të ishte i vërtetë, ministri Xhafaj nuk do të ishte më në atë detyrë. Por ama sfida është po ky Lulzimi me Saliun, mbajnë përgjegjësi për dëmin që i bëjnë imazhit të vendit dhe gjithë këtë baltë që i bëjnë Shqipërisë?

Do kishim dashur të kishim një opozitë konstruktive që në fakt llogaridhënien e parë mos ta bënim në publik, por në Kuvend” – tha Balla.?

Balla u bëri thirrje qytetarëve të përdorin platformën e bashkëqeverisjes për t’i dhënë zgjidhje me përgjegjësi çdo problemi me zyrtarët e shtetit.

“Dua t’ju nxis të gjithëve që mos të hezitoni në asnjë rast nëse një zyrtar në një zyrë të caktuar të shtetit jua nxin jetën, mos kini asnjë merak, vetëm denoncojeni. Vetëm për shkak të denoncimeve të qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, janë mbi 150 zyrtarë, të cilët jo vetëm që janë larguar, por sot  ndiqen penalisht. Ne portalin “Shqiperiaqeduam.al” nuk e kemi për  fasadë, ne besojmë tek kjo. Pas një viti ne jemi në zgjedhjet lokale dhe do mblidhemi bashkë dhe do të diskutojmë me kandidatin për kryetar bashkie çështje të ndryshme, por për ne është e rëndësishme që këtë proces bashkëqeverisje ta kemi, sepse kemi thënë dhe po e them dhe këtu, Partia Socialiste e Shqipërisë nuk do jetë në aleancë me asnjë, përveçse me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, përfundoi Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat