Gjermanët e pyesin për negociatat, Rama flet për “shpirtin” e Evropës

Shqipëria

Gjermanët e pyesin për negociatat, Rama flet për “shpirtin” e Evropës

Më: 4 qershor 2018 Në ora: 13:50
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin gjerman ARD dhe i pyetur në lidhje me hapjen e negociatave këtë muaj vendimtar për Shqipërinë, kryeministri ka dhënë një përgjigje, që në rastin më të mirë mund të interpretohet si një nga “gjuhët” e politikës, jo ajo e retorikës, e sulmit apo ofendimeve... por gjuha e drunjtë.

Rama shprehet se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, por nga ana tjetër diskuton dhe për habinë e tij se Evropa sfidon vetë objektivat e saj. Më tutje kryeministri shprehet se beson te shpirti i Evropës.

“Nuk e kuptoj se si kjo makineri që kushton miliarda për të hartuar raporte të imtësishme mund të sfidojë objektivat e veta. Sigurisht, e di që ka vende anëtare që kanë probleme të brendshme, por besoj fuqishëm në shpirtin e Europës. Dhe në shpirtin e Europës ka një qasje strikte dhe të drejtë, kështu që deri tani qasja ka qenë strikte dhe shpresoj të mos jetë e padrejtë.”-tha Rama.

Për Samitin e fundit në Sofje, Rama shprehet se nuk kishte pritshmëri të larta.

“Jo nuk prisja, sepse e dija çfarë kishim bërë dhe sa progres mund të bënim, kështu që e dija se nuk ishte koha për të kërkuar asgjë të tillë por se ishte një çast për të vazhduar dhe luftuar, pra ishte një takim i mirë sepse munda të luftoj”.

Një tjemë tjetër e nxehtë mbetet emigracioni i paligjshëm, ku kohët e fundit, listës i është shtuar dhe kalimi i emigrantëve përmes Shqipërisë. Rreth 100 persona kanë kaluar përmes territorit shqiptar vetëm në 10 ditët e fundit. Rama u shpreh se ai personalisht nuk beson tek barrierat fizike (muret dhe telat me gjemba).

 “Nuk besoj në barrierat fizike, besoj në barrierën e bashkëpunimit mes shteteve dhe njerëzve. Pra nëse kjo barrierë është e ndërthurur mirë, atëherë çdo gjë është shumë mirë dhe nëse është e bërë siç duhet jo vetëm mbron kufijtë por respekton edhe dinjitetin e njerëzve”.

Statistikat tregojnë se numri i refugjatëve që kalojnë kufirin nga Greqia drejt Shqipërisë dhe më pas drejt Europës Qendrore, është me 14 herë më i lartë në raport me vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat