Vrasja e Cukut, autori e mori foton nga interneti, çfarë i premtoi ‘Shefi’ pas ekzekutimit

Shqipëria

Vrasja e Cukut, autori e mori foton nga interneti, çfarë i premtoi ‘Shefi’ pas ekzekutimit

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 18:07
Artan Cuku dhe Mikel Shallari

Report Tv ka siguruar një kopje të aktmarrëveshjes mes Mikel Shallarit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dënimin e tij me 10 vite burg për vrasjen e Artan Cukut. Shallari u dënua me 10 vite burgim pasi pranoi statusin e bashkëpunëtorit duke rrëfyer çdo detaj se si u ekzekutua Cuku mbrëmjen e 8 Prillit 2017 në hyrje të pallatit të tij pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë.

Shallari ka treguar për hetuesit se ne mars 2017 ka takuar Bledar Jambellin nëpërmjet kushëririt të tij Kristaq Leci. Sipas aktmarrëveshjes së siguruar nga Report Tv, Shallari fillimisht ka hezituar që të kryente vrasjen, ndërsa më pas ka pranuar, pasi ndodhej në vështirësi ekonomike, jetonte në shtëpi me qira, kishte një të dashur. Ura lidhëse mes tij dhe porositësit, Bledar Jambelli ishte kushëriri Kristaq Leci. Përveç 20 mije eurove, ata i premtuan se pas vrasjes së Cukut do të ndihmonin për ta sistemuar në Gjermani.

 “Mu premtua 20 mijë euro, fillimisht refuzova dhe pastaj pranova dhe m’u premtua se pas krimit do të dërgohesha në Gjermani dhe strehohesha atje, ndërsa kushëriri im Jambellin e thërriste si Shefi ose i Madhi. Vetëm disa para i mora nëpërmjet agjencive të transfertave dhe m’i dërgoi Leci për të larë borxhet”. Sipas transfertave nga Kristaq Leci  nga Gjermania drejt Shallarit, rezulton se ai ka marre në dorë vetëm 3.000 euro.

Shallari nuk e njihte Cukun, ndërsa foton ia ka dhënë kushëriri i tij, Leci, pasi e kanë shkarkuar nga interneti.  Po ashtu Shallari ka shpjeguar se lëvizjet e ish-komisarit Artan Cukut ai i ka survejuar së bashku me kushëririn e tij Leci dhe për këtë kanë përdorur dy automjete të marra me qira, një “Golf” të bardhë dhe një “Fiat” të zi. Pasi e studiuam mirë Cukun, fillimisht ishte Leci që tentoi që ta vrasë, por nga frika e identifikimit nuk e qëlloi te kafja pranë banesës.

Ndërsa në mbrëmje ata u takuan me porositësin Jambelli, i cili i sipas dosjes, bazuar te deklarimet, i ka ofenduar dhe fyer duke i nxitur që ta vrisnin të nesërmen. Një ditë më pas të dy, Leci dhe Shallari filluan monitorimin e lëvizjeve të Cukut. Leci e orientoi Shallarin me SMS për lëvizjet, ndërsa ky i fundit e ekzekutoi në hyrje të banesës.

Më pas u largua me taksi për në zonën e ‘Astirit’ për t’u takuar me Lecin dhe Jambellin, por ky i fundit nuk i paraqit. Atë natë Shallari qëndroi në Tiranë, ndërsa të nesërmen u largua për në Kuçovë, ndërsa armët e krimit i fshehu në vendlindje pranë lumit Devoll ku pas arrestimi u gjendën dhe u filmuan nga policia.

Shallari u identifikua në momentin e largimit nga vendi i ngjarjes, bazuar te dëshmia e një personi, por edhe kamerat e sigurisë. I riu nga Kuçova pas vrasjes hodhi veshjen sportive në një kosh plehrash, pikërisht nga këqyrja e tyre u identifikua dhe pas analizave të ADN-së u identifikua.

Shallari ka pasur veshur të njëjtat rroba si në ditën e dështimit të atentatit, ashtu edhe mbrëmjen e 8 prillit kur ai e ekzekutoi vetë ish-drejtuesin e lartë të policisë pranë apartamentit.

Në dëshminë tij Shallari ka konfirmuar dhe motivin e këtij krimi ku sipas bisedave që ai ka bërë me Lecin, ka rezultuar se Artan Cuku  e kishte arrestuar Bledar Jambellin ne date 7.12.2012 kur ishte drejtor i Policisë së Vlorës si person të dyshuar për vrasjen e Amarildo Delaj. Ai u lirua me 9.6.2014 pas deklarimit si i pafajshem nga gjykata.

Kristaq Leci dhe Bledar Jambelli 48 orë pas ngjarjes janë larguar në Greqi pa kaluar nëpërmjet sistemit TIMS. Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë në mungesë ndërsa Shallari tashmë do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë dhe për 20 vite do të ruhet nga shteti. Kristaq Leci dhe porositësi Jambelli janë në kërkim nga policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat