Asgjë e re nga rritja ekonomike për Shqipërinë në 2018

Shqipëria

Asgjë e re nga rritja ekonomike për Shqipërinë në 2018

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 14:40
Banka botërore

Banka Botërore i ka qëndruar edhe në qershor parashikimeve të bëra në janar 2018 për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e fiksuar atë në 3.6% për vitin aktual.

Në raportin periodik ku bëhet parashikimi i ecurisë së ekonomisë globale, Banka nuk E ka ndryshuar qëndrimin e saj as për dy vitet pasardhëse duke i lënë në nivelin 3.5%. Parashikimi që bëjnë institucionet ndërkombëtare është dukshëm më konservator sesa parashikimi që ka qeveria për një rritje ekonomike prej 4.2% për vitin 2018 apo 4.3 dhe 4.4% për dy vitet pasardhëse.

Në fakt, një vit më parë, Banka do të rishikonte në rritje ekonominë shqiptare nga raporti i janarit në atë të mesvitit, por këtë herë treguesit që ka mbledhur ky institucion kanë bërë që t’i qëndrojë të njëjtit parashikim.

Raporti për ekonominë globale këtë herë vjen nën titullin “Ndryshimi i rrymës” duke nënkuptuar atë që ekonomistët e Bankës Botërore vlerësojnë si një fazë të re ku, pas një rritjeje më të shpejtë do të kemi një ngadalësim në ekonomitë e avancuara.

Rajoni ku bën pjesë edhe Shqipëria që është Europa dhe Azia Qendrore, sipas Bankës Botërore parashikohet që të ketë një rritje prej 3.2% në 2018 dhe 3.1% në 2019.
Edhe pse shihet pozitivisht ecuria e përgjithshme ekonomike e nënvizuar nën atë që quhet momentum, me një rritje të suksesshme të eksporteve sërish BB vlerëson se risqet në këtë rajon janë të pranishme.

Shtrëngimi i kushteve financiare globale mund të reflektohen në rënie të kapitalit që shkon tek këto vende por edhe në dobësim të ekonomive. Duke qenë se rajoni është i hapur për tregtinë dhe është i integruar në zinxhirin global të furnizimit do të cenohej nga rritja e proteksionizmit global.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat