Jepni shtëpi me qira në bregdet? Ja taksa që duhet të paguani, ndryshe… - Bota Sot
Jepni shtëpi me qira në bregdet? Ja taksa që duhet të paguani, ndryshe…

Shqipëria

E shtunë, 20 tetor 2018

Jepni shtëpi me qira në bregdet? Ja taksa që duhet të paguani, ndryshe…

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 09:25
Ilustrim

Qytetarët që kanë lëshuar shtëpi me qira apo apartamente për sezonin turistik, duhet të paguajnë në Tatime taksën 15 për qind.

Në kuadër të fushatës kundër informalitetit në zonat bregdetare, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu bëri thirrje dje qytetarëve që të deklarojnë dhe të paguajnë tatimin 15 për qind për shtëpitë e dhëna me qira. Në shkresën e Tatimeve thuhet se afatet e deklarimit të të ardhurave nga qiratë dhe pagesa e taksës është brenda datës 20 të muajit pasardhës. Administrata tatimore bën thirrje për deklarim vullnetar, por në rast të kundërt, tatimorët paralajmërojnë masa ndëshkuese, që nga gjoba deri te kallëzimet për evazionin fiskal.

UDHËZIMI

Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, qytetarët që kanë dhënë shtëpi me qira janë të detyruar të paraqiten pranë drejtorive rajonale të Tatimeve, të deklarojnë të ardhurat nga qiratë dhe të paguajnë taksën 15 për qind. “Për një ecuri sa më pozitive të sezonit turistik, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër edhe të masave që po zbaton, dëshiron t’ju bëjë me dije të gjithë atyre individëve, të cilët zotërojnë asete të tilla, si shtëpi apo apartamente dhe i ofrojnë me qira, të shfrytëzojnë të drejtën për të përfituar të ardhura të ligjshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju kujton, se në zbatim të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 ‘Për Tatimin mbi të Ardhurat’, neni 8 dhe 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15 për qind”, thuhet në shkresën e Tatimeve. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, taksa 15 për qind duhet të paguhet brenda datës 20 të muajit që pason kur është përfituara qiraja.

“Gjithashtu, bazuar në pikën 2.6.4 të Udhëzimit të Ministrit të Financave, për të ardhura të paguara nga persona, të cilët nuk mund të bëjnë mbajtjen e Tatimit mbi Burim për llogari të organeve tatimore shqiptare, përfituesi i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë tatimin në masën 15% të të ardhurave, të realizuara jo më vonë se data 20 e muajit që pason, kohën kur është kryer pagesa.

Personat duhet të paraqiten pranë drejtorive tatimore përkatëse rajonale për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore”, citohet në shkresën e Tatimeve. Administrata tatimore bën thirrje për deklarimin vullnetar të të ardhurave, në rast të kundërt paralajmëron vendosje gjobash dhe kallëzime penale për evazion.

“Administrata Tatimore nxit përmbushjen vullnetare dhe me korrektësi të detyrimeve tatimore, si për tatimpaguesit, ashtu edhe për individët. Ajo ju siguron se do të ndërmarrë të gjitha masat, jo vetëm për mbledhjen e të ardhurave, por edhe për të lehtësuar realizimin e detyrimeve ligjore”, deklarojnë Tatimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test