Ja kur do të jetë gati autostrada e rehabilituar Tiranë-Durrës

Shqipëria

Ja kur do të jetë gati autostrada e rehabilituar Tiranë-Durrës

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 20:06
Ilustrim

Rruga Tiranë-Durrës ka degraduar. Pothuajse i gjithë segmenti prej 33 kilometrash është mbuluar me gropa, duke u bërë në shumë raste burim aksidentesh.

Për këtë arsye Autoriteti Rrugor nisi edhe ndërhyrjen emergjente për të bërë një rehabilitim të pjesshëm të këtij aksi. 

Por drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro, thotë për TvKlan se punimet që po bëhen sot nuk janë zgjidhje përfundimtare.

“Nuk janë të mjaftueshme, janë ndërhyrje emergjente për të mbushur gropat. Rruga kërkon rehabilitim të thellë”.

Për herë të parë pas 17 vjetësh rruga do t’i nënshtrohet një rikontruksioni të plotë, i cili do të nisë nga Kashari deri në Durrës. Në segmentin sheshi “Shqiponja” – Kashar nuk do të ndërhyet pasi, zgjerimi i saj është bërë disa vite më parë.

Në vjeshtë do të nisin punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës Tiranë – Durrës. Studimi është bërë gati nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe tashmë mbetet vetëm gjetja e financimit.

Banka Botërore refuzoi financimin e rikonstruksionit të kësaj rruge, e cila sipas studimit fillestar shkonte në vlerën e 11 milionë Eurove. Tashmë është qeveria ajo që po përpiqet të gjejë paratë, të cilat do të kenë një fond më të madh se ai i Bankës Botërore.

“Nëse do të bëhej me kontraktorin e Bankës Botërore që sot ka mirëmbajtjen e këtij aksi do ta kishim 30% më lirë, nuk kemi nxjerrë koston reale, por do të jetë më shumë se 11 milionë Euro”, thote Qendro.

Punimet do të nisin në vjeshtë dhe do të zgjasin mbi 6 muaj.

“Sa të përfundojë projekti, të hapim dhe tenderin, në vjeshtë do të nisim me punimet”, shprehet ai.

Punimet do të bëhen mbi aksin aktual dhe nuk do të ketë zgjerim, projekti për zgjerimin e korsive është një tjetër i cili po studiohet nga një grup i Ministrisë së Infrastrukturës për të gjetur financimin e për të vendosur nëse rruga do të bëhet apo jo me pagesë.

“Nëse do të bëhet apo jo zgjerimi që të vihet në zbatim një projekt që ARRSH e ka gati, vendimi nuk na takon ne. Por di që Ministria është duke disktuar alternativat”, thote kreu i ARRSH.

Projekti i rehabilitimit të plotë të rrugës Tiranë-Durrës synon kthimin e standardeve të dikurshme të rrugës, e cila sot nuk arrin të ketë një cilësi për të merituar fjalën autostradë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat