Dhuna ndaj grave, ndryshon ligji për urdhrat e mbrojtjes

Shqipëria

Dhuna ndaj grave, ndryshon ligji për urdhrat e mbrojtjes

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 20:53
Foto ilustrim

Nga muret e shtëpisë deri te përgjakja e rrugëve, dhuna në familje është kthyer në një shqetësim në rritje që ka shtyrë Qeverinë të ndërhyjë me një projektligj që aktualisht po shqyrtohet në komisionet e Kuvendit.

Risitë janë të ndryshme, por ajo që bie në sy është se drafti shkon përtej institucionit të martesës dhe parashikon si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift. 

Thënë ndryshe, një vajzë mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit.

Përveç Urdhrit të Mbrojtjes shtohet edhe Urdhri Paraprak i Mbrojtjes së Menjëhershme. Sipas hartuesve të draftit, është vënë re se 24 apo 48 orët e para nga momenti kur një grua paraqitej në polici për të kërkuar mbrojtjen e shtetit e deri te lëshimi nga gjykata i këtij urdhri, ishte harku kohor brenda të cilit regjistroheshin edhe ngjarjet më të rënda. 

Ndryshimet ligjore propozojnë që një grua të përfitojë menjëherë nga Urdhri Paraprak i Mbrojtjes, duke nisur nga momenti që e kërkon atë pranë autoriteteve të rendit, deri kur gjykata do ta konfirmojë atë apo jo, shkruan "t.ch".

Një tjetër risi ka të bëjë me të miturit. Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë.

Projektligji i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon edhe ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave të dhunës në familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat