Lufta me hashashin e fituar?! Guardia di Finanza rrëzon propagandën e qeverisë Rama

Shqipëria

Lufta me hashashin e fituar?! Guardia di Finanza rrëzon propagandën e qeverisë Rama

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 20:04
Ata kanë përmendur edhe shifrat e fluturimeve të Guardia di Financa që në vitin 2017 gjetën vetëm 88 plantacione të dyshimta

Disa herë, që nga shtatori i kaluar, kur Edi Rama shpalli programin e qeverisë së re dhe falenderoi opozitën për kontributin e dhënë në fitoren e betejës kundër kultivimit të kanabisit, kryeministri dhe Fatmi Xhafaj kanë bërë deklarata bombastike se e kanë zhdukur këtë fenomen dhe se në Shqipëri nuk mbillet më hashash.

Ata kanë përmendur edhe shifrat e fluturimeve të Guardia di Financa që në vitin 2017 gjetën vetëm 88 plantacione të dyshimta nga 2016 që ishin zbuluar një vit më parë. Por, besueshmëria e degës shqiptare të këtij institucioni e ka humbur besueshmërinë që kur u bë pjesë e fasadës së Saimir Tahirit në konferencën “Antidroga një histori suksesi”, ku deklaroi se 99% e parcelave të zbuluara ishin zhdukur. Dhe të dhënat e tij bien ndesh me drogën që kapet në Itali.

Mirëpo kur sasi të mëdha marijuane kapen në brigjet përballë Adriatikut autoritetet shqiptare e kanë përsëri në gojë justifikimin. Ata thonë: Është nga sasia e hashashit të vjetër, nga prodhimi i viteve 2015 -2016-2017 që ka mbetur pa shitur.

Pra teza zyrtare është se nuk mbillet më hashash në vend, por ndonjë gjë që trafikohet është nga sasia e prodhuar në vitet paraardhëse.

Por si të gjitha piruetat që Rilindja ka bërë për të mbrojtur trafikun (avionët mushkonja, hashashi është shpikje e opozitës dhe kazanit mediatik, problemi nuk ekziston, problemin e trashëguam nga Berisha) edhe ky justifikim i fundit me sa duket po kriset lehtë. Në shkrimin e saj të egër para dy ditëve gazeta franceze “Liberation” ka vënë në dyshim edhe atë.

E përditshmja ka intervistuar Nicola Altiero (foto e madhe lart), gjeneral brigade ne jug të Italisë, në Bari. Sipas tij vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë sekuestruar 10 tonë hashash me prejardhje nga vendi ynë. Pra nëse kjo shifër shtrihet në të gjithë vitin situata është përsëri alarmante. Ajo nuk ka ndryshim nga 2017 kur u sekuestruan 34,9 kg, dhe mendohet të jetë shumë më e lartë se 2016 me 13,9 dhe se 2015 me 860 kg.

Por sikur të mos mjaftonin këto shifra Nicola Altiero ka lëshuar edhe një bombë më të rëndë: “Në anën tjetër të Adriatikut justifikohen duke thënsë se malli që kapim ne vjen nga prodhimi i viteve të kaluara. Por ne kemi studiuar përqindjet e principit aktiv të produktit me qëllim që të përcaktojmë moshën e tij. Dhe ne mendojmë se ai nuk është më i vjetër se gjashtë muaj” tregon zyrtari i lartë i policisë në Bari.

Pra edhe me shifra edhe me analiza propaganda qeveritare se beteja me hashashin është fituar rrëzohet nga Italia. Ndoshta edhe ajo do të ketë fatin e mashtrimeve të mëparshme që janë çmontuar lehtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat