Gjykatat drejt kolapsit, 11 kryetarë pa mandate

Shqipëria

Gjykatat drejt kolapsit, 11 kryetarë pa mandate

Më: 1 korrik 2018 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Aktualisht, në të gjithë vendin 11 Gjykata Rrethi, Apeli, Administrative, madje edhe ajo e Krimeve të Rënda janë pa kryetarë, pasi u ka mbaruar mandati.

E po kaq pritet të mbeten pa drejtues në 6 muajt e ardhshëm, pasi janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre. Ndërsa vetëm 4 prej tyre, 3 që u ka përfunduar afati i drejtimit dhe një tjetri që i përfundon gjatë ditëve të ardhshme, kanë paraqitur kërkesë për rizgjedhje pranë KLD-së, raporton Panorama.

Por në kushtet kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka kompetencë për të kryer zëvendësime, pavarësisht se po shqyrton delegimin e mandateve, duket se gjykatat janë drejt kolapsit, për aq kohë sa ende nuk është krijuar institucioni i KLGJ-së. Kjo situatë duket se ka futur në ngërç drejtësinë.

Ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit thotë se emërimi i kryetarëve të tjerë parashikon se mandati është 3-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm njëherë. Në pikën dy të ligjit parashikohet se kryetari në detyrë i gjykatës, jo më vonë se 6 muaj për mbarimin e mandatit, duhet të kandidojë për kryetar. Nëse nuk kandidon, konsiderohet se ka dhënë dorëheqjen.

“Pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë depozituar kërkesa nga disa kryetarë të gjykatave, të cilët për shkak se iu ka mbaruar apo janë në prag të mbarimit të mandatit për ushtrimin e funksionit drejtues në gjykatë, shprehin dëshirën për të vijuar të jenë përsëri kryetar të gjykatës.

Aktualisht, në ushtrim të detyrës së kryetarit janë 37 kryetarë gjykatash, të cilët janë emëruar me vendim të KLD-së, ndërkohë që aktualisht 4 kryetarë gjykatash janë të komanduar për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të gjykatës”, thuhet në informacionin e KLD-së mbi mandatet e kryetarëve të gjykatave.

KRYETARËT E GJYKATAVE

U KA MBARUAR MANDATI

1. Artan Çupi, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat

2. Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë

3. Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër

4. Entela Prifti, kryetare e Gjykatës së Apelit Korçë

5. Dritan Banushi, kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër

6. Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit Vlorë

7. Petrit Çeno, kryetar i Gjykatës së Apelit Durrës

8. Halil Vani, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër

9. Isuf Shehu, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës

10. Alltun Çela, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë

11. Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda

U MBARON MANDATI NË 6 MUAJT E ARDHSHËM

1. Agron Vavla, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat

2. Eriol Roshi, kryetar i Gjykatës Administrative Tiranë

3. Alma Kolgjoka, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë

4. Esmeralda Çeka, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë

5. Admir Belishta, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë

6. Entela Shedula, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë

7. Roland Jaupaj, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier

8. Joana Qeleshi, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës

9. Alfred Gjoni, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin

10. Arben Zefi, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër

11. Skënder Haluci, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë

KANË PARAQITUR KËRKESË PËR RIZGJEDHJE

1. Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër

2. Dritan Banushi, kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër

3. Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit

4. Agron Vavla, kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat