Sot shikoni Parlamentin!

Shqipëria

Sot shikoni Parlamentin!

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 07:24
Kuvendi i Shqipërisë

Kemi parë prokuroren e përgjithshëm Arta Marku të betohet mes tymit në Parlament, sikundër e kemi parë të hidhen këpucë, të hidhet miell, ujë apo vezë në seancat plenare.

Cili do të jetë sot aksioni i opozitës? Do të ketë diskutime të gjata apo do të tentohet sërish bllokimi i seancës.

Ndërkohë që situata parlamentare do të ketë një kombinim me protestën që do të mbahet para sallës së seancës plenare kundër prishjes së teatrit kombëtar.

Top Channel mësoi se veç mbështetjes së protestës ku artistët do të jenë protagonistë, demokratët do ta shfrytëzojnë sallën plenare për një debat maratonë ku do të paraqesin të gjithë argumentet pse sipas tyre, qeveria dhe Bashkia e Tiranës po përvetësojnë pronën publike ku është ndërtuar teatri kombëtar. Një argument të ri e dha të mërkurën Jorida Tabaku.

“Unë publikoj kontratën e shit-blerjes nënshkruar në vitin 1938 nga familja Libohova që i është shitur përfaqësuesit të shtetit italian. Në kontratë thuhet specifikisht që ai që e blen truallin, nuk përdor dot asnjë destinacion tjetër përveçse teatër. Qeveria italiane, më largpamëse se qeveria shqiptare”, tha Jorida Tabaku.

Kryetari i Bashkisë nuk u paraqit në Komisionin e Edukimit thirrur nga kryetarja Albana Vokshi.

“Ka një arsye pse Erion Veliaj dhe Edi Rama refuzojnë të bëjnë transparencë.
Në territorin e Teatrit Kombëtar, sipas projektit që ka publikuar Studio Arkitekturore, do të ngrihen 3 kulla nga 6 të planifikuara, ku Edi Rama do të pastrojë paratë e drogës”, u shpreh Vokshi.

Reagimet disa javore për godinën e teatrit kombëtar, janë parathënia e një prej seancave më të rëndësishme të sesionit. Ndërkohë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi që seanca e fundit të jetë të hënën e 23 korrikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat