Shkarkohet prokurori i “21 Janarit”, Cama, parà për të pushuar një çështje

Shqipëria

Shkarkohet prokurori i “21 Janarit”, Cama, parà për të pushuar një çështje

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 09:29
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin ditën e sotme për shkarkimin e Prokurorit Adriatik Cama.

Një ditë më parë në seancën dëgjimore, KPA doli në përfundimin se prokurori Cama doli me pasuri problematike e të pajustifikuara.

Edhe pse prokurori rezulton bashkëpronar i vetëm një apartamenti në Tiranë, i një dyqani dhe një automjeti, deklaratat dhe të ardhurat për blerjen e tyre u cilësuan nga vettingu si kontradiktore dhe të pajusfitikuara.

Fillimisht, prokurori e ka deklaruar blerjen e apartamentit me vlerë 3 milionë lekë, ndërsa në kontratën e shitblerjes rezulton të jenë investuar 34 mijë dollarë. KPK-ja zbuloi se probleme kishte edhe në blerjen e një garazhi, i cili në fakt rezulton të jetë dyqan.

Por, pika që rëndon më tepër për prokurorin Cama ka lidhje me raportin sekret të DSIK-së, që pas deklasifikimit hedh hije dyshimi mbi njeriun e drejtësisë. Sipas KPK-së, prokurori Adriatik Cama ka pushuar hetimet për një kontrabandist në vitin 2005 në Lushnje, së bashku me një prokuror tjetër, vendim për të cilin është paguar.

“Dy prokurorët – tha relatorja, – kanë kërkuar mitë e kanë marrë parà duke kryer korrupsion, duke cenuar në këtë mënyrë figurën”.

Por Adriatik Cama kundërshtoi, duke theksuar se kjo gjetje nuk është e vërtetë, e sipas tij vettingu duhej t’i sillte dëshmitarin për t’u ballafaquar.

“Nuk e kam shkelur asnjëherë ligjin, jam besnik i tij. Kam pasur presione kur shteti nuk ekzistonte në vitin 1997, madje edhe për 21 Janarin, por asnjëherë nuk jam trembur. Kam bërë detyrën si prokuror i Republikës. Më lini të vazhdoj detyrën”, tha Adriatik Cama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat