Përmirësimi i ligjit/ Manastirliu: Hapi i duhur për të forcuar masat ndaj dhunës në familje

Shqipëria

Përmirësimi i ligjit/ Manastirliu: Hapi i duhur për të forcuar masat ndaj dhunës në familje

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 14:36
Ministrja Manastirliu

"Me urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëherëshme, një element i përfshirë për herë të parë në ligjin për masat ndaj dhunës në familje, sigurohet mbrojtje e menjëherëshme për viktimën e dhunës, deri në daljen e vendimit nga gjykata”.

Kjo është një ndër risitë që parashikon ligji i ndryshuar “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i prezantuar nga Ministrja Manastirliu në Kuvend.

Duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të këtij ligji, Manastirliu deklaroi nga foltorja e Kuvendit se do të garantohet mbrojtje më e mirë, sidomos për kategoritë vulnerabël.

“Zbatimi i ligjit të përmirësuar do të ketë efekte të menjëherëshme në parandalimin dhe reduktimin e rasteve të dhunës në familje, në të gjitha format e saj, duke garantuar dhe masa të tjera të nevojshme për anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë viktima të dhunës, me vëmendje të veçantë te gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar”, tha Manastirliu.

Ligji i ri zgjeron mbrojtjen për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës. “Ky ligj për herë të parë do të veprojë edhe në rastet e dhunës në marrëdhëniet intime, jo detyrimisht të përcaktuara si lidhje gjaku apo martese, apo bashkëjetese, duke garantuar mbrojtje efikase për gratë dhe vajzat”, tha Manastirliu.

Ndër risitë e tjera që parashikon ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare është edhe përmirësimi i masave mbrojtëse për fëmijët, pasi, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Gjithashtu ky ligj përcakton afate të qarta proceduriale për regjistrimin e kërkesës të urdhërit të mbrojtjes dhe urdhërit të menjëherëshëm të mbrojtjes si dhe për ankimet ndaj vendimeve gjyqësore, duke eleminuar zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe duke siguruar më shumë mbrojtje për viktimat e dhunës.

Ligji parashikon edhe detyrimin e organeve shtetërore për të ofruar falas çdo shërbim ekspertize për rastet e dhunës në familje, duke filluar nga shërbimi i ekspertizës psiko-sociale, mjeko-ligjore, etj, shërbime që nuk do të ndikojnë më në proces, pasi do të ofrohen nga shteti dhe më pas fatura për këto shërbime do të jetë e dhunuesit.

Efektet që sjell ky projektligj prekin jo vetëm sistemin e mbrojtjes për viktimat por gjithashtu parashikohen dhe shërbime rehabilituese për dhunuesit, me fokus të veçantë dhunuesit e alkoolizuar, të droguar apo me probleme të shëndetit mendor, të cilat do të jenë qartësisht të shprehura në vendimet e gjykatave për lëshim e urdhrave të mbrojtjes.

Propozimet për ndryshimin e ligjit  që miratohet sot kanë kaluar përmes një procesi gjithpërfshirës, duke u prezantuar në tryeza konsultimi me të gjithë aktorët përgjegjës.

“Është një ligj që do të mbrojë më mirë palët, një ligj më mirë i përputhur me standartet ndërkombëtare, një ligj më i shpejt në veprim, një ligj më efektiv”, tha

Manastirliu, duke ftuar të gjithë deputetët të votojnë ndryshimet ligjore që përmirësojnë ligjin për “Masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat