Biletat e “kripura” të avionëve. Konkurrenca kërkon rishikimin e tarifave në Rinas

Shqipëria

Biletat e “kripura” të avionëve. Konkurrenca kërkon rishikimin e tarifave në Rinas

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 21:39
Rinas

Çmimet e biletave të avionit me destinacion Shqipërinë këtë verë kanë pësuar shtrenjtime të konsiderueshme.

Situata monopol me aeroportin e Rinasit dhe numri i kufizuar i linjave po rrit përfitimet e kompanive ajrore që po aplikojnë çmime të kripura për udhëtarët.

Në këtë situatë është futur në veprim Autoriteti i Konkurrencës, i cili i kërkon qeverisë që të ndërhyjë për të rishikuar tarifat e shërbimit nga kompania koncesionare. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, tarifat duhet të orientohen drejt kostos. Në fakt, në kontratën koncesionare të vitit 2005 është parashikuar rishikimi i tarifave të shërbimit çdo 3 vjet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Koncesionari po përdor të njëjtat tarifa si në vitin 2005, ku përmes Rinasit udhëtuan rreth 780 mijë pasagjerë, ndërkohë që në vitin 2016 numri i pasagjerëve gati është trefishuar në rreth 2,2 milionë pasagjerë dhe bashkë me to janë rritur dhe përfitimet e kompanisë.

Duke qenë Rinasi e vetmja portë hyrjeje nga ajri drejt Shqipërisë, po shfrytëzohet më së miri dhe nga shoqëritë e fluturimit, të cilat rritjes së fluksit të udhëtarëve i janë përgjigjur me shtrenjtim të biletave, sipas rregullit bazë të ekonomisë së tregut të lirë që çmimet i vendos kërkesë-oferta.

Qeveria ka lajmëruar dy koncesione aeroportesh për fluturime ndërkombëtare, në Kukës dhe Vlorë, çka teorikisht do të rriste konkurrencën, por deri në konkretizimin dhe vënien në funksion të tyre, udhëtarët duhet të paguajnë çmimet e “kripura” të biletave të avionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat