Veliaj: Ligji për Teatrin do miratohet sërish në shtator

Shqipëria

Veliaj: Ligji për Teatrin do miratohet sërish në shtator

Më: 28 korrik 2018 Në ora: 14:00
Ilustrim

Kryebashkiaku i Tiranës thotë se në shtator projektligji për Teatrin Kombëtar do të miratohet sërish nga Parlamenti. Veliaj renditi shumë prej investimeve në kryeqytet të cilat në fillim hasën në rezistencë, por që, më pas, dhanë rezultate fantastike.

“Do të presim me durim këto 40 ditë, teksa Parlamenti të mblidhet sërish për të kaluar Teatrin e ri. Por, gjithmonë pyetja që i bëj vetes është: këta që kundërshtojnë çdo gjë, a nuk ishin po këtu që thoshin mos ma prek liqenin, mos ma prek parkun? A është sot parku më i frekuentuar? Mjafton të shikojmë si është sistemuar këndi i lodrave, pista e biçikletave, pista e këmbësorëve, pista e vrapit dhe Amfiteatri i ri. Mjafton të shohim edhe si u mbollën 126 mijë pemë. Këto pemë u mbollën nga ata që thonë mos prek, apo nga ata që thonë se diçka ndryshon vetëm po u prek me dorë?!”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku i shprehu mirënjohjen gjithë komunitetit të artistëve, të cilët mbështetën projektin për t’i dhënë shoqërisë dhe qytetit një godinë të re, të denjë për të funksionuar si Teatër Kombëtar. “U jam shumë mirënjohës të gjithë aktorëve që mbështetën teatrin e ri, gjithë shoqërisë që mbështet zhvillimin e Tiranës. Për të gjithë ata njerëz që mund të kenë ende dyshime, duhet t’i bëjnë një pyetje vetes kur shikojnë kundërshtarët e projekteve të bashkisë dhe të qeverisë në televizor: Këta që kundërshtojnë çdo gjë, çfarë kanë bërë për mua? Kanë ndërtuar ndonjë çerdhe? Kanë ndërtuar ndonjë shkollë? Kanë mbjellë këta ndonjë pemë? Kanë hequr plehrat nga rruga? A kanë bërë këta diçka konkrete që ma ka ndryshuar mua jetën? Po ashtu, le t’i bëjnë të njëjtën pyetje vetes për ne që jemi duke punuar: Këta, a ishin po ata që bënë sheshin “Skënderbej”? Që bënë Pazarin e Ri? Që bëjnë çerdhet, kopshtet, shkollat? Që bëjnë këndet e lodrave?”, tha Veliaj.

Sipas tij, Tirana do të vazhdojë të ndryshojë dhe pavarësisht ndonjë vonese të vogël prej pak ditësh, askush nuk do të frenojë punët publike. “Gjasat janë që ata që po ndërtojnë dhe transformojnë Tiranën, do të vazhdojnë ta bëjnë diçka të tillë apo jo? Përgjigja është po; ne do të vazhdojmë ta ndryshojmë Tiranën dhe një handikap i vogël prej pak ditësh nuk do të na frenojë që të vazhdojmë me një kënd lodrash këtu. Edhe këtu mund të kemi protesta sepse ritmi i punëve të bashkisë është që në çdo ditë po hapet një kantier i ri. Do ta vazhdojmë këtë gjatë gjithë verës. Por, pyetja është: A do t’i prekim gjërat me dorë? Do vëmë dorë në këtë vend që Shqipëria të lulëzojë?”, vijoi Veliaj, duke shprehur bindjen se shumica dërrmuese, jo vetëm e aktorëve, por edhe e qytetarëve, e duan ndryshimin.

“Unë besoj se shumica dërrmuese, jo vetëm e aktorëve dhe e tiranasve, por shumica dërrmuese e qytetarëve nga Kamza, nga Shkodra, që panë atë karikaturë të djeshme, duan që në fakt Kamza të bëhet si Tirana dhe jo Tirana si Kamza; duan që Shkodra të bëhet si Tirana dhe jo anasjelltas. Ndaj, besoj se Tirana nuk ka nevojë të marrë leksione nga ata që janë të mbytur në ujë dhe nga ata që janë të mbytur në plehra. Tirana ka nevojë që të vazhdojë të bëjë ato punë të mira që ka bërë. Të vazhdojë me progresin, me energji pozitive dhe optimizëm”, tha Veliaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat